Lideri i PDK-së: Kosova është me fat që pati një mbrojtëse e mike të tillë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se me pikëllim të madh ka marrë lajmin për vdekjen e mikes së madhe të shtetit të Kosovës, ish-sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright.
“Zonja Albright ishte një personalitet i papërsëritshëm, simbol i diplomacisë amerikane në botë dhe i humanitetit e i lirisë për shqiptarët. Ajo do të mbetet përherë e dashur në zemrën e secilit qytetar të Kosovës, për rolin e saj vendimtar në ndalimin e gjenocidit serb në vendin tonë. Ajo ishte e lidhur fort nga dashuria për Kosovën dhe këtë më së miri e tregon thënia e saj: ‘Kosova më bën krenare më së shumti në gjithë karrierën time’”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se Kosova është me fat që pati një mbrojtëse e mike të tillë.
“Unë dhe Partia Demokratike e Kosovës bashkëndjejmë me dhembjen e popullit amerikan dhe të familjes së saj. Nderimet më të larta e të përjetshme për jetën dhe veprën e Madeleine Albright”, ka shkruar Krasniqi.