Lideri i LDK-së përkrah aksionin e policisë në veri
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka përshendetur aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në komunat veriore dhe në çdo komunë tjetër, që synim ka pasur luftimin e krimit të organizuar.
“Duhet të përshëndetet çdo aksion dhe veprim ligjor e legjitim i organeve të drejtësisë së Kosovës në tërë territorin e Republikës. Krimi i organizuar nuk njeh etni, ashtu siç nuk duhet të njoh as ligji.
Të gjithë ata, shqiptarë, serbë, boshnjakë etj, zyrtarë e jo zyrtarë duhet të përgjigjen në mënyrë të barabartë para ligjit për veprimet e dëmshme që po ia shkaktojnë vendit. Drejtësia nuk guxon të jetë selektive si në rastin e fajdeve”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësojë askënd dhe as Serbinë, nëse ata nuk janë të involvuar në këto veprime kriminale.
/Epoka e re/