Lideri i Bjellorusisë dyshohet se është shtruar në spital
Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, nuk ka marrë pjesë në ngjarjet për të shënuar Ditën e Flamurit, Stemës dhe Himnit Kombëtar të Bjellorusisë, më 14 maj, derisa janë duke qarkulluar thashetheme se ai është në gjendje të keqe shëndetësore.
Kryeministri bjellorus, Raman Halouchanka, ka lexuar një fjalim në emër të Lukashenkës.
Gjatë tri javëve të fundit janë organizuar disa ngjarje publike, në të cilat Lukashenka ka munguar. Megjithatë, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për gjendjen shëndetësore të 68-vjeçarit. Më 13 maj, një raport i paverifikuar pretendonte se ai ishte dërguar në një spital në Minsk.
Lukashenka ka marrë pjesë në festimet e Ditës së Fitores së 9 majit në Moskë, ku nuk dukej mirë dhe dora e tij e djathtë ishte mbuluar me një fashë.
Një anëtar rus i Dumës së Shtetit është cituar nga mediet ruse më 14 maj të ketë thënë se Lukashenka ishte i sëmurë, por nuk është asgjë e pazakontë dhe se nuk është Covid-19.
“Pavarësisht se u sëmur, ai vendosi të vinte në Moskë, dhe më pas në mbrëmjen e së njëjtës ditë mori pjesë në një ngjarje në Minsk. Ai ndoshta ka nevojë për pak pushim, kjo është e gjitha”, ka thënë zyrtari rus, Konstantin Zatulin.
Ai ka thënë se e di se nga çfarë vuan Lukashenka, por nuk ka treguar diagnozën.
Shërbimi për shtyp i Lukashenkës nuk ka komentuar në mënyrë specifike për ndonjë sëmundje, por ka thënë se ai vazhdon të punojë “me dokumente”.
Raportet e lajmeve në mbrëmjen e 13 majit kanë thënë se Lukashenka ka mbërritur në Qendrën Mjekësore Klinike Republikane në Minsk. Rrugët për në spital janë bllokuar, ndërsa autokolona e tij po afrohej dhe forcat e sigurisë qëndruan përgjatë rrugës.
Lukashenka është në pushtet që nga viti 1994.
Komisioni zgjedhor i vendit e ka shpallur atë fitues të zgjedhjeve të vitit 2020, por rezultatet ishin kundërshtuar më shumë që besonin se procesi ishte manipuluar dhe se fituesja e vërtetë e zgjedhjeve ishte politikania e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya.
Regjimi i Lukashenkës ka shtypur brutalisht protestat masive kundër rezultatit në muajt që pasuan, duke burgosur figura të opozitës dhe duke i shtyrë të tjerët në mërgim.
Udhëheqësi autoritar më pas mbështeti presidentin rus, Vladimir Putin, në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke lejuar forcat ruse të përdorin territorin bjellorus si një terren për ndërhyrjen e Rusisë. /REL