Libri “Lamtumirë Baca Adem”, një sintezë e shkruar me një stil të qartë
Prof. dr. Ibrahim Gashi
Recension: Selatin Novosella, “Lamtumirë Baca Adem”, ShBPK, Prishtinë, 2018, f. 328
Këto ditë, nën autorësi të z. Selatin Novosella, erdhi në duart e lexuesit shqiptar dhe jo vetëm një përmbledhje e përzgjedhur e impresioneve dhe ekspresioneve të shkruara të pendëve të njohura, të udhëheqësve shtetërorë, të bashkëveprimtarëve, por edhe të qytetarëve të përlotur që janë thënë në tubimet komemorative dhe gjatë ceremonisë së varrimit të ikonës së patriotizmës shqiptare të periudhës moderne, të njohur ndër ne si bacë Adem Demaçi dhe nga të huajt si njeriu që me sakrificën personale i dha vulë epokës së shqiptarëve të robëruar, duke i dhënë edhe epitetin krahasues si Mendela i Kosovës.
Autori Selatin Novosella, referuar opusit të tij shkencor e publicistik kushtuar Adem Demaçit, që tashmë i ofrohet si sasi numrit treshifror, me shumë të drejtë mund të quhet jo vetëm bashkëmendimtar dhe bashkëveprimtar, por edhe biografi ose jetëshkruesi më i njohur i jetës dhe veprës së Adem Demaçit.
Në librin e tij të fundit “Lamtumirë Baca Adem” që po e promovojmë sot autori Novosella na ka sjell një përmbledhje shumë kreative dhe origjinale që përmban gjithë atë që u tha më shumë emocion dhe shpirt nga të gjithë të referuarit në këtë libër, në momentet e dhimbjes së madhe kombëtare të ndarjes nga ne të njeriut që të gjithë i kishim borxh, por ai nuk na kërkoi asgjë, veçse deshi të na shihte të lirë, të bashkuar dhe të zot për të mbrojtur dhe zhvilluar atdheun.
Libri hapet me një testament të Bacës Adem Demaçi, të titulluar “Idetë nuk vdesin kurrë”, për të vazhduar në hapje me një epitaf të studiuesit të njohur të folklorit dr. Zymer Neziri, të titulluar: “Baca Adem, ti ishe vetë atdheu”. Shkrimi kryesor që hap librin është shkrimi i titulluar: “Në vend të hyrjes” i autorit Selatin Novosella (f. 11-21), për të cilin shkrim autori, siç shprehet, ishte inspiruar nga fjalët shumë kuptimplota të Shqiptarit dhe Abetares, “baba vdiq i qetë”, të thëna vetëm pak minuta pasi pushoi së rrahuri zemra e madhe e bacë Adem Demaçit. Në këtë shkrim me një akribi dhe pasion të veçantë autori ka bërë disa aludime shumë të argumentuara përse mund të themi se Baca Ademi vdiq i qetë. Sipas tij, kush më shumë se Adem Demaçi do të vdiste i qetë, kur kihet parasysh se ai më shumë se një gjysmë shekulli më parë me mendjen e tij paravajtëse, apo siç do të thoshim sot vizionin e tij, kishte kthjelltësinë të projektojë në mendje rreziqet që duhej të kalonin shqiptarët dhe Kosova, por edhe bindjen e tij të fuqishme se në fund do të realizohej shkëputja nga robëria. Duke shpalosur momentet më kulmore të veprimtarisë atdhetare të bacës Adem, ku ai kishte spikatur me guximin dhe vizionin e tij, i cili ndonjëherë dukej i vështirë, madje i pamundur për t’u realizuar, por më në fund secila nga profecitë dhe idetë tij u arrit të provohet e saktë dhe e realizueshme deri te çlirimi dhe shkëputja e Kosovës nga sundimi jugosllav dhe serb.
Autori Novosella, duke ruajtur frymën triumfuese demaçiane, e ka nisur edhe përmbyllur këtë shkrim me fjalët Baca Adem vdiq i qetë.
Libri është i strukturuar në tre krerë. Kreu i parë i këtij libri përfshinë tri pjesë kryesore. Në pjesën e parë, e titulluar “Mbledhja komemorative për vdekjen e Bacës Adem Demaçit”, (f. 23-34), e mbajtur në Kuvendin e Kosovës, më 27 korrik 2018, sjell fjalimet komemorative të kryekuvendarit të Kosovës, z. Kadri Veseli, të nënkryetares së Kuvendit të R. së Shqipërisë, të znj. Vasilika Hysi dhe të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Pjesa e dytë e këtij kreu (f. 35-50), e titulluar: “Ceremonia shtetërore për varrimin e Bacës Adem”, e organizuar në Sheshin “Skënderbe” në Prishtinë të njëjtën ditë, përmbledhë fjalimet mortore të presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj, të Ali Ahmetit, kryetar i BDI-së dhe fjalimin e Abetare Demaçit të titulluar: “Kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët”.
Pjesa përmbyllëse e këtij kreu (f. 51-55) përmban fjalën lamtumirëse të autorit të këtij libri, z. Selatin Novosella, të lexuar në ceremoninë e varrimit në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Nga një lexim i vëmendshëm i të gjitha këtyre fjalimeve rezulton se secili nga shtetarët shqiptarë me fjalë të zgjedhura dhe me pietizëm të thellë iu drejtuan arkivolit të njeriut trupshkurtër, por me zemrën e madhe dhe mendjen rrezatuese i cili po ikën prej kësaj bote, por që pas vetes po linte një testament me përgjegjësi për të gjithë elitën politike shqiptare të sotme, por edhe për atë të nesërme, që të punojnë drejt për ta çuar në vend projektin kombëtar të shqiptarëve. Secili nga këta liderë pa dallim u përkulën me respekt të thellë përpara varrit të Bacës, duke dhënë premtimin e tyre publik se do të ecin rrugës që projektoi dhe e sendërtoi Adem Demaçi.
Kreu i II, i titulluar: “Tubimet – homazhet për Bacën Adem Demaçi” (f. 57-114) përmban gjithë atë që u thanë në tubime homazhe që u mbajtën me rastin dhe pas vdekjes së Adem Demaçit. Autori këtë kapitull e fillon me tubimin homazh të mbajtur më 8 gusht 2018, në ShBPSh, ku fjalimi mortor i mbajtur në këtë tubim nga veprimtari Hydajet Hyseni shpërfaqi më shumë emocion veprën e madhe të simbolit të rezistencës, të kurajës dhe të inspirimit për të gjithë të burgosurit politik shqiptar, bashkëvuajtës të bacës Adem në kazamatet jugosllave. Me përmbajtje të tillë janë edhe tubimet imazhe që mbahen nga Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” në Prizren më 2 shtator 2018, nga Federata Universale e Paqes – Këshilli Shqiptar i Paqes, në Tiranë më dt. 21 shtator 2018, nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, më 21 shtator në Prishtinë. Në fjalimet kryesore që mbajtën në emër të këtyre institucioneve bashkëveprimtarë dhe bashkëmendimtarë të Bacës Adem si Meriman Braha, Ali Lajçi dhe Abdyl Kadolli, secili në mënyrën më të përkryer kanë lartësuar figurën emblematike të Adem Demaçit, duke sjell mjaft detaje dhe këndvështrime që më pak i kemi njohur nga vepra jetësore, letrare dhe atdhetare e bacës. Ky krerë përmbyllet me filmin dokumentar të regjisorit Valon Bajrami, prodhim i RTK-së, i titulluar “I pathyeshmi – Adem Demaçi”.
Kreu i tretë, i fundit, por mjaft i vëllimshëm dhe përmbajtjesor, është titulluar: “Shkrime të veçanta, telegrame dhe përshtypje në ‘librin e zisë’, me rastin e vdekjes së Bacës Adem Demaçit” (f. 115-326). Kreu hapët me shkrimin autorial “Mandati i tij, mandat i gjithëkohshëm” i autorit akademik Rexhep Qosja. Në vijim të këtij kreu janë edhe shkrimet filozofia dhe etika politike e Adem Demaçit, të profesor Sabri Kiçmarit dhe shkrimi i publicistit Blerim Shala, i titulluar Adem Demaçi dhe ne. Në të tria këto shkrime autoriale nga aspekte dhe këndvështrime të ndryshme, por me interes është trajtuar figura poliedrike e veprimtarit Demaçi, duke provuar me të drejtë që nga secili segment i asaj trajektoreje të bujshme jetësore të tij të nxirren porositë për të sotmen dhe të ardhmen kah duhet të ecim si shtet dhe si komb. Është me interes të shkëputim disa pasazhe nga shkrimi i akademikut Qosja. “Herët në rini ai u bë mësues historik, politik, kulturor, kombëtar e moral i rinisë shqiptare në Kosovë. Ai u bë mësuesi i qëndrimit të drejtë, të papërkulshëm, të dinjitetshëm që nuk e përkulin leverditë, premtimet, kërcimet e burgjet. Ai u bë parathënësi i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës.
Ai u bë parathënësi i bashkimit kombëtar shqiptar…”
Në vijim të këtij kreu janë përmbledhur edhe telegramet e personaliteteve të shquara si: Sali Berisha, Edi Rama, Ismail e Helena Kadare, Jakup Krasniqi, Albin Kurti, Xhavit Haliti, Lulzim Basha, Sonja Biserko Latinka Peroviq dhe shume të tjerë.
Pjesa e fundit e këtij kreu përmbledh vetëm një pjesë të përshtypjeve të qytetarëve të shkruara në librin e zisë, nga të cilat, para se të veçojmë emra, është e udhës të shkëputim fjalë shumë të përzgjedhura dhe vlerësime tepër të larta për jetën dhe veprën e z. Adem Demaçi. Një nga të nënshkruarit në librin e zisë ka lënë këtë shënim: “Bacë, shkove ashtu siç ishe – i thjeshtë, i madh, i thellë, vizionar, kritik dhe patriot i paepur për t’iu bashkuar legjendave duke lënë gjurmë në mendjen dhe zemrat tona. Të qoftë dheu i lehtë Bacë!” Në një shënim më tej lexojmë: “Më veprimtarinë e tij atdhetare u bë i papërsëritshëm, i paarritshëm dhe i pavdekshëm”.
Nga këto shkrime që morëm në shqyrtim në këtë recension promovues shpresoj se kemi arritur të sjellim një përshkrim të mjaftueshëm mbi vlerat e mëdha që përmban ky libër, për ta dëshmuar vëmendjen dhe përkushtimin institucional dhe gjithëpopullor për ta përcjell në mënyrë dinjitoze në përjetësi simbolin e rezistencës kombëtare. Me këtë libër autori ka bërë atë që, në fakt, duhet të bënte secili intelektual që ka pasur fatin të bashkëveprojë dhe bashkëndajë çaste të vështira me të madhin Adem Demaçi.
Duke analizuar me vëmendje këtë përmbledhje monografike, në cilësinë e recensentit, mund të pohoj se libri përmbush në mënyrë të admirueshme kriterin metodologjik dhe përmbajtjesor të shkrimeve të këtij formati. Autori ka përdorur një stil narrativ të qartë dhe konfident, të bazuar në burime dhe informacione primare.
Në fund me kënaqësi mund të konstatoj se shkrimet e kësaj natyre dhe të këtij niveli janë një kontribut i çmuar nga lëmi i historisë politike dhe biografive të personaliteteve ndër ne. Libri është një sintezë e shkruar me një stil të qartë dhe me përmbajtje të saktë nga ana intelektuale. E përgëzoj autorin Novosella për kurajën për të mbledhur në një libër, për një kohë rekorde pas vdekjes së Bacës Adem gjithë atë që u përgatit dhe u deklamua në ceremoninë mortore dhe pas saj.