Liburni e Prishtina 01 premtojnë spektakël në futsall për Pavarësi
Nga ora 17:00 nesër në Prishtinë do të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës në futsall ndërmjet dy ekipeve lidere në Superligë, përkatësisht në Ligën e Parë.
Janë Liburni e Prishtina 01 ato që kanë prerë biletën për finalen e Kupës, pas fitoreve bindëse në gjysmëfinale të Kupës.
Klubi nga Gjakova e mposhti Prishtinën me rezultat prej 8 me 3, derisa klubi nga kryeqyteti i Kosovës e mposhti Vitinë me rezultat prej 7 me 2. Për Liburnin në atë takim kishte shkëlqyer Ramadan Alaj me “hat-trick”, i cili pret një finale të vështirë ndaj Prishtina 01.
“Në finale pritet të kemi një rivalitet të madh ku dihet se skuadra e Prishtina 01 në ekipin e saj ka lojtarë cilësorë dhe janë të motivuar pasi finalja luhet në palestrën e tyre në Prishtinë. Por, besoj që edhe në finale të dalim kokë lartë si në ndeshjen e sotme”, ishte shprehur Alaj për “Koha.net”.
Kurse optimist për finalen është edhe ylli i Prishtina 01, Oso Gjinovci. Ai për “Koha.net” ka deklaruar se pret përkrahje nga tifozët, derisa thekson se ekipi është përgatitur mjaft mirë për finalen e nesërme.
“Na pret një ndeshje e fortë. Jemi të përgatitur, shpresojmë që Kupa të mbetet në kryeqytet. Presim një festë sportive dhe numër sa më të madh shikuesish. Përballemi me një kundërshtar tepër të fortë, me një ekip shumë të komponuar. Por, presim që ta befasojmë Liburnin dhe Kupa të mbetet në duart e FC Prishtina 01”, është shprehur Gjinovci.
Ndeshja zhvillohet nesër nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.