Lideri i LDK-së përkujton Fadil Feratin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa e ka përkujtuar nënkryetarin e LDK-së Fadil Feratin, me rastin e 9-vjetorit të vdekjes së tij.
Ai ka thënë se Fadil Ferati ka qenë një intelektual i jashtëzakonshëm, kishte vizion dhe ishte i përkushtuar për të ndërtuar Komunën e Istogut.
“Ai po ashtu dha kontribut të veçantë për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Kosovës dhe ishte një prej shtyllave më të forta të LDK-së dhe Kosovës. Në të gjitha zgjedhjet dëshmoi se ishte lidhur ngushtë me qytetarin e Istogut prandaj do të kujtohet si kryetari shumëvjeçar i Komunës së Istogut”, është shprehur Mustafa.
Ai ka thënë se me sjelljen shembullore, guximin, përkushtimin dhe punën e tij Ferati ka bërë që çdo qytetar ta respektojë dhe të ketë autoritet të çdo njëri prej tyre.
“Fadil Ferati do të përkujtohet çdoherë nga çdo qytetar për virtytet e tij dhe gjeneratat do të mësojnë në histori për punën e madhe në lëvizjen për liri, pavarësi dhe demokraci në Kosovë. Po ashtu, Fadil Ferati mbetet model i një lideri popullor dhe atdhetari të përkushtuar i cili nuk do të harrohet kurrë”, ka deklaruar Mustafa.
/Epoka e re/