Lideri i opozitës në Venezuelë kërkon azil në Spanjë
08 shtator 2024
| 08:18
Qeveria e Venezuelës ka thënë se kandidati presidencial i opozitës, Edmundo González, është larguar nga vendi, duke kërkuar azil në Spanjë.
Gonzalez ka qenë i fshehur dhe një urdhër arresti u lëshua pasi opozita kundërshtoi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të korrikut – në të cilat Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) i kontrolluar nga qeveria shpalli fitues Nicolas Maduro.
“Pasi u strehua vullnetarisht në ambasadën spanjolle në Karakas disa ditë më parë, (Gonzalez Urrutia) i kërkoi qeverisë spanjolle azil politik”, tha në mediat sociale zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez. Ajo shtoi se Karakasi kishte rënë dakord për kalimin e tij të sigurt dhe se ai ishte larguar.
Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, José Manuel Albares tha se González ishte nisur nga vendi me kërkesën e tij dhe me një aeroplan të Forcave Ajrore Spanjolle.
Ai shtoi se qeveria e Spanjës është e përkushtuar ndaj të drejtave politike të të gjithë venezuelianëve.
Venezuela ka qenë në një krizë politike që kur autoritetet shpallën presidentin Maduro fitues të zgjedhjeve të 28 korrikut.
Një numër vendesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe disa vende të Amerikës Latine, kanë refuzuar të njohin presidentin Maduro si fitues pa publikuar të dhënat e detajuara të votimit nga Karakasi.
Përpara se të largohej nga vendi, González ishte fshehur për një muaj, duke injoruar tre thirrje të njëpasnjëshme për t’u paraqitur para prokurorëve. Dhuna paszgjedhore në Venezuelë ka marrë 27 jetë dhe ka lënë 192 të plagosur, ndërsa qeveria thotë se ka arrestuar rreth 2,400 njerëz, shkruan BBC.