LIBRI I PATHYESHMËRISË
Përshtypje nga libri i Gani Sylajt,”Burg pas burgu”, Buzukui, 2019 Prishtinë
Shkruan: Saime Isufi (Zvicër)
Në këtë kohë pandemie, lexova tri librat e Gani Sylajt: “Ilegal viteve shtatëdhjetë”, “Shenja e përkatësisë” dhe “Burg pas burgu”.
Të tri librat e Ganiut me kujtime autobiografike të shkruara pa ngarkesë, pa zbukurime, pa shenja mburrjeje, të kthejnë në kohë, që në vitet e fëmijërisë së hershme e deri në fund të jetës së tij të bujshme me plot punë e aktivitet, pa mburrje e rrahagjoks, siç jemi mësuar t’i shohim plot të tillë në ditët tona.
Libri “Burg pas burgu”, të cilin Ganiu ia kushton gruas së tij, Hasimes rolin e së cilës di ta çmojë e vlerësojë si njeri përparimtar e intelektual që ishte, pasi ajo e priti, pa ditur sa do të zgjaste kjo pritje, rriti fëmijët, pa ditur sa kohë do t’ i rriste fëmijët pa baba. Priti pa e ditur a do të kthehej ndonjëherë gjallë burri nga burgu e babai i fëmijëve. Pritja ishte e panjohur.
Ganiu, në këtë vepër shkruan dhe kujton burgosjet, burg pas burgu, që nga ai famëkeqi i Prishtinës, tek i Shkupit, Idrizovës, Mitrovicës e Somborit për të vazhduar me dënimet që nga viti 1979 e deri në lirimin e tij në vitin 1990.
Ganiu nuk harron pa përshkruar asnjë detaj, me një memorie të admirueshme kujton gjithçka ndodhur gjatë viteve të kaluara nëpër burgje, duke na njohur me të gjitha përjetimet që nga momenti i parë i arrestimit. Mbylljen në qeli në burgun e Prishtinës, ai do ta përshkruaj kështu: “Prapa meje u dëgjua rrapëllima e derës që u mbyll, e në fakt u hap një kapitull i ri i jetës në burg”.
I vetëdijshëm për veprimtarinë në shërbim të çështjes së atdheut, Ganiu ishte përgatitur edhe për burgun dhe dënimin që mund t’ia jepnin, por ai qëndroi i patundur, i palëkundur në rrugën dhe idealet e tij e të shokëve, me të cilët kishte punuar. Dhe ata, sikurse Rexhep Malaj, kishin qëndruar në burg dhe nuk kishin dekonspiruar shokët dhe as dëmtuar organizatën.
Hetuesit në burgun e Prishtinës janë shumë të egër. Më të zëshëm tregohen hetuesit dhe xhelatët shqiptarë, të cilët verbërisht i shërbejnë regjimin shtypës jugosllav. Por Ganiu nuk dorëzohet. Ai do të thoshte : « Gjatë gjithë kohës që ata ushtronin dhunë, unë e kisha mendjen te shokët e mi që vepronin jashtë. Më dukej sikur më thoshin : « Ne kemi besim te ti. Ne jemi në vlugun e punës, ditë e natë, pa u frikësuar se do të na zbulosh..»
Fjala e Ganiut e përgatitur me shkrim dhe e mbajtur para gjyqit të Shkupit ishte mbrojtje e çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në Jugosllavi. Ishte thirrje për pushtetarët se shqiptarët në Jugosllavi kanë zot. Deklaratat e tij të palëkundura, përkundër torturave çnjerëzore që përjetoi nëpër burgjet e njëpasnjëshme, do ta çonin deri në dënimin me 15 vjet burgim të rëndë. “Kur hetuesit bënin lajka me premtime, – shkruan në kujtimet e tij,- duhej thënë atyre se ne ishim një brez që nuk e kishim filluar rrugën drejt çlirimit, nuk ishim të tillë që donim të martirizoheshim, por një brez me idenë e lirisë në mendje të qenies sonë”.
Ganiu ishte një person me një dashurit dhe afri të paparë me njerëzit. I gatshëm të ju qëndrojë pranë për çdo nevojë të tyre. Ai ishte pranë të burgosurve, të cilët ia dëgjojnë fjalën «Profës». Ishte intelektual i mirëfilltë që lexon e studion vazhdimisht, duke u përgatitur për “beteja të reja”. Edhe kur pranon një orë si dhuratë nga shoku i burgut, ai do ta lidhë menjëherë me orën e ndalur për shqiptarët nga ana e regjimit shtypës. Do ta lidhë me veprimtarinë ilegale të shokëve të organizatës ku vepronte dhe do të thoshte: “Dallimi për saktësi të një zvicerani dhe të një ilegali ishte se, kur zvicerani vonohej për punë gjobitej me para, ndërsa vonesa e ilegalit në vendtakim e rrezikonte veten dhe shokun që e priste”. Ndërkaq derisa shikonte orën e dhuruar mendonte për jugosllavët: “Ata na e ndalnin kohën për të vepruar për çlirim…”
Gjatë qëndrimit në burg, Ganiu do të përjetojë rëndë vrasjen e bashkëveprimtarit dhe anëtarit të Komitetit Drejtues, Kadri Zeka, duke e konsideruar humbje të madhe për organizatën dhe çështjen në përgjithësi.
Edhe më të rëndë do ta bënte situatën zbulimi dhe burgosja e anëtarëve të organizatës, ku Ganiu bënte pjesë dhe që deri pas demonstratave të vitit ’81 veprimtaria e tij nuk ishte zbuluar. Duke qenë se anëtarët e organizatës ishin tejet aktiv në demonstrata, bile edhe në udhëheqje të tyre, si rasti i Hydajet Hysenit dhe fjalimi i tij para popullit të mbledhur në Prishtinë, më 2 prill 1981, kishte bërë që UDB-a me gjithë makinerinë e saj të lëshohej në zbulimin dhe ndjekjen e organizatave ilegale, të cilat kishin përgatitur popullin për këtë ditë të madhe dhe s’kishte më forcë ta ndalonte as ta gënjente. Ai shkruan në libër: «Goditja e tyre (shokëve – shën.imi) ishte humbje e madhe për lëvizjen kombëtare, sepse ishin kuadro të vjetra e me përvojë që për dhjetë vjet ishin zgjeruar nëpër të gjitha territoret shqiptare nën Jugosllavi».
Përsëri për Ganiun do të fillonte kalvari i hetimeve e torturave çnjerëzore në burgun e Prishtinës, për të cilat ai ishte përgatitur. Ganiu, si të gjithë shokët e tij, do të dilte në gjyq, pasi veprimtaria ishte zbuluar. Ai krenar dhe ballëlartë do të mbrojë edhe kësaj radhe çështjen e Kosovës dhe të drejtën për republikë. Para gjyqit deklaroi: « Deklaratat në hetuesi rreth veprimtarisë sime janë të vërteta, por fatkeqësisht veprimet e kryera për ta hequr qafe këtë pushtim klasik, kolonial dhe për t’u çliruar nga Jugosllavia nuk ishin të mjaftueshme…Ju na keni burgosur dhe tani do të na dënoni, por nuk mund të burgosni dhe dënoni gjithë popullin shqiptar liridashës… Lufta e popullit tonë është e drejtë dhe do të fitojë». Kështu deklaroi Ganiu në gjyq, i bindur në drejtësinë e veprimtarisë së tij atdhetare. Ganiu dënohet në vitin 1982 me gjykim maksimal, 15 vjet burg.
Sipas përshkrimeve të tij në libër, Ganiu transferohet burg pas burgu, pasi ai kundërshton padrejtësitë dhe poshtërimet që u bëhen të burgosurve pa të drejtë si: mbajtja e duarve prapa gjatë shëtitjes, mungesa e literaturës në gjuhën shqipe nëpër burgje, përdorimi i gjuhës serbe si gjuhë komunikimi me shkrim me familjarët dhe gjatë vizitave të familjarëve nëpër burgje. Qëndresa këmbëngulëse në kërkesat e drejta, i detyron organet e burgjeve të bëjnë ndryshime në kushtet e burgut.
Stacioni i fundit i burgut për të është ai i Somborit, nga i cili, pasi mbaron burgu, kthehet përfundimisht në shtëpi në vitin 1990.
Sa e dhimbshme të lexosh, në përmbyllje të librit, nga një baba i burgosur, që vuajti aq shumë larg familjes dhe vendit të tij dhe kur vjen në shtëpi, vajza e vogël nuk e do «njeriun e huaj». Nuk e njeh babanë dhe nuk është faji i saj. Njeriun që luftoi e punoi deri në frymën e fundit për çlirimin e vendit të tij e të të gjithë fëmijëve të Kosovës, ishte «i huaj» për vajzën e tij. Sot vajza e tij është krenare për babanë dhe veprimtarinë e tij atdhetare të pandërprerë, deri në fund të jetës.
Bindja e Ganiut dhe puna e pandërprerë e tij në asnjë moment dhe e veprimtarëve të përkushtuar, në realizimin e idealeve të popullit e të Atdheut çoi deri te formimi i UÇK-së dhe lufta e saj çlirimtare në realizimin e ëndrrës shumëshekullore të qindra e mijëra veprimtarëve atdhetarë.