Libri «Kosovarische Korrekturen»(«Korrigjimet Kosovare») nga Marlene Schachinger

28 dhjetor 2019 | 17:34

Basrie MURATI- SAKIRI

Shkrimtarja austriake Marlen Schachinger, si rezultat i qëndrimit të saj disa javësh “Writer in Residence” në Kosovë në vitin 2018, ka shkruar librin “Kosovarische Korrekturen” (“Korrigjimet Kosovare”).

Me një qasje dashamirëse, zonja Schachinger i ka përshkruar rrjedhat kryesore të ditës së qytetarëve të New Born-it, shtetit më të ri në Evropë, Kosovës. Ajo ka shkëputur sekuenca nga bisedat me njerëz të rëndomtë të profesioneve të ndryshme. Inspirimin e ka gjetur në librari, rrugë, sheshe, dyqane e vendqëndrime tjera.

Kaosi urbanistik në Prishtinë, paperspektiva e të rinjve dhe korrupsioni i lartë i ngritur në sistem nga klasa politike e Kosovës, janë vetëm disa nga pasojat e shoqërisë së pasluftës. Mungesa e sigurimit shëndetësor si dhe shërbimet e dobëta shëndetësore janë problemet tjera që ua vështirësojnë jetën qytetarëve.
Me një shije të hollë filozofike dhe me një gjuhë të nivelit të lartë, ajo e përshkruan pozitën e pa favorshme të femrave. Ajo shkruan edhe për krimet e tmerrshme të luftës, si për shembull dhunimet.
Vështirësitë e atyre që pas jetesës kohë të gjatë në shtete të Evropës u kthyen për të jetuar në Kosovë pas luftës, janë poashtu pjesë të këtij libri. Është shumë simpatik trajtimi që në libër i bëhet pozicionit të “Shacave”, gjatë kohës së qëndrimit të tyre për pushime në vendlindje, paragjykimet dhe trajtimin që iu bëhet atyre nga vendasit.
“Kosovarische Korrekturen” e vlen për t’u lexuar dhe iu ofron lexuesve material të shumtë, i cili i informon ata mbi funksionimin e sotëm të shoqërisë kosovare. Posaçërisht ofron material të shumtë për të diskutuar se cila është shansa e shtetit të Kosovës për të dështuar apo dhe mbijetuar?
Sikurse konsullja e Austrisë në Prishtinë, zonja Eva Michlits, ashtu dhe autorja e librit, zonja Schachinger, shprehin vlerësimin dhe falënderimin e tyre ndaj njerëzve në Kosovë. Përderisa konsullia i emërton shqiptarët me emër të dytë, si “ndihmëtarë”, shkrimtarja iu bën emërtimin e tretë, “të përzemërte”. Kjo ka për bazë mikpritjen, kujdesin dhe respektin e tyre, që ajo i përjeton gjatë qëndrimit në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drin Kokaj dhe Era Shala janë dy sportistët e vetëm…