Libri shqiptar prezantohet në frymën e Schiller-it në Mannheim të Gjermanisë
Kur tri libra të shkruara nga autorë shqiptarë prezantohen në një qytet të bukur dhe me traditë e trashëgimi të lashtë kulturore dhe arsimore, atëherë edhe veprat që promovohen marrin një vlerësim më të lartë dhe ngjallin emocione të veçanta.
Qyteti Mannheim në Baden-Württemberg të Gjermanisë mburret me të drejtë me Universitetin dhe Teatrin Kombëtar që posedon, të dyja këto institucione të themeluara në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë dhe të njohura në mbarë globin për cilësi të lartë akademike, shkencore dhe kulturore. Shumë profesorë dhe absolventë të këtij universiteti kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë edhe sot ndikim në jetën politike dhe shoqërore në Gjermani e në botë.
Shkrimtari i madh gjerman Friedrich Schiller ishte vetë mysafir në premierën e dramës së tij të parë “Die Räuber” (Grabitësit) në Teatrin Kombëtar në Mannheim në vitin 1782. Kjo kryevepër dramatike ishte shumë e suksesshme dhe nga ajo kohë është pjesë e thesarit të madh kulturor gjerman dhe shfaqet në çdo skenë të botës.
Në këtë qytet dhe në rrethinë jetojnë shumë shqiptarë të mërguar me dekada të tëra. Ata vijnë nga të gjitha trevat tona dhe janë integruar dhe ambientuar shumë mirë në qytetin e ri. Janë të punësuar në fabrikat e shumta të industrisë së rëndë, kanë hapur vetë biznese të pavarura në ndërtimtari, gastronomi e fusha tjera.
Gjeneratat e reja po korrin suksese në shkollim të mesëm profesional dhe të lartë, duke u bërë dita-ditës pjesë e rëndësishme e shoqërisë në të cilën jetojnë. Pa e harruar kurrë origjinën e tyre, ata bëjnë çmos për ta prezantuar kulturën shqiptare si duhet dhe për t’i ndihmuar atdheut të tyre.
Në mesin e tyre bie në sy gazetarja dhe autorja e Televizionit Publik Gjerman ZDF, Arta Ramadani, e cila me punën e saj gazetareske dhe me librat në gjuhën gjermane jep kontributin e saj të madh në ruajtjen dhe zhvillimin e imazhit të mirë shqiptar në Gjermani.
Shoqata shqiptare “Dardania”, e cila u formua mbi 30 vite më parë, është shembull i organizimit të mirëfilltë kulturor e atdhetar të komunitetit shqiptar në Gjermani.
Ajo ftoi më 22 tetor 2022 autorët dhe publicistët Nusret Pllana, Tefik Ramadani dhe Driton Gashi për t‘i prezantuar veprat e tyre të fundit “Vergiss niemals (Mos harro kurrë), “Në gojën e gjarpnit – Kujtime të një ish të burgosuri” dhe “Mit dem Doppeladler im Ruhrpott” (Me shqiponjën me dy krena në rajonin e lumit Ruhr në Gjermani”.
Profesor Nusret Pllana është luftëtar i lirisë, gazetar në Radion Kosova e lirë, ish- i burgosur politik, profesor universiteti dhe aktivist i palodhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ai ka botuar deri tani disa libra shumë të rëndësishme për krimet dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Libri aktual “Mos harro kurrë” është përkthyer në gjuhën gjermane dhe në shumë gjuhë tjera botërore dhe ka për qëllim informimin, sensibilizimin dhe paraqitjen e luftës sonë të drejtë dhe të krimeve ndaj nesh për publikun gjerman. “Edhe kujtesës sonë kolektive një libër i tillë do i bënte mirë, ngase ne nganjëherë e kemi zakon të harrojmë shpejt” – pohon në fjalimin e tij profesori i nderuar Nusret Pllana.
Tefik Ramadani është defektolog, ish-i burgusur politik pas demonstratave të vitit 1981 dhe aktivist i palodhur i çështjes kombëtare. Ai angazhohet me dekada të tëra për integrimin dhe participimin politik të shqiptarëve në Mannheim e më gjerë, duke marrë edhe përgjegjësi organizative në këshillet për integrim të landit Baden-Württemberg.
Të gjitha kujtimet e tij që nga fëmijëria e deri te emigrimi në Gjermani, Tefik Ramadani i ka përmbledhur dhe futur brenda librit “Në gojën e gjarpnit”. Ky libër përmban detaje shumë të rëndësishme, informata për Kosovën e para dhe pas vitit 1981, një kohë, për të cilën ne të tjerët mendojmë se i dijmë të gjitha, por duke e lexuar librin të krijohet përshtypja se sa mirë qenka të rikujtohen ato ngjarje vendimtare për vendin tonë. Të rikujtohen të gjithë ato punë të mëdha kombëtare, ai aktivitet me aq idealizëm, ajo sakrificë, ato vuajtje të shumë njerëzve në Kosovë, pa të cilat nuk do ishim këtu ku jemi sot.
Driton Gashi është pedagog shkolle dhe këshilltar pedagogjik në Gjermani.
Në librin e tij autobiografik-eseistik në gjuhën gjermane “Me shqiponjën me dy krena në rajonin e lumit Ruhr në Gjermani”, ai ka përmbledhur kujtimet dhe përvojat e tij gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit, prej se me familjen e tij ka emigruar nga Kosova në Gjermani.
Emocionet e mërgimit, ambientimi në vendin e ri, përvetësimi i gjuhës gjermane,
ballafaqimi me kulturën e re, vështirësitë, sukseset, malli i madh për vendlindje, të cilën e kanë lënë në një gjendje shumë të palakmueshme dhe të rëndë në vitin 1990, ndihma dhe aktiviteti i tyre në mërgatë për çështjen e Kosovës – janë vetëm disa nga temat, të cilat i shtjellon dhe i reflekton në libër prej 212 faqeve në 28 kapituj.
Paralelisht me përvojat e tij, në anën tjetër e përshkruan në mënyrë më të thjeshtësuar dhe më të kapshme për lexuesin gjerman konfliktin e Kosovës, duke i sqaruar faktet historike dhe duke u fokusuar më shumë në kohën e okupimit serb dhe luftën e viteve të nëntëdhjeta.
Driton Gashi shpreh në librin e tij edhe disa mendime, reflektime kritike dhe ide, që kanë të bëjnë me debatin e integrimit dhe participimin politik e shoqëror të mërgimtarëve në Gjermani.
Një falënderim i posaçëm i përket kryetarit të shoqatës Naser Hoxhaj, aktivistit të palodhur Xhafer Leci, aktivistit Adem Buzoku dhe gjithë anëtarëve tjerë të vyer, të cilët si zakonisht kanë bërë një organizim të shkëlqyer të këtij manifestimi letrar dhe kulturor si dhe ofruan një mikpritje bujare për të gjithë mysafirët.