Liderët duhet të bashkohen për të ardhmen e vendit

05 qershor 2019 | 15:57

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka ftuar spektrin politik për bashkim.

Ai ka deklaruar se liderët politikë çdoherë duhet të jenë njëzëri kur është në pyetje interesi kombëtar i Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tërnava ka thënë se ndasitë politike nuk duhet të vijnë në shprehje kur flitet për të ardhmen e vendit.

“Shfrytëzoj këtë rast që në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit ta ftoj spektrin politik të Kosovës që kur është në pyetje interesi kombëtar i shtetit tonë të mos kenë ndasi mes vete. Kur është në pyetje çështja e ardhmërisë së Kosovës duhet të gjithë të jenë të bashkuar dhe të flasin me një zë, sepse kështu na thërret vatani dhe gjaku i derdhur i dëshmorëve. Mospajtimet politike nuk guxojnë të reflektohen kur është në pyetje ardhmëria e Kosovës. Pra, i ftoj të gjithë që të kenë njëmendësi në raport me ardhmërinë e vendit”, ka thënë Tërnava.

Ai ka kërkuar nga institucionet që të ndajnë një pjesë të buxhetit për bashkësitë fetare. Sipas Tërnavës, për BIK-un është mjaft sfiduese që t’i sigurojë çdo muaj pagat e 2 000 punëtorëve.

“Edhe një herë apeloj te Qeveria e Kosovës që ta ngrehë këtë çështje në Kuvend dhe më pas Kuvendi të marrë një vendim që bashkësive fetare t’u ndahet buxheti, në mënyrë që nëpunësit e këtyre bashkësive t’i kenë pagat e sigurta dhe jo të na ndodhë siç kemi raste që të shtyhen pagat për tre muaj”, është shprehur Tërnava.

“Epoka e re”: Z. Tërnava, ju tanimë e keni marrë edhe mandatin e katërt për ta udhëhequr Bashkësinë Islame të Kosovës. Cilat janë objektivat e juaja në këtë mandat?
Tërnava: Fillimisht dëshiroj që besimtarëve të besimit islam në Kosovë dhe në diasporë t’ua uroj këtë muaj të shenjtë, duke e lutur Zotin e madhërishëm që t’ua pranojë agjërimin dhe adhurimet e bëra në këtë muaj. Njëherësh dëshiroj t’i falënderoj të gjithë nëpunësit e Bashkësisë Islame të Kosovës për besimin që më kanë dhënë për mandatin e katërt që të jem në krye të BIK-ut. Besimin e tyre e marrë si një përgjegjësi, sepse gjendemi në krye të një institucioni i cili ballafaqohet me sfida të ndryshme dhe i cili do një përkushtim të vazhdueshëm. Mirëpo falë angazhimit të Bashkësisë Islame dhe nëpunësve të saj ia kemi dalë. Objektivat tona në këtë mandat janë që te njerëzit dhe te besimtarët e besimit islam të jemi të pranishëm edhe më shumë, pra të mundohemi që me punën tonë të gjithë njerëzit t’i largojmë nga dukuritë negative, t’i udhëzojmë në rrugë të mirë dhe të mbarë. Po ashtu, jemi të angazhuar që të kontribuojmë për një mirëqenie të përgjithshme në Kosovë dhe për një solidaritet në mes të njerëzve. Gjithashtu, jemi të thirrur që të kontribuojmë për paqe, harmoni, tolerancë dhe për një bashkëjetesë në mes të besimeve që është një traditë e njohur e kombit shqiptar. Objektivi ynë tjetër është ngritja e infrastrukturës së BIK-ut, në veçanti gjatë kësaj vere ta fillojmë edhe ndërtimin e xhamisë qendrore këtu në Prishtinë. Kjo xhami po pritet nga të gjithë besimtarët. Këto ditë do të përfundojë projekti i xhamisë dhe besoj se brenda një kohe relativisht të shkurtër të fillojë ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë. Këto dhe shumë synime të tjera janë në agjendën time si myfti, por edhe të bashkëpunëtorëve të mi dhe nëpunëseve të BIK-ut në tërë Kosovën.

“Epoka e re”: Gjatë muajit të shenjë të Ramazanit edhe kërkesat e besimtarëve janë më të mëdha. Çfarë aktivitetesh ka pasur BIK-u gjatë këtij muaji për t’i ndihmuar besimtarët?
Tërnava: Është e vërtetë se kërkesat e besimtarëve janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. Së pari besimtarët kërkojnë prej neve që me punën tonë, ligjëratat tona dhe praninë tonë të punojmë më shumë për xhemat, që përmes ligjëratave t’ua pastrojmë zemrat dhe mendjet e tyre. Pra, kërkohet nga ne që ata t’i ushqejmë me fjalën e të madhit Zot dhe fjalën e të dërguarit të tij. Kërkesat janë edhe të natyrave të tjera si: prania e imamëve nëpër xhami më shumë se muajve të tjerë, mbajtja e tribunave të natyrave të ndryshime, pastaj ligjërimi i grupit të imamëve të përcaktuar nga kryesia e BIK-ut të cilët kanë dalë në terren ditëve të xhumave, por edhe netëve të Ramazanit. Pastaj, edhe shtrimi i iftareve të përbashkëta ka qenë aktiviteti ynë. Pra, në këtë mënyrë jemi munduar që xhematit tonë t’ia plotësojmë kërkesat. Po ashtu, duke e ditur se muaji i Ramazanit është muaji i solidaritetit dhe sakrificës, duhet t’u dalim në ndihmë edhe atyre që kanë nevojë. E themi me përgjegjësi të plotë se deri tani kur po flas, që është Nata e Kadrit, kemi arritur që t’i ndihmojmë mbi 12 000 familje në Kosovë, duke u ndarë ndihma me pako ushqimore, por edhe ndihma të tjera. Është një numër i madh i këtyre familjeve që përmes Shoqatës ‘Bereqeti’ kanë gjetur përkrahjen e BIK-ut. Me këtë rast, falënderoj bizneset e vendit tonë dhe të gjithë ata që e kanë përkrahur BIK-un në këto aksione humanitare.

“Epoka e re”: Vitin e kaluar keni nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë, ku keni ofruar në dispozicion disa imamë për të ligjëruar nëpër burgjet e Kosovës kundër radikalizmit. Si po shkon zbatimi i kësaj marrëveshje?
Tërnava: Çdoherë bashkëpunimi i institucioneve të shtetit me bashkësitë fetare japin fryte. Mungesa e bashkëpunimit reflektohet dhe është reflektuar edhe te ne. Ka qenë një mungesë e bashkëpunimit në mes të këtyre institucioneve, veçanërisht pas ngjarjeve të ndryshme, pra luftërave të ndryshme në botë. Prandaj, nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka qenë një hap shumë i mirë dhe në kohën e duhur. Kemi arritur që në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë t’i pastrojmë bibliotekat e burgjeve, të cilat kanë qenë në një mas të konsiderueshme me libra që nuk përkojnë me realitetin që jetojmë në Kosovë. Ato janë zëvendësuar me libra që janë botuar nga BIK-u. Pra, literatura jonë është larg çdo indoktrinimi të mundshëm. Deri më tani imamët tanë janë pritur mirë nëpër këto qendra dhe janë duke e dhënë kontributin e tyre. Në këto qendra kemi edhe disa teologe gra që po e japin kontribut të madh.

“Epoka e re”: E përmendet që BIK-u çdoherë ka qenë i gatshëm për bashkëpunim me institucionet e shtetit, por sa e ka ndihmuar shteti BIK-un? Ju vazhdimisht keni adresuar kërkesa në drejtim të institucioneve?
Tërnava: BIK-u me tërë nëpunësit e vet çdoherë ka qenë në shërbim të Kosovës. Ka qenë në shërbim të çlirimit të vendit, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim, si dhe ka kontribuar drejtpërdrejt në bërjen e shtetit të Kosovës, duke e pasur parasysh Kushtetutën që ka Kosova e cila republikën tonë e përcakton si shtet sekular. Megjithatë, e them se bashkëpunimi me institucionet e vendit është i mirë. Politika asnjëherë nuk është përzier në punët e brendshme të BIK-ut. Këtë e kemi vlerësuar gjithë dhe e vlerësojmë në vazhdimësi. BIK-u është institucion i pavarur dhe jetën e saj e organizon në bazë të Kushtetutës së vendit dhe në Kushtetutën e vet brendapërbrenda BIK-ut. Dihet se ne jemi institucion që i kemi mbi 2 000 punëtorë, që hasim edhe në vështirësi të natyrave të ndryshme. Mendoj se është një e drejtë e madhe e BIK-ut që të kërkojë nga buxheti i shtetit që të ndahet një buxhet vjetor për pagat e nëpunësve të BIK-ut dhe bashkësive të tjera fetare, sepse edhe ne jemi qytetarë të këtij shteti dhe taksapagues të këtij vendi. Prandaj, të sigurosh 2 000 paga brenda një muaji nga ndihmat e vullnetit të popullit nuk është lehtë, sepse në këtë drejtim duhet të harxhohet një energji shumë e madhe. Kur dihet se Kosova ekonomikisht nuk qëndron mirë, kjo bëhet edhe më problematike. Edhe një herë apeloj te Qeveria e Kosovës që ta ngrehë këtë çështje në Kuvend dhe më pas Kuvendi të marrë një vendim që bashkësive fetare t’u ndahet buxheti në mënyrë që nëpunësit e këtyre bashkësive t’i kenë pagat e sigurta dhe jo të na ndodhë siç kemi raste që të shtyhen pagat për tre deri në muaj.

“Epoka e re”: Ju këtë kërkesë e keni adresuar disa herë. A keni marrë përgjigje?
Tërnava: Përgjigjja që kemi marrë është se bashkësitë fetare nuk financohen nga buxheti i shtetit. Unë çdoherë kam kërkuar që në këtë drejtim të respektohen standardet evropiane, sepse edhe ne jemi pjesë e Evropës. Për shembull, në shumë shtete të Evropës financohet feja. Në Gjermani qytetarëve nga paga vjetore u ndalet një pjesë e të ardhurave të tyre të cilat shkojnë për kishën. Do të ishte mirë që edhe te ne këto gjëra të rregullohen në këtë mënyrë. Po ashtu, tash e 20 vjet ende nuk është rregulluar statusi juridik i bashkësive fetare. Është punuar në këtë drejtim dhe besoj se në të ardhmen e afërt edhe kjo duhet të kalojë në Kuvend në mënyrë që edhe bashkësitë fetare ta kenë statusin e tyre juridik.

“Epoka e re”: Kosova po kalon nëpër disa sfida jo të lehta, derisa spektri politik nuk është shumë unik. Si i pari i myslimanëve të Kosovës, çfarë do t’ju rekomandoni liderëve politikë?
Tërnava: Është e vërtetë se Kosova edhe 20 vjet pas luftës po kalon nëpër sfida të shumta. Pavarësisht prej këtyre sfidave, vendi ka ecur përpara në fusha të ndryshme, mirëpo sigurisht se kemi edhe ngecje të natyrave të ndryshme. Shfrytëzoj këtë rast që në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit të ftoj spektrin politik të Kosovës qëkur është në pyetje interesi kombëtar i shtetit tonë të mos kenë ndasi mes vete. Kur është në pyetje çështja e ardhmërisë së Kosovës duhet të gjithë të jenë të bashkuar dhe të flasin me një zë, sepse kështu na thërret vatani dhe gjaku i derdhur i dëshmorëve. Mospajtimet politike nuk bën të reflektohen kur është në pyetje ardhmëria e Kosovës. Pra, i ftoj të gjithë që të kenë njëmendësi në raport me ardhmërinë e vendit.

“Epoka e re”: Meqenëse jemi në prag të festës së Fitër Bajramit, cili është mesazhi juaj për besimtarët myslimanë?
Tërnava: Mesazhi im është ai që vjen nga vetë muaji i shenjtë i Ramazanit. Kur kemi parasysh që në këtë muaj i madhi Zot zbriti Kuranin, librin udhërrëfyes për mbarë njerëzimin dhe vetë mesazhi i Ramazanit është që njerëzit në vazhdimësi të jenë në përkushtim ndaj krijuesit, të jenë në adhurim të vazhdueshëm ndaj tij dhe të jenë solidarë ndaj njëri-tjetrit. Të gjithë bashkërisht të japin kontribut që të ndërpriten gjakderdhjet anekënd botës, sepse feja islame është kundër luftërave dhe kundër gjakderdhjeve. Kështu që, duke uruar për këtë festë të Fitër Bajramit, dëshiroj që në familjet tona të ketë shëndet, mirëqenie të përgjithshëm dhe ta presim ditën e Bajramit ashtu siç i ka hije, duke e uruar njëri-tjetrin dhe duke ia zgjatur dorën e pajtimit njëri-tjetrit. Të gjithë besimtarëve, urime festa e Fitër Bajramit!

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani e vlerëson si shumë të…