“Libri i luftës” promovohet edhe në Dusseldorf
Edhe në Dusseldorf është promovuar “Libri i luftës” i autorit, veteranit të gazetarisë e publicistit Nuhi Bytyçi.
Në një ambient shumë të këndshëm të stilit bashkëkohor evropian, në prani të personaliteteve të shquara të biznesit, të artit, të kulturës, të gazetarisë, mjekë dhe veprimtarë të dëshmuar të çështjes kombëtare në Gjermani dhe vende tjera evropiane, në organizim të Klubit të bizneseve – Wirtschaftsclub në Dusseldorf, pikërisht në ditën e kapitullimit të Serbisë dhe të 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, u bë promovimi i “Librit të luftës”, të autorit, gazetarit dhe publicistit të njohur shqiptar Nuhi Bytyçi, në botim të Shtëpisë botuese “Armagedoni” dhe në mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës dhe të afaristit përmasash ndërkombëtare Lazim Destani.
Promovimi nisi me shfaqjen e xhirimeve dokumentare, të cilat janë pjesë përbërëse të ngjarjeve të rëndësishme historike gjatë periudhës së kaluar më se 40-vjeçare, si dëshmi e veprimtarisë profesionale të gazetarit Nuhi Bytyçi, të cilat janë të përfshira në “Librin e luftës”, por që te pjesëmarrësit u ndoqën me interesim të jashtëzakonshëm dhe me emocione.
Duke i përshëndetur pjesëmarrësit në emër të organizatorit, ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Skënder Xhakaliu, fillimisht ka theksuar se me promovimin e kësaj vepre monumentale me vlera historike për tërë kombin tonë, u jepet një mesazh i qartë institucioneve të Republikës së Kosovës që veprat e tilla serioze, duhet të mbështeten pa asnjë rezervë dhe më fuqishëm, madje ato të përkthehen edhe në gjuhën angleze, gjermane dhe në gjuhë të tjera.
“Në këtë mënyrë para institucioneve dhe opinionit ndërkombëtar ua rikujtojmë dhe dëshmojmë me argumente sakrificën e madhe të popullit shqiptar në rrugëtimin e tij të vështirë drejt lirisë dhe pavarësisë dhe integrimit në familjen e civilizimit evropian. Nuhi Bytyçi me punën e tij prej profesionisti të vërtetë, me një përkushtim të veçantë arriti që para opinionit të gjerë të kryej me sukses obligimin prej gazetari dhe atdhetari, në çdo kohë, sidomos në ato më të vështira përherë në shërbim të interesave të publikut”, ka pohuar Skënder Xhakaliu.
Në vijim, lidhur me përmbajtjen e “Librit të luftës” të autorit, gazetarit e publicistit Nuhi Bytyçi dhe rolin e mediave në rrethana të jashtëzakonshme nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, foli shkrimtari, publicisti, intelektuali dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Martin Çuni.
Ai fillimisht ka thënë se Nuhi Bytyçi bëri karrierë me suksese të jashtëzakonshme dhe këtë e dëshmoi katërçipërisht profesionalizmin e tij para luftës, gjatë luftë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas saj.
“’Libri i luftës’ e përfshinë ecjen e tij më se katër dekada të Nuhiut prej gazetari të urtë, shumë të zellshëm, të arsyeshëm dhe të guximshëm në situata normale dhe të vështira. Një autobiografi interesante, me aq peripeci, me aq shumë ndodhi, me aq shumë turbulenca, që në imagjinatë vështirë mund ta mendosh! Profesion i rrezikshëm, por në ato situata vetëm ai që i ka përjetuar si Nuhiu mund të besoj! Nuhiu mori pjesë aktive, nuk ishte indiferent në asnjë ngjarje. Sipas evokimit të tij, përpiqet të ndikojë për të mirë sidomos në afirmimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Çuni.
“Libri i Nuhi Bytyçit është i ndarë në 12 kapituj, i ka 770 faqe dhe rreth 1000 fotografi autentike. Kapitulli më i gjerë dhe më kryesor është ai gjashti – ‘Në shërbim të plotë të luftës së UÇK-së’, ku përfshihet periudha më e vështirë, lufta e bijve dhe bijave më të mira, që u sakrifikuan duke i dalë përballë armikut dhe martirizimi i popullit, dalja në male e tyre, kur ishte shterrur çdo shpresë se pa pushkë e pa sakrificë mund të arrihet liria! Nuhiun e gjejmë nëpër Drenicë, në Malet e Berishës, në Llapushë, në Ana Drini, në Dukagjin, Shalë, Llap, kudo duke i rënë kryq e tërthor vendit. Ai nëpër pika më të rrezikuara bëri reportazhe e intervistoi personalitetet e komandantët më të njohur të luftës. Duke i shikuar dhe lexuar reportazhet e Bytyçit, të cilat ai i ka përjetuar, edhe ai që nuk i ka përjetuar ngjarjet dramatike do të ketë emocione. Martin Çuni përkujtoi se lexuesi nuk do të mund të marrë me mend sa vështirë ka qenë përcjellja e materialeve, e emisioneve televizive nga Prishtina në TV Shqiptar në Tiranë. Ishte një kontroll i madh i të gjitha rrugëve, ishin veprime çnjerëzore të ushtrisë e policisë së Hitlerit të vogël, që për fat e pa edhe bota, sidomos miqtë tanë. Puna e gazetarit Nuhi Bytyçi dhe e kameramanit Abaz Zeka, padyshim janë monument i gazetarisë sonë, që do të lë gjurmë të thellë historike, nëse do të dimë ta ruajmë me kujdes si sytë e ballit, është një thesar i çmueshëm i dokumentarëve, sepse humbja e dokumenteve dhe harresa historike, si defekt i madh, shqiptarët i ka lënë në mjegull kohë të gjatë”, ka pohuar shkrimtari, publicisti Martin Çuni.
Gazetari, shkrimtari, publicisti dhe ish-luftëtari i lirisë, Martin Çuni në mbyllje të fjalës së tij e paraqiti edhe këtë vlerësim: “Mund të them me bindje të thellë se puna e gazetarit dhe e publicistit, e kolegut dhe e mikut tim në kohë të vështira Nuhi Bytyçi dhe vepra voluminoze e tij “Libri i luftës”, është një vepër monumentale, një thesar i shkruar, por edhe i filmuar, që ka vlerë të veçantë për momentet e shënuara të ngjarjeve të jashtëzakonshme, për momentet historike të një kohe ndër më të rëndat që po na riciklohet shumë herë! Nëse nuk kujdesemi që ti ruajmë këto, do të përsëritet historia!”, u shpreh Çuni.
Duke i përshëndetur pjesëmarrësit, Nuhi Bytyçi fillimisht falënderoi Kryesinë e Klubit të biznesit -Wirtschftsclub në Dusseldorf, udhëhequr nga intelektuali Jetmir Bexheti për organizimin e këtij promovimi.
Ai falënderoi në mënyrë të veçantë kolegun e tij, shkrimtarin dhe veprimtarin e njohur të çështjes kombëtare Martin Çunin dhe ish-diplomatin e intelektualin Skënder Xhakaliun për vlerësimet e tyre për librin dhe punën e tij profesioniste. Bytyçi foli edhe për rolin e gazetarit në rrethana okupimi, e sidomos bashkëpunimin e tij me shumë kolegë gazetarë, duke përmendur edhe Faruk Tashollin, Ekrem Krasniqin, Halil Rrustemajn, Rexhep Aliun e të tjerë, të cilët asistonin edhe në këtë promovim.
“E kam titulluar kështu, sepse periudha më se 40 vjeçare e popullit tim, pra edhe e imja si gazetar, intelektual e veprimtar, ka qenë vërtetë luftë. Ka qenë luftë për dinjitet kombëtar, luftë për të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët, luftë për të pasqyruar luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të luftës për të ardhmen e Kosovës lindore, luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për të drejta të plot kombëtare të shqiptarëve në Iliridë, libër i luftës për pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit demokratik dhe perspektivën evropiane të Kosovës”, ka thënë Bytyçi.
Ai, rrëfeu me emocione për mbështetjen e tij dhe të kolegut Abaz Zeka nga populli i mbarë Kosovës, veçmas i Drenicës dhe Llapushës gjatë periudhës së luftës. Duke parë në sallë edhe dy pjesëtarë të familjes së Nezir Deliut nga Rezalla e Skenderajt – Tahirin dhe Bedriun dëshmoi për solidaritetin e jashtëzakonshëm dhe sakrificën e babait të tyre dhe të tërë familjes Deliu për të na mbështetur që ne ta kryejmë sa më mirë dhe të sigurte punën tonë me interes për publikun. Kjo familje bujare na strehoi, u përkujdes dhe na siguroi ushqim një kohë të gjatë në luftën për liri”, ka theksuar Nuhi Bytyçi.
Autori i librit ju drejtua të pranishmëve të këtij evenimenti me këto opinione:
“Përmes ngjarjeve që bëjnë historinë më të re kombëtare, të përfshira në librin tim, kam dashur që para opinionit lexues shqiptar, por edhe atij botëror, të jap disa mesazhe të fuqishme:
“Me gjithë faktin se kur një popull i pushtuar, një popull i nëpërkëmbur, një popull i gjunjëzuar, një popull i terrorizuar deri në gjenocid nga aparati i dhunës shtetërore serbo-sllave, atëherë kur shqiptarët e Kosovës kanë vendosur që ti kundërshtojë fuqishëm dhe ti mposhtin të gjitha këto me organizimin dhe mobilizimin e përgjithshëm nën flamurin e luftës për liri, arritën që të kenë përkrahjen e botës demokratike, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe kështu pas gjakut të derdhur të mijëra dëshmorëve dhe martirëve, populli shqiptar i Kosovës fitoi luftën, doli fitimtar në raport me forcat shumë fish më të mëdha ushtarake e policore serbe.
Mbështetur nga miqtë tanë strategjikë perëndimorë, populli ynë është fitimtar dhe për këtë duhet të jetë krenar.
Nuhi Bytyçi, shtoi se “njëkohësisht, si fitimtarë kemi edhe obligime që të sillemi më seriozisht dhe veprojmë me përgjegjësi në kryerjen e detyrave që kemi para popullit, veçmas rinisë dhe para partnerëve tanë strategjikë që të ndërtojmë shtetin vërtetë demokratik, shtetin ligjor, të krijojmë sistemin e sigurisë dhe të perspektivës evropiane për Kosovën.
Nuhi Bytyçi e bëri edhe këtë krahasim shumë konkret e domethënës: “Pikërisht para 25 vitesh, në kryeqytetin e atëhershëm të Gjermanisë, në Bon, Qeveria e Kosovës në ekzil, drejtuar nga Bujar Bukoshi, hasi në përkrahje nga autoritetet e atëhershme gjermane dhe u angazhua që të organizojë mërgatën shqiptare për të financuar funksionimin e institucioneve paralele të Kosovës, sidomos të arsimit, shëndetësisë, informimit dhe institucionet e tjera. Unë si gazetar kam pasur rastin që të marrë pjesë në shumë aktivitete të kësaj qeverie dhe të përgatis emisione për TV Shqiptar dhe të raportoj për TV Offener Kanal në Berlin e Hamburg, për TV Victory në Nju York, për Radio Melburnin në Australi dhe për media të shkruaj në gazetat dhe revistat shqipe në Prishtinë. Dhe tani pas 25 vitesh, këto ditë, kur po shënojmë 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, pikërisht Qeveria gjermane e drejtuar nga kancelarja Zonja Angela Merkel, pret me nderime shtetërore në Berlin, kryeministrin e Republikës së Kosovës, Zotri Ramush Haradinajn. Kjo dëshmon edhe një herë mbështetjen që po i jep shtetit të ri të Kosovës Gjermania mike, e cila është ndër partnerët kryesorë strategjik të vendit tonë.
Bytyçi përkujtoi se “tani nuk është koha për luftë me armë dhe për gjakderdhje të reja, por për kërkim falje nga Serbia, për dënimin e krimeve të luftës mbi shqiptarët në Kosovë, koha për pajtim dhe për fqinjësi të mirë midis Kosovës dhe Serbisë.
Kosova dhe institucionet e saj, duhet të realizojnë obligimet e tyre që kanë nga Bashkimi Evropian në kuadër të proceseve integruese në familjen e civilizimit evropian, ta luftojnë energjikisht krimin e organizuar, korrupsionin si kancer të ndërtimit të sistemit të mirëfilltë ligjor e zhvillimor, të krijojnë kushte për thithjen e investimeve të reja ekonomike në Kosovë, hapjen e vendeve të reja të punës për ekspertët e rinj, të cilët duhet të jenë bartës të procesit të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe ndaljen e dukurisë së largimit të rinisë nga Kosova në perëndim”.
Bytyçi përkujtoi një thënie nga intelektualë botërorë, shkrimtarë dhe personalitete erudite, se një njeri, një profesor, një mjek, një gazetar, një arkitekt, një ekonomist, nuk e dallon vetëm suksesi personal, suksesi se çka ka bërë ai për vete dhe familjen e tij të ngushtë. Njeriun, qytetarin dhe intelektualin e dallon fakti se çka ka bërë ai për vendin e tij, për komunitetin e tij, për të mirën e përbashkët.
Bytyçi tha se bashkatdhetarët tanë kanë bërë shumë për vendin, për atdheun, por edhe për komunitetin dhe vendin ku jetonjnë, për Gjermaninë. Mërgata jonë është krenaria e Kosovës, krenaria e shqiptarëve, është boshti kryesor i lirisë, i pavarësisë dhe i zhvillimit të Kosovës.
Ai tha se “shumë afaristë shqiptarë në Gjermani dhe vende tjera, tashmë janë dëshmuar shumë të vyeshëm, të aftë dhe të shkathtë, duke hyrë edhe në mesin e afaristëve më të suksesshëm në botë. Ndër ta është edhe afaristi përmasash ndërkombëtare, miku im Zotri Lazim Destani, i cili ka mbështetur Kosovën dhe institucionet e saj në rrethana okupimi, gjatë luftës dhe në liri.
Zotëri Destani dhe Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës meritojnë mirënjohjen time të madhe për botimin e këtij libri, të cilin edhe po e promovojmë këtu. Bytyçi përmendi dhe kontributin e disa veprimtarëve shqiptarë në Dusseldorf, Nazmi e Gani Nuhës, Agim Rashanit, Rifat Hamitit, Nexhmije Hamitit, Bekim Bytyçit, Sabri Shehut, Qamil Rexhepit, Mefail Demirit, Sabri e Hamdi Gashit, Bedri Veselit, dhe të shumë veprimtarëve tjerë, me të cilët ka bashkëpunuar në kohë të vështira.
Në këtë promovim, afaristi i njohur Lazim Destani shprehu vlerësimet më të mira për përmbajtjen e “Librit të luftës” dhe tha se nuk ka hezituar që ta mbështesë botimin e tij.
Destani rikujtoi se Nuhi Bytyçin e ka njohur dhe ka pasur bashkëpunim të ngushtë që nga vitet ‘90-ta dhe ka qenë thellë i bindur se me punën e tij me përkushtim të veçantë do t’i sjellë publikut dhe bibliotekave tona një vepër me vlera historike të pakontestueshme.
Ai shprehu gatishmërinë që bashkë me institucionet e Republikës së Kosovës të mbështesë edhe përkthimin e këtij libri edhe në gjuhën angleze e gjermane.
Ndërkaq, njëri ndër protagonistët e “Librit të luftës”, dr. Shaban Fetaj e vlerësoi lart angazhimin e Nuhi Bytyçit në botimin e këtij libri, duke e konsideruar si kontribut të veçantë për paraqitjen e rrugëtimit të gjatë e të vështirë të popullit tonë, kontribut i jashtëzakonshëm për kompletimin e historisë më të re kombëtare.
Gazetari dhe publicisti, Faruk Tasholli, duke folur për punën më se 40-vjeçare të kolegut të tij, Nuhi Bytyçit, tha “Libri i luftës” është një dëshmi e fuqishme për profesionalizmin e Bytyçit dhe për guximin e tij dhe të kolegëve të tij në rrethana okupimi deri sa punonin në TVP dhe më vonë e deri tani.
Tasholli tha se kjo është një vepër vërtetë kolosale e Nuhiut dhe për botimin e saj do të duhet angazhuar ekip i gjerë shkencëtarësh, por qe Nuhi Bytyçi e ka kryer punën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sepse libri i tij është po thuaj enciklopedi, për çka Qeveria e Kosovës do të duhet ta mbështeste plotësisht, madje edhe botimin në gjuhë të huaja.
Në vijim udhëheqësi i këtij promovimi Skënder Xhakaliu, zhvilloi një bashkëbisedim me autorin e “Librit të luftës” Nuhi Bytyçin lidhur me peripecitë e tij në shkrimin dhe botimin e këtij libri, si dhe zhvillimet aktuale që kanë të bëjnë me punën e institucioneve të Kosovës për grumbullimin e materialeve arkivore për dokumentimin e masakrave dhe gjenocidit serb mbi shqiptarët në Kosovë.
Bytyçi tha se mjerisht institucionet kompetente të Kosovës që nga paslufta e deri tani, plot 20 vjet nuk i kanë kushtuar fare rëndësi grumbullimit dhe sistemimit të gjitha materialeve që dëshmojnë krimet dhe gjenocidin e regjimit serb mbi popullin shqiptar në Kosovë, as angazhimit të ekspertëve të lëmive të ndryshme që kanë të bëjnë me këto vepra gjenocidale ndaj një populli të tërë.
Ai tha se Qeverisë dhe institucioneve tjera kompetente iu ka ofruar materiale, të cilat janë thesar tejet i çmueshëm për sakrificën e madhe të popullit për liri e pavarësi, por ato ende nuk kanë treguar interesim për ti digjitalizuar dhe dokumentuar veprat gjenocidale të Serbisë në Kosovë.
Mirëpo, ai ka shprehur bindjen se tani kur po pritet themelimi i Tribunalit për dënimin e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë, Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria do të mbështesin realizimin e projektit – dokumentarit me dëshmitarët e masakrave të ushtrisë dhe të policisë serbe ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë.