Liderët evropianë pritet të mbajnë takim urgjent për Ukrainën

16 shkurt 2025 | 11:36

Liderët evropianë pritet të mblidhen në Paris javën e ardhshme për një takim urgjent për luftën në Ukrainë, pasi rritjes së shqetësimeve se Shtetet e Bashkuara do ta lënë kontinentin jashtë tryezës së bisedimeve për paqe me Rusinë.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer – i cili pritet të marrë pjesë në takimin e Parisit – tha se “ky është një moment i rrallë në historinë e sigurisë sonë” dhe se tanimë është e qartë se Evropa duhet të ketë rol më të madh në NATO, raporton BBC.

Një zëdhënës i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, tha për agjencinë e lajmeve AFP se janë “duke u zhvilluar bisedime për një takim të mundshëm joformal”, raporton Rel.

Ky takim pritet të mbahet pasi i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën dhe Rusinë, tha se liderët evropianë do të konsultohen por nuk do të marrin pjesë në bisedimet mes SHBA-së dhe Rusisë për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Trump do ta dërgojë një ekip zyrtarësh së lartë amerikanë në Arabinë Saudite, për t’i filluar bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën, thanë zyrtarët amerikanë për media të ndryshme të shtunën.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë – përfshirë sekretarin e Shtetit Marco Rubio, këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Mike Waltz, dhe negociatori për Lindjen e Mesme Steve Witkoff – do të takohen me negociatorët rusë në ditët në vazhdim në Arabinë Saudite.

Një zyrtar ukrainas i tha Politicos se kjo e ka zënë në befasi Kievin dhe se deri më tani nuk ka plane për të dërguar një delegacion në Arabinë Saudite.

Ndërkohë, në Konferencën e Sigurisë në Munih, shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha të shtunën se Evropa duhet të bëjë “propozime të mira” për garantimin e paqes në Ukrainë, nëse dëshiron të përfshihet në bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja.

Rutte tha se do të udhëtojë për në Paris të hënën për të marrë pjesë në takimin e liderëve evropianë, i organizuar nga presidenti francez Macron.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe liderët e BE-së, kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimit të bisedimeve pa përfshirjen e negociatorëve të tyre.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, bëri thirrje kundër një “zgjidhjeje të shpejtë” dhe një “marrëveshjeje të pistë” për përfundimin e konfliktit, duke këmbëngulur se asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të zbatohet pa përfshirjen e Evropës dhe Ukrainës.

Duke iu drejtuar konferencës së Munihut, Zelensky u bëri thirrje vendeve të Evropës për themelimin e një ushtrie të përbashkët, në rast të tërheqjes së mundshme të Shteteve të Bashkuara dhe përballë kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia.

“Ka ardhur koha, Forcat e Armatosura të Evropës duhet të krijohen”, tha ai.

“Nëse amerikanët vendosin të largohen, ta kufizojnë praninë e tyre, nuk është gjë e mirë, natyrisht, është e rrezikshme”, tha Zelensky.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Drenas po vazhdon procesi…