Liburni eliminohet pas asnjë humbje nga Liga e Kampionëve
Në kryeqytetin bjellorus, Minsk, Liburni zhvilloi ndeshjen e tretë dhe të fundit në kuadër të Main Round të UEFA Futsal Champions League, duke barazuar me nikoqirin Stalitska Minsk (1-1).
Liburni tregoi pjekuri dhe lojë të fortë, pavarësisht tempos së shpejtë të lojës së kundërshtarit, duke marrë parasysh edhe mungesat në ekip ditën e sotme.
Golashënues i Liburnit sot ishte Malush Qerimi, ndërsa lojtar i ndeshjes ishte porteri Bajram Ramadani, me pritjet e tij spektakolare gjatë 40 minutave lojë. Liburnit në Grupin 7, i mungoi edhe fati, ku gjatë tri ndeshjeve ka pasur momente të shumta shënimi, por që fatkeqësisht nuk u konkretizuan me gol.
Edhe mungesat dhe lëndimet mund të jenë faktor, si lëndimet e Nexhip Selimit, Ramadan Alaj, mungesat e Zef Prenrecaj dhe Kemajl Gashit, por Liburni prapë nuk u mposht. Liburni përfundoi i treti në tabelë, me 3 pikë, me 9 gola të shënuara dhe 9 të pësuara, 1 pikë më pak se vendi i dytë dhe 4 më pak se fituesi i grupit.
/Epoka e re/