Liderët baltikë do të kërkojnë më shumë mbrojtje nga Trumpi
Presidentët e tre shteteve të Baltikut pritet të kërkojnë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të bëjë më shumë për të penguar kërcënimin rus kundër tyre.
Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, presidenti i Estonisë, Kersti Kaljulaid, dhe presidenti i Letonisë, Raimonds Vejonis, do të takojnë sot Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.
Ata janë në mesin e kritikëve më të fuqishëm të Rusisë në Bashkimin Evropian dhe po vizitojnë Trumpin në kohën e sinjaleve të përziera për qëllimet e tij ndaj Kremlinit.
Derisa Uashingtoni ka ndërmarrë sanksione të reja kundër individëve rusë, kompanive dhe agjencive ruse të inteligjencës, si dhe ka dëbuar 60 diplomatë rusë në përgjigje të helmimit të dyshuar nga Moska të një ish-agjenti rus në Britani, Trump personalisht ka sugjeruar se do të mbajë një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, raporton “Rel”.
Një zyrtar i lartë i Lituanisë i ka thënë agjencisë “AFP” se tre udhëheqësit baltikë do të kërkojnë nga Trump të dërgojë më shpesh raketa me rreze të gjatë veprimi Patriot për lojëra luftarake në shtetet baltike.
Zyrtari lituanez ka thënë po ashtu se ata duan të bëhen pjesë e mburojës raketore të NATO-s në Evropë.
“Shpresoj se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë do të kuptojnë se hapësira ajrore e shteteve baltike duhet të mbrohet më mirë”, tha presidentja e Lituanisë, Grybauskaite, për transmetuesin publik të vendit të saj LRT përpara vizitës në Uashington.
Shtetet baltike, me një popullsi të kombinuar prej vetëm gjashtë milionë banorësh, janë pushtuar dhe aneksuar nga Moska gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ato janë pavarësuar pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991 dhe i janë bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s më 2004.