Liburn Aliu nuk ndryshon qëndrim: Kosova, projekt i përkohshëm deri në bashkimin me Shqipërinë
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka vazhduar t’i qëndrojë mbrapa deklaratës se për të, shteti i pavarur i Kosovës është projekt i përkohshëm.
Aliu në një prononcim për “Klankosova.tv” ka thënë se për të Kosova është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipërinë.
“E konfirmoj që për mua Kosova, në rrethanën në të cilën është, me Kushtetutë e këto gjëra, është projekt i përkohshëm. Është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipëri. Sqarimet më tej i bëjmë bashkë kur të kthehem në Kosovë”, ka thënë Aliu.
Për deklaratën e Aliut, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se është njoftuar nga zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu.
“Më tha që ai ka qenë një emision, le të themi festiv, në ditët e festës së Flamurit dhe Pavarësisë, 28 Nëntorit”, ka thënë Kurti gjatë një vizite në Gjilan.