Libri Kosova dhe Metohija në zyrën e komisionerit evropian, reagon ministrja Haradinaj-Stublla
Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se është përtej skandalit diplomatik dhe më shumë se provokim dhe anim, pritja e Komisionerit për Zgjerim të BE-së Oliver Varhelyi, bërë Aleksandër Vuçiqit me ekspozim të qëllimshëm të librave shovinistë, me emra që janë derivat i projeksioneve për spastrim etnik dhe pretendime territoriale ndaj shteteve tashmë të pavarura dhe sovrane.
“Projeksionet e tilla kanë vdekur, bashkë me regjimin gjenocidal të Millosheviqit. Këtë duhet ta ketë të qartë çdo tavolinë, e çdo përfaqësues: Republika e Kosovës është një dhe e pacenueshme. Kosova e 17 Shkurtit nuk preket!”, ka shkruar ministrja e Jashtme, Haradinaj-Stublla.
Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi gjatë takimit me presidentin serb ka postuar në llogarinë e vet në “Twitter” një fotografi me të, ku shihet edhe libri “The Christian Heritage of Kosovo and Metohija” i një autori serb që si duket zyrtarit evropian ia ka bërë dhuratë Vuçiq.
(M.Q / Epoka e re)