Libri “Lamtumirë Baca Adem” pasqyron dhimbjen dhe krenarinë e ligjshme për nderin e kombit, Adem Demaçin
Ibish Neziri
(Selatin Novosella, “Lamtumirë Baca Adem”, botoi Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2019)
Vargut të titujve të librave të Selatin Novosellës për Nderin e Kombit, Adem Demaçin, në vitin që sapo e përcollëm iu shtua edhe një titull, të cilin sigurisht se asnjëherë nuk do të donim ta kishim, por ja që, pos që e kemi, edhe po e promovojmë sot këtu. Është ky libri më i ri i këtij autori, i titulluar “Lamtumirë Baca Adem”, libër ky jo i zakonshëm si gjithë librat e tjerë, por krejtësisht i pazakonshëm e, mbase, edhe i vetmi i këtij lloj në gjuhën shqipe.
Posa lexuesi ta marrë në dorë këtë libër, pos vetë titullit, edhe fotografia në kopertinë ia bënë të qartë përmbajtjen, një përmbajtje të dhimbshme, por edhe krenare.
Libri i ka 327 faqe dhe i paraprinë “Testamenti i Bacës Adem Demaçi”, i cili përfundon me porosinë që njerëzit të mësohen të shkojnë prapa ideve, të mos shkojnë prapa njerëzve, sepse njerëzit mund të burgosen, mund të sëmurën, mund të vdesin, kurse idetë nuk vdesin kurrë, por edhe ndonëse nuk është përfshirë në testament, por që shpeshherë ka ditur ta thotë vetë Baca Adem, njerëzit edhe mund të gabojnë.
Pas “Testamentit” vjen përkushtimi i prof. dr. Zymer Nezirit, përkushtim përplot ndjenja e krenari, përkushtim që me pak fjalë Bacën Adem e vendos në vendin që i përket. Ai me të drejtë Bacës Adem i thotë “Baca Adem, ti ishe vetë Atdheu, vetë liria, vetë bashkimi, vetë ideali, sakrifica, qëndresa, drejtësia, vetë UÇK-ja, vetë historia!”
Nëse duhet folur për rëndësinë e këtij libri, atëherë mund të them se ky libër është i një rëndësie të veçantë, sepse në të, nëse i lëmë anash fjalët e politikanëve dhe udhëheqësve të ndryshëm andej e këndej kufijve mes shqiptarësh, (të cilat thjesht janë stereotipa), në vete përmban njoftimin për tubimet komemorative duke filluar nga ai në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ceremoninë e varrimit, fjalët e udhëheqësve shtetërorë nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, të liderit të BDI-së në Sheshin “Skënderbeu” si dhe fjalën lamtumirëse të autorit të librit, në varrezat e dëshmorëve, para trupit të Nderit të Kombit Adem Demaçit – Bacës si dhe njoftimet për tubimet e tjera komemorative e homazhet e mbajtura në Prishtinë, Prizren dhe Tiranë nga institucione të ndryshme të arsimit e të kulturës si dhe fjalët e mbajtura në këto tubime komemorative.
Në libër janë futur edhe shkrime të ndryshme mes të cilëve ai i akademik Rexhep Qosjes, i cili “Mandatin e Adem Demaçit e quan mandat të gjithëkohshëm”, i Sabri Kiçmarit, shkrimi i Blerim Shalës dhe telegrame të shumë personaliteteve të politikës dhe kulturës, si i ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ish-kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqit, Ismail dhe Elena Kadaresë, Azem Sylës, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Edi Ramës, kryeministër i Republikës së Shqipërisë, gjeneralit Kudusi Lama, kryeimamit të Kosovës, Naim Tërnavës, i ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergjit, e telegrame të tjera të shumë personaliteteve të tjerë që me notat më të larta e vlerësojnë këtë figurë madhore të kombit tonë.
Me këtë rast nuk do t’i lë pa i përmend edhe telegramet e dy zonjave që vijnë nga fqinji ynë verior, Serbia, telegramin e zonjës Sonja Biserkos, e cila shkruan: “Adem Demaçi është pa dyshim ndër mbrojtësit më të spikatur të të drejtave të njeriut në Ballkan, me një prej karrierave më të gjata për promovimin e të drejtave të njerëzve, gjë për të cilën u burgos për një kohë tejet të gjatë, plot 28 vjet. I quajtur Mandela i Ballkanit dhe lider ideologjik i shqiptarëve të Kosovës, Demaçi ka qenë mishërim i qëndresës kombëtare të Kosovës”.
Ndërkaq Llatinka Peroviq, ish-politikane serbe, pasi që Bacën Adem e quan legjendë, shkruan: “Adem Demaçi, pas luftës, udhëtoi për në Beograd dhe opinionit publik iu drejtua me këto fjalë: Kam ardhur në Beograd si njeri, e jo si shqiptar, që të bisedoj me njerëz se si t’i tejkalojmë konfliktet dhe të jetojmë në paqe”, me çka pa dyshim se me këtë zonja Peroviç i ka vënë në pah, pa e thënë në mënyrë eksplicite, pos vlerave kombëtare të Adem Demaçit, edhe vlerat e tij universale. Por, më e veçanta e këtij libri qëndron në faktin se në të janë përfshirë përshtypjet dhe vlerësimet e shprehura me pak fjalë e rreshta në Librin e Zisë, apo thënë më mirë në librin e kujtimeve, i cili qëndroi i hapur nga mbledhja komemorative në Kuvendin e Kosovës për disa ditë me radhë.
Përshtypjet dhe vlerësimet që gjenden brenda kopertinave të këtij libri nuk janë thjesht vetëm fjalë, por janë shprehje e ndjenjave dhe respektit për njeriun e sfidave të mëdha, për njeriun që na mësoi ABC-në e dashurisë për atdheun, që na mësoi artin e vetëflijimit dhe artin e rezistencës për liri, fjalë të dala nga shpirti i popullit, pothuajse asnjëherë të thëna në këtë mënyrë e kaq dhimbshëm, por edhe kaq sinqerisht.
Mes emrave të nënshkruar në librin e zisë, janë përplot emra të njohur që edhe më parë kanë pasur mundësinë ta thonë mendimin apo vlerësimin e tyre edhe publikisht, emra miqsh e shokësh, emra bashkëveprimtarësh, por edhe emra të tillë, krejtësisht të panjohur, që edhe më herët, ndonëse do të kishin dashur ta thoshin mendimin e tyre për Bacën Adem, ta jepnin vlerësimin e tyre për Bacën Adem, nuk iu ishte dhënë rasti, as mundësia, e thanë me këtë rast.
Në vlerësimet e tyre, miq, shokë e bashkëveprimtarë, të njohur e të panjohur Adem Demaçin e quajnë mësues, frymëzues, lis në furtunë, të pathyeshëm, hero, legjendë dhe plot epitete të tjera krejtësisht të merituara. Madje patë të tillë që ashtu si i shohim në libër, edhe ju betuan Bacës Adem, se do ta vazhdojnë luftën, të cilën ai me punën dhe angazhimin e qëndresën e vet na kishte mësuar. Naim Ramadani, ndër të tjera, shkruan: “Baca Adem, të betohem se do të punojmë derisa ta bëjmë Shqipërinë etnike!”, bërja e së cilës ishte një gjakim i Adem Demaçit. Një i ri, i quajtur Yll Bajraktari, shkruan: “U rrita me veprën tënde o Baca Adem. Nuk e mendoja kurrë se mund të na lini. Ti ndërrove jetë në ditëlindjen time. Kurrë përjetë i paharruar!” dhe unë tani do të shtoja: Po cili nga ne nuk u rrit me veprën e Adem Demaçit, nuk u rrit me mësimet e tij, me shëmbëlltyrën e tij prej kolosi. Të gjithë u rritem me të, u forcuam me të, nga ai u mësuam të luftojmë për liri.
Dhimbja dhe krenaria për Nderin e Kombit, Adem Demaçin, të shprehura në librin e kujtimeve, janë të pafundme, ashtu siç ishin edhe mësimet, përpjekjet e lufta e tij për çlirim e bashkim kombëtar, prandaj edhe është e vështirë të përmenden një për një në një fjalë promovuese të librit të gjitha, por sikur më duket se nëse disa nga ato shënime nuk i sjell në këtë fjalë, iu hy në hak si Ismail Gjoshit: “Jeta dhe vepra juaj është historia jonë!”, i një tjetri me emrin Isa, i cili thotë: “Për ty dhe atdheun kurrë nuk është mjaft! Ia vlen edhe të vdesësh!”, po ashtu edhe një Marini e Bukurie të cilët në mesin e një dore të vogël të vizatuar shkruajnë: “Të duam Baca Adem! Marini dhe Bukuri”.
Shënimi i veprimtares së vjetër dhe mikes së çmuar të Bacës Adem, Xhemile Deharit, është mjaft prekës. Ajo shkruan: “Baca Adem, nuk do të harrojmë kurrë, se na mësove shumë. Edhe djemtë e mi vdiqën me mësimin tënd. Nuk mund ta harroj edhe daljen tuaj prej burgut, se në atë kohë më lindi Astriti, po edhe ditëlindjen e keni të njëjtë. I lehtë ju qoftë dheu i Kosovës!.
Edhe preshevari Fatmir Arifi, i cili në atdheun e vet është refugjat, shkruan: “Me ty Bacë u rritëm e u burrëruam me idealet e larta, dhe u frymëzuam nga vepra jote. Lavdia të takon ty, Bacë!”
Mund të vazhdohet edhe gjatë me shënimet e librit të kujtimeve për Bacën Adem, por meqë edhe të tjerë do të flasin, unë dua edhe një herë të theksoj se të gjitha shënimet në këtë libër e nxjerrin edhe një herë para nesh gjithë madhështinë e emrit të Nderit të Kombit Adem Demaçit dhe veprës së tij, për çka e ndiej si detyrim ta falënderoj Selatin Novosellën për përgatitjen e këtij libri dhe ardhjen e tij sot këtu, në këtë promovim.
Miq të nderuar, meqë libri hapet me testamentin e Bacës Adem Demaçit, dhe unë fjalën time e nisa po nga ky testament, po e përfundoj me një testament tjetër po të Bacës, të dëgjuar shpeshherë nga ai vetë si mësim e amanet, i cili gjendet në mes të shënimeve të shumta edhe në këtë libër kujtimesh.
Le të jetë përcjellje e amanetit Adem Demaçit te ju dhe te brazat që vijnë: “Bacë, kur njeriu zgjohet nga gjumi, duhet të mendojë se është njeriu më i rëndësishëm në mesin e popullit të tij dhe jo vetëm kaq! Ai duhet të punojë dhe veprojë sikur krejt fati i kombit dhe atdheut varet prej tij e në fund, kur të shkojë në shtrat, t’ia kushtojë pesë minuta kohë të përgjigjet në pyetjen: Çka bëra sot të vlefshme për popullin tim, për atdheun tim!”
(Recension i lexuar në përurimin e librit, në Bern, më 19 janar 2019, organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Zvicër)