“Liderët” shqiptarë dhe tri gjërat e “mëdha” të tyre
Nga Jakup Krasniqi
Gjatë tridhjetë viteve të fundit, në Shqipëri e Kosovë, “liderët” e kombit, që duhej të ishin elita e kombit, kanë qenë të suksesshëm në tri fusha të jetës “politike” e historike.
Fillimisht e kushtimisht po them se kanë qenë shumë të suksesshëm:
- Për të hedhur gur e dru mbi çdo të arritur të shekullit XX në një anë dhe rehabilitimin e tradhtisë në anën tjetër. Asgjëja vlerësohet, vlera e vepra shqelmohet!
- Për t’i sharë, fyer e degraduar sa më shumë të gjithë kundërshtarët politikë dhe ofruar pranë vetes servilë e puthadorë të çdo natyre.
- Kanë qenë e janë shumë të suksesshëm që për interesa personale të rrënojnë të tashmen e të ardhmen e kombit e vendit të vet. Çdo gjë publike e kombëtare e trajtojnë si ta kishin krejt personale!
Që të gjithë kryeministrat shqiptarë (në Shqipëri e Kosovë), kur i kanë marrë frerët e sundimit (jo të qeverisjes), gjëja e parë e mbase e vetme ka qenë angazhimi i tyre sesi t’ia bëjnë për t’i mashtruar qytetarët në zgjedhjet e ardhshme?! Pastaj, nuk janë kujdesur për zhvillimin e vendit e as për investime aty ku është interesi i kombit, por aty ku fitohet më lehtë, aty ku u krijohet përparësia për zgjedhjet e ardhshme.
Edhe çakordimet, mes krerëve të shteteve shqiptare, si në politikat e brendshme ashtu edhe në ato të jashtme, janë bërë në shërbim të “patriotizmit” zgjedhor, “patriotizmit” për vota. Kjo u vërejt shumë, edhe pas takimit të Berlinit!
Prandaj spiralja e përfaqësimit dhe e qeverisjes vazhdon të bie! Kush nuk beson, le t’i shikojnë: përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës, në Asambletë Komunale dhe në qeverisjen qendrore e lokale! Le të shikojnë sesi u përfaqësuan nder vite.
Këto çakordime politike të brendshme e të jashtme po i dëmtojnë politikat zhvillimore të vendeve tona dhe politikat integruese euro-perëndimore, sidomos në dobësimin e dialogut me Serbinë e cila edhe pse nuk është distancuar nga krimi e gjenocidi, ka krijuar një përparësi në krahasim me Kosovën.
Ndoshta, qeverisjet tona (Shqipëri e Kosovë) ende nuk kanë shkuar në fund të pusit, për të filluar ngritja e përgjegjësisë qeverisëse?!
Shteteve (vendeve) tona ju duhet ngritja, por si dhe kush duhet ta bëjë?! Kjo është çështja! A mund të bëhet ngritja pa dije e dashuri ndaj kombit e vendit?
Apo përfaqësuesit tanë ne institucione ende nuk jemi të pjekur për sistemin e vlerave demokratike?!