Licencimi i federatave pritet të mbyllet në muajin mars
Procesi i licencimit të federatave sportive po vazhdon edhe më tutje derisa komisioni vlerësues i themeluar për këtë çështje po vazhdon punën në shqyrtimin e dokumentacioneve të dërguara nga federatat.
Deri më tani janë licencuar 18 federata, ndërsa ka optimizëm që ky proces të përmbyllet gjatë muajit mars.
Kështu ka thënë mbrëmë zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, në një fjalim të saj gjatë ceremonisë së “Laureatëve të vitit 2022”.
“Tashmë veç se jemi në një fazë shumë dinamike të procesit të licencimit. Deri më tani i kemi licencuar 18 federata sportive dhe shumë shpejtë, në bashkëpunim me të gjithë komunitetin, po shpresoj shumë që deri në fund të marsit, ashtu siç ka thënë edhe ministri do të arrijmë që t’i finalizojmë dhe t’i licencojmë të gjitha ato që kanë aplikuar”, ka thënë Osmani.
Optimist se ky proces do të mbylle gjatë muajit të ardhshëm është shprehur edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Ai ka thënë se nga takimet me ministrin Hajrulla Çeku i është thënë se lajme të mira për federatat sa i përket këtij procesi do të ketë në javët në vazhdim.
“Viti i kaluar ishte tejet sfidues edhe sa i përket aspektit të licencimit të federatave sportive, por që besoj se ashtu siç tha ministri në tryezën e fundit muaji mars do të sjellë lajme të mira për të gjitha federatat sportive të cilat gjatë këtij viti do të mendojnë vetëm për sukseset në fushat sportive”, ka thënë Krasniqi.
Kujtojmë se është Federata e Futbollit të Kosovës ajo e cila edhe më tutje nuk është licencuar dhe se ka pasur diskutime të shumta rreth moslicencimit të saj deri më tani.