Lideri i PDK-së: Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, testament i sakrificave për liri
Ndryshe nga liderët institucionalë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka përmendur ish-krerët e UÇK-së, të cilët gjenden në paraburgim në Hagë.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila është mbajtur për nder të Ditës së Çlirimit, ai ka thënë se lufta për liri e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi nuk është ndalur kurrë.
Ai ka vlerësuar se beteja e tyre për liri po vazhdon edhe sot.
“Këto 25 vite na kanë mësuar se liria nuk është kurrë e garantuar dhe nuk mund të merret si e mirëqenë. Për të duhet luftuar dhe atë duhet mbrojtur çdo ditë. Për të duhet punuar ndershëm e me zell, që ta ua kalojmë brezave pasus si trashëgimi. E kush e di këtë gjë më mirë se ne këtu, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe shokët e tyre në Hagë që kanë thuajse katër dekada që luftojmë për liri dhe mbrojtjen e saj. Që nga protestat studentore e popullore në vitet e 80-ta, në celulat e para të krijimit të UÇK-së në fillim viteve 90-ta, lufte e tyre çlirimtare në fund të viteve 90-ta, në përpjekjet e jashtëzakonshme për pavarësi në dekadën e parë të këtij mijëvjeçari”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshëm që kërkon liria dhe shteti.
Krasniqi është shprehur i bindur në pafajësinë e tyre.
“Lufta e tyre nuk u ndalë kurrë. Sot jemi në vitin 2024 tashmë ata janë burra të thinju, ndërsa beteja e tyre për liri tonë po vazhdon ende. Këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe i përpjekjeve të pandalshëm që kërkon liria dhe shteti. E dimë dhe jemi të bindur që shumë shpejt ata do t’i kemi në mesin tonë, prandaj sot në këtë ditë të shënuar, për të cilën secili prej tyre ka kontribuar shumë, ua dërgojmë urimet dhe të falat tona dhe të mbarë popullit të Kosovës. Ju themi se ju jeni heronj të luftës dhe të paqes dhe se askush me asgjë nuk mund ta ndryshoj kurrë këtë të vërtetë. Qëndroni të fort se padyshim dielli do të lind përsëri”, ka thënë Krasniqi.