Lideri i AAK-së ka dy kërkesa për Qeverinë Kurti
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që ta shtyjë afatin e mundësisë së marrëveshjeve për bizneset si masë e programit të rimëkëmbjes ekonomike deri në fund të vitit 2021 si dhe të zgjatet periudha e marrëveshjeve për shlyerje të detyrimeve.
“Pandemia e ka vështirësuar afarizmin dhe ia ka pamundësuar pagesën e tatimeve shumë bizneseve, prandaj kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që: afatin i cili përfundon më 30 qershor, të përcaktuar me vendim të Qeverisë, si masë e programit të rimëkëmbjes ekonomike, ta shtynë deri në fund të vitit 2021, dhe të zgjatet periudha e marrëveshjeve për shlyerje të detyrimeve”.
“Meqenëse Ligji për rimëkëmbjen ekonomike ka vonuar të miratohet nga Kuvendi i Kosovës, afatet për faljen e ndëshkimeve të bizneseve janë të kufizuara dhe si pasojë nuk kanë mundur të përfitojnë nga kjo masë, edhe ashtu e pamjaftueshme”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.