Licencimi i avancuar i mësimdhënësve, sukses i ministrisë apo proces me mangësi?
Provimi i licencimit të avancuar për mësimdhënës, i zhvilluar së fundmi nga Ministria e Arsimit, që për qëllim ka avancimin e performancës së mësimdhënësve, ka hasur në kritika nga ekspertët e arsimit, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, procesi është vlerësuar si një hap pozitiv drejt përmirësimit të arsimit, rezultatet e ulëta dhe organizimi kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me zbatimin e tij.
Rinor Qehaja, drejtori i Institutit “EdGuard”, për Ekonomia Online e cilësoi licencimin si një mekanizëm të dobishëm për nxitjen e performancës dhe konkurrencës ndër mësimdhënës.
“Lincensimi i mësimdhënësve paraqet një modalitet të mirë si reformë të mirë të prezantuar nga Qeveria për zhvillim të vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve. Pra nxit për performacë më të mirë dhe konkurrencë dhe është një mekanizëm të mirëfilltë i një incetive të mirë për mësimdhënësit që dëshirojnë të kenë një rrugëtim brenda profesionit të mësimdhënies”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai theksoi se mungesa e informimit dhe vetëdijësimi i ulët kanë ndikuar në pjesëmarrjen dhe suksesin e kufizuar.
“Lincesa e avancuar për të cilën e kemi këtë numër të vogël në secilin rast ka njw numër të kufizuar të mësimdhënësve, pra të gjithë mësimdhënësit që kanë përvojë më shumë se 10 vite në mësimdhënie kanë mbi 200 orë të trajnimeve dhe ata mësimdhënësve që kalojnë provimin me shkrim. E që në këtë vlerësimin e fundit vetëm një numër një shifror i tyre e ka kaluar, kush është arsyeja pse kaq pak kanë aplikuar është një mos informim i tyre, një vetëdijesim i munguar pasi që vlersoj jo të gjithë mësimdhënësit kanë qenë në dije i se çka është licencimi i avancuar, kanë qenë në dijeni për kritere e aplikimit dhe për përfitimet që i sjellë e njejta”, ka thënë Qehaja për Ekonomia Online.
Argjend Osmani, njohës i çështjeve të arsimit, për Ekonomia Online ngriti shqetësime për mënyrën e organizimit të procesit, duke e cilësuar atë si të ngutshëm dhe jo në përputhje me standardet.
“Ideja e dhënies së lincesave të avancuar është e kamotshme dhe si e tillë ajo e ka rolin dhe rëndësinë e vet në ngritjen e cilësisë në arsim. Ajo që më ra në sy ishte një testim shpejt e shpejtë sa për sy e faqe është bërë në ditët e fundit e kësaj qeverie. Kam dyshimet e mia se nuk është organizuar sipas standardeve dhe kritereve që duhet plotësuar”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Ai shtoi se një proces i mirëfilltë i licencimit do të ndihmonte në përmirësimin e cilësisë në arsim dhe në përdorimin e metodave më efektive të mësimdhënies.
“Kur përmenda që nuk janë plotësuar standardet mendova edhe në përgatitje informimin dhe në çështjen organizative dhe të gjitha këto nga pak secila ka ndikuar që të kemi një rezultat jo të kënaqshëm. Qeveria e ardhshme duhet ta marr seriozisht këtë çështje dhe të punojë seriozisht në mbajtjen e një testimi të mirëfilltë, dhe në organizimin e saj. Nga një testim i mirëfilltë do të mund të krijohej një mjedis më i favorshëm sepse në shumë raste mësimdhënësit e rijnë mendojnë se ato metoda që janë duke i shfrytëzuar janë të mjaftueshme dhe efektive sepse nuk kanë pasur mundësi të shohin metoda të tjera”, ka thënë ai.
Sipas njoftimit të MASHTI-t nga 54 mësimdhënës që i janë nënshtruar provimit për pajisje me licencë të avancuar, vetëm shtatë e kanë kaluar.
Ministrja Arbërie Nagavci këtë e quajti si një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit.
“E lumtur dhe krenare që përmbyllëm me sukses një proces tejet të rëndësishëm që çon në avancimin e performancës së mësimdhënësve në kuadër të reformave për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe përmirësimit të rezultateve në arsim. Për herë të parë javën e kaluar e përmbyllëm me sukses provimin për licensën e avancuar të cilit iu nënshtruan gjithsej 54 kandidatë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm në fushën e arsimit. Qëllimi i sistemit të licencimit është zhvillimi i vazhdueshëm profesional dhe avancimi në karrierë i mësimdhënësve përmes vlerësimit të performancës së tyre”, ka njoftuar ajo.