Licencohen dy federata sportive
Federata e Motoçiklizmit të Kosovës dhe Federata e Triathlonit të Kosovës janë licencuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ministri Kujtim Gashi priti në këtë takim kryetarët e këtyre federatave, Nuhi Llugaxhiu dhe Vedat Tërmkolli me të cilët nënshkroi edhe dy memorandume bashkëpunimi me qëllim të mbështetjes financiare nga ana e MKRS-së me nga 20 mijë euro.
Ministri Kujtim Gashi është shprehur i kënaqur me dhënien e licencave për këto dy federata.
“Ne jemi të përkushtuar që të plotësojmë kushtet e nevojshme për çdo sport që zhvillohet në Kosovë dhe jo vetëm përmes dhënies së licencave për federatat e reja por edhe përmes mbështetjes financiare për këto federata. Kjo bëhet me qëllim të lehtësimit të punës dhe po ashtu edhe motivimit federatave dhe të rinjve për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sportive”, ka thënë ministri Gashi.
Nga ana tjetër, kryetari i Federatës së Motoçiklizmit, Llugaxhiu dhe ai i Triathlonit, Tërmkolli, u shprehën të lumtur me dhënien e licencave dhe për nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit për çka edhe e falënderuan ministrin Gashi. Ata premtuan se do të angazhohen maksimalisht në zhvillimin e këtyre sporteve në vend dhe të talenteve të reja në këto dy sporte.