Lideri opozitar venezuelas lë vendin dhe kërkon azil në Spanjë

08 shtator 2024 | 12:06

Ish-kandidati opozitar në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës, Edmundo Gonzalez, e ka braktisur vendin dhe ka shkuar në Spanjë, ku i është pranuar kërkesa për azil politik.

Largimi befasues i Gonzalezit, të cilin disa qeveri të huaja dhe opozita në Venezuelë e vlerësonin si fitues legjitim të zgjedhjeve presidenciale të korrikut, u bë i ditur mbrëmjen e së shtunës nga zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, raporton Rel.

Ajo tha se Qeveria venezuelase ka vendosur t’ia mundësojë Gonzalezit një rrugë të sigurt për t’u larguar nga vendi, vetëm pak ditë pasi ishte lëshuar një fletarrestim për të.

Rodriguez tha se ai u lejua të largohej nga vendi në mënyrë që “ta kthenim në vend paqen dhe qetësinë politike”.

As Gonzalez e as liderja opozitare Maria Corina Machado nuk e kanë komentuar largimin e tij.

Ndërkohë, Qeveria e Spanjës tha se Gonzalez vendosi vetë ta braktisë Venezuelën dhe se ai u largua me një avion të Forcave Ajrore të vendit.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Manuel Albares, tha për transmetuesin shtetëror spanjoll, RTVE, se Qeveria spanjolle do t’i japë azil politik Gonzalezit siç ka kërkuar.

“Isha në gjendje të bisedoj [me Gonzalezin] dhe sapo hipi në avion ai shprehu mirënjohje ndaj Spanjës dhe Qeverisë spanjolle. Natyrisht i thashë se ne jemi të lumtur që ai është mirë dhe rrugës për Spanjë”, tha Albares.

Albares tregoi se Gonzalezi i kishte kaluar disa ditë në Ambasadën e Spanjës në Karakas, para se të largohej nga vendi.

Gonzalez, një ish-diplomat 75-vjeçar, garoi për president në çastet e fundit pasi Machados iu ndalua pjesëmarrja. Ai kishte qenë i panjohur për shumë venezuelas, por fushata e tij zgjedhore ua ngjalli shpresat miliona venezuelasve që kërkonin me padurim ndryshime, për shkak të një ekonomie të rrënuar në dekadën e fundit.

Derisa presidenti Nicolas Maduro u shpall fitues i zgjedhjeve të korrikut, shumica e qeverive perëndimore nuk e kanë njohur fitoren e tij.

Ndërkohë, fletat e votimit të mbledhura nga vullnetarët e opozitës nga dy e treta e makinave të votimit elektronik, tregojnë se Gonzalezi i fitoi zgjedhjet.

Fletat e votimit janë cilësuar si dëshmia përfundimtare e rezultatit të zgjedhjeve në Venezuelë.

Në zgjedhjet e kaluara presidenciale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithmonë i publikonte rezultatet online nga secila prej 30.000 makinave të votimit, por ky komision i kontrolluar nga Maduro nuk i publikoi rezultatet këtë herë, duke e fajësuar gjoja një sulm kibernetik nga kundërshtarët e tij në Maqedoninë e Veriut.

Prokurori i përgjithshëm Tarek William Saab, një aleat i madh i Maduros, kërkoi arrestimin e Gonzalezit pasi ai kishte dështuar tri herë të paraqitej para autoriteteve në lidhje me një hetim për gjoja sabotim zgjedhor.

Ndërkohë, Spanja ka qenë një vend kyç azili për venezuelasit, posaçërisht për ata që e kanë udhëhequr opozitën kundër regjimit të Maduros.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari, drejtori i OJQ-së “Zëri Perëndimor i Kosovës”, Sali Bislimi,…