​Liderët opozitarë urojnë festën e Fitër Bajramit, Krasniqi përmend edhe ish liderët e UÇK-së në Hagë

10 prill 2024 | 11:29

Liderët opozitarë kanë uruar qytetarët e Kosovës për festën e Fitër Bajramit, gjersa kanë thënë se solidariteti dhe mirësia ndaj njërit-tjetrit e çojnë vendin përpara.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, por njëkohësisht ka uruar edhe liderët e UÇK-së, që ende po mbahen në Hagë.

“E përgëzova dhe urova myftiun për punën e jashtëzakonshëm që Bashkësia Islame ka bërë edhe ndihmën ndaj nevojtarëve, ndaj familjeve skamnore, ndaj gjithë atyre që kanë nevojë se këto festa marrin edhe një dimension më të rëndësishëm, dhe po ashtu ne shfrytëzojmë rastin t’ia urojmë të gjithë atyre që kanë agjëruar muajin e Ramazanit, përfundimin me sukses të këtij muaji me urimin që krejt ato adhurime dhe ky agjërim t’iu jetë pranuar dhe t’iu shpërblehet.

“Po ashtu, nga këtu dëshiroj në mënyrë të veçantë të urojë edhe miqve tonë, bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, liderëve të UÇK-së, që ende po mbahen në Hagë, Hashin Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, duke uruar që sa më parë festat e ardhshme, të Bajramave të tjerë t’i presin bashkërisht me familjet e tyre dhe me popullin e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Për festën e Fitër Bajramit, qytetarët i ka uruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai në një postim në “Facebook” uron qytetarët për shëndet e begati.

“Le të shpresojmë që lutjet, veprat e mira e sakrifica gjatë muajit të Ramazanit të jenë pranuar nga Krijuesi; e le të punojmë që vlerat e mësuara gjatë muajit të shenjtë e vet festës së Bajramit, të jenë vlera të përditshmërisë sonë. Që sakrifica, solidariteti e kujdesi ndaj njëri-tjetrit, të na shoqërojnë në secilën sjellje tonën. Që lidhjet me familjen, miqtë e gjithë atdheun, të na drejtojnë si synim i ecjes sonë të përditshme”, shkruan Abdixhiku.

Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar besimtarët myslimanë dhe ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës.

“Solidariteti dhe mirësia ndaj njëri tjetrit, e çon vendin përpara. Kjo vlerë e jona e ruajtur prej shekujsh, duhet të ruhet dhe në këtë ditë feste të Fitër Bajramit. Ky është urimi që ndava bashkë me kolegët, në vizitën që i bëmë Bashkësisë Islame të Kosovës, ku u pritëm nga kryetari Naim Tërnava me bashkëpunëtorë.

Të gjithë̈ qytetarëve dhe bashkëkombësve shqiptarë të besimit islam, urime festa e Fitër Bajramit. Uroj që t’u shpërblehet sakrifica që kanë bërë për njëri tjetrin dhe për njerëzit në nevojë”, është shprehur Haradinaj.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka uruar festën e Fitër…