Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë marrëveshje të reja në Berlin
14 tetor 2024
| 15:27
Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.
Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti është mbajtur të hënën në Berlin.
Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.
Scholz ka thënë se marrëveshjet e reja “do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë”.
E para është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili është miratuar nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.