Liderët perëndimorë kundërshtojnë idenë për rikthimin e Rusisë në G7
Fuqitë perëndimore kanë hedhur poshtë sugjerimin e presidentit amerikan, Donald Trump për ta ftuar Rusinë sërish në grupin e shtatë vendeve më të industrializuara (G7), teksa kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë derisa të ndodhë “progres” në zgjidhjen e konfliktit në lindje të Ukrainës.
Shtetet e Bashkimit Evropian, që janë katër nga shtatë anëtarët e këtij grupi, para samitit “janë pajtuar se kthimi i Rusisë në samitet e G7-ës nuk mund të ndodhë derisa nuk shënohet progres substancial në lidhje me problemet në Ukrainë”, tha Merkel në nisjen e samitit, që po mbahet në Quebec të Kanadasë.
Rusia ishte përjashtuar nga ky grup katër vjet më parë, pas aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë.
Përderisa Merkel tha se në Evropë ka “pikëpamje të përbashkët” për këtë çështje, kryeministri i ri italian, Guiseppe Conte bëri thirrje për kthimin në “tavolinën e bisedimeve” të Rusisë.
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau po ashtu ka reaguar pas sugjerimit të Trumpit.
“Rusia e ka bërë të qartë se nuk ka interesim që të sillet në bazë të rregullave të demokracive perëndimore”, tha ministrja e Jashtme kanadeze, Chrystia Freeland.
“Nuk ka bazë, që me këto veprime të Rusisë, ajo të rikthehet në G7”, tha tutje ajo.
Para nisjes së samitit treditor të G7-ës, Trump deklaroi se “duhet ta lejojë Rusinë të kthehet në këtë grup elitar”.
“Ne takohemi pa Rusinë. Ata duhet ta lejojnë Rusinë, sepse duhet ta kemi atë në tryezën negociuese”, është shprehur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.