Liderët e Kosovës të ndarë rreth pezullimit të taksës
Autoritetet e Kosovës kanë miratuar parimet bazë të platformës për bisedimet me Serbinë, por nuk kanë dhënë një vizion të qartë se si do të veprohet me masën mbi taksën doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, pa pezullimin e së cilës, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë që dialogu nuk mund të vazhdojë.
Platforma për bisedime, e hartuar nga ekipi negociator dhe e prezantuar edhe para presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, do t’i dorëzohet për miratim Kuvendit të Kosovës.
Por, pavarësisht miratimit ose jo të këtij dokumenti, mbetet e paqartë çështja e vazhdimit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të tarifës doganore 100 për qind që Kosova e ka vendosur ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë propozuar që Kosova të pezullojë taksën, siç kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në mënyrë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të vazhdojë.
Ishte përfolur si mundësi, që bashkë me platformën të përfshihet edhe një aneks, sipas të cilit, Qeveria do të pezullonte përkohësisht taksën për t’i dhënë shans dialogut.
Megjithatë, këtë mundësi e ka kundërshtuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vazhdon t’i mbetet besnik taksës, pavarësisht thirrjeve nga Uashingtoni dhe Brukseli. /Rel/
Linku i shkrimit të plotë: https://www.evropaelire.org/a/lideret-e-kosoves-te-ndare-rreth-epzullimit-te-takses/29770253.html.