Liderët kërkojnë vota nga të rinjtë
Ndonëse pritjet ishin se mund të ndodhë ndonjë koalicion parazgjedhor i madh në minutat e fundit të së premtes, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK-ja) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LV-ja), pavarësisht se ishin afër arritjes së një koalicioni, vendosen të shkojnë veçmas në zgjedhjet e 6 tetorit, ashtu sikurse Partia Demokratike e Kosovës (PDK-ja).
Pas mbarimit të afateve për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ-ja) ka treguar se në këto zgjedhje do të garojnë katër koalicione: Koalicioni AAK-PSD, koalicioni Nisma-AKR-PD, koalicioni Vatak, i përbërë nga tri parti (Partia Demokratike Boshnjake, Partia Demokratike Vatan dhe Partia e Bashkuar Boshnjake), si dhe koalicioni i quajtur Sloboda (Liria), i cili përbëhet nga Partia Përparimtare e Kosovës dhe Partia e Re e Kosovës.
Liderët politikë të cilët do të jenë kandidatë për kryeministër kanë vazhduar aktivitetet e tyre edhe pas regjistrimit të subjekteve politike, duke u shprehur të bindur në fitoren e tyre më 6 tetor.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, ka deklaruar të dielën se ka shumë besim te të rinjtë, duke shtuar se vetëm me të rinjtë e pakomprometuar lufta për sundimin e ligjit fitohet shumë më shpejt. “Para disa ditësh e vizitova Akademinë për Siguri Publike, që si institucion shtetëror po na bënë shumë krenarë. E përgëzova stafin akademik dhe administrativ të saj për punën e shkëlqyer që po bëjnë në përgatitjen e policëve të rinj dhe i falënderova kadetët që kanë zgjedhur profesionin fisnik të policit. Me të rinj të tillë, plot energji, të kualifikuar, të pakomprometuar dhe në nivel të lartë të detyrës dhe përgjegjësisë, lufta për sundimin e ligjit fitohet shumë më shpejt”, ka shkruar Veseli në profilin e vet në “Facebook”.
Ai ka vlerësuar se vetëm duke u dhënë hapësirë të rinjve do të krijohet një perspektivë e sigurt për vendin. “Unë besoj te rinia e Kosovës dhe jam i sigurt se duke u dhënë më shumë hapësirë atyre, ne do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin. Obligimi im është të krijoj kushte pune dhe mbështetje sa më të madhe për këta policë të rinj, që të jenë sa më efikas dhe të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka vlerësuar Veseli.
Kurse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, teksa ka pranuar një grup profesionistësh të rinj në subjektin e tij politik, ka thënë se vetëm me të rinj bëhet ndryshimi në Kosovë. “Një grup profesionistësh të rinj nga Skenderaj, të cilët vijnë nga rrugë të ndryshme të jetës brenda dhe jashtë Kosovës, u anëtarësuan në Lëvizje. Të rinjtë prijnë për ndryshimin. Gjithandej Kosovës, edhe në Skenderaj dhe Drenicë. Ne i zëmë besë drejtësisë dhe u besojmë të rinjve të Kosovës. Na duhet ndryshimi sepse të rinjtë na duhen këtu, që bashkë ta zhvillojmë Kosovën”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Derisa kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka takuar kryetarët e komunave që qeverisen nga AAK-ja, duke thënë se vetëm me qeverisjen e tij Dukagjini është rikthyer në hartën e investimeve të mëdha. “Me kryetarët e Aleancës nga Gjakova, Peja, Klina, Deçani dhe Juniku, të mobilizuar për fitore në zgjedhjet që i kemi përpara. Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes vepruese, Dukagjini është rikthyer në hartën e investimeve të mëdha. Mbështetja e fuqishme për projektin 100 për qind shtet është garanci për qëndrueshmëri dhe zhvillim dinamik të tërë Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në profilin e vet në “Facebook”.
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, të dielën ka qëndruar në qytetin e Prizrenit, me ç’rast u është drejtuar qytetarëve me një fjalim rasti. “Ne sot kemi një betejë mes ikjes dhe qëndrimit. Mes ikjes dhe qëndrimit ne kemi zgjedhur qëndrimin dhe e kemi zgjedhur përballjen”, ka thënë Osmani. Ajo ka folur edhe për problemin e largimit të të rinjve nga vendi. “Rinia ka mendjen e largimit nga Kosova. E ne duam që të rinjtë pasaportën mos ta kenë dokument për ikje, por ta kenë stemë të krenarisë, të mburren me shtetin e tyre”, ka thënë Osmani, duke shtuar se i ka hyrë garës me mesazhin kryesor që “shtetin e kapur nga partitë në pushtet, t’ua kthejë qytetarëve”.
Kandidati për kryeministër i koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka thënë se po ndodh mobilizim i jashtëzakonshëm i strukturave drejtuese të rinisë së Nismës Socialdemokrate. “Djem dhe vajza të reja të mobilizuar si asnjëherë më parë për t’i sjellë një rezultat të madh Nismës në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Rinia e Nismës është promotore e zhvillimit dhe forcimit të partisë sonë. Nisma ka dëshmuar se është partia që promovon dhe ua jep hapësirën më të madhe të rinjve dhe këtë praktikë do ta ndjekim edhe më tutje”, ka thënë Limaj.
KQZ-ja ka njoftuar se afati për aplikim për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për zgjedhjet e parakohshme parlamentare përfundon të premten, më 6 shtator.
Zgjedhjet e 6 tetorit vijnë pasi Ramush Haradinaj më 19 korrik dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pasi u thirr në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte nga Prokuroria Speciale në Hagë.
Muhamet KOCI