Lideri suprem i Iranit përkrah rritjen e çmimit të naftës
Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei ka përkrahur rritjen e çmimit të naftës që ka nxitur protesta kombëtare, për të cilat ka fajësuar kundërshtarët e Republikës Islamike dhe armiqtë e huaj.
“Shumë njerëz duket se janë të shqetësuar nga ky vendim, mirëpo sabotimi dhe zjarrvënia po kryhen nga huliganët dhe jo njerëzit tanë”, ka thënë Khamenei në një fjalim televiziv.
Zyrtarë policorë dhe forca të sigurisë janë përleshur me protestuesit të Teheran dhe dhjetëra qytete të tjera në fundjavë, kanë raportuar agjencitë iraniane të lajmeve.
Khamenei, që ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore, u ka bërë thirrje zyrtarëve që të parandalojnë rritjen e çmimeve në mallrat tjerë.
Teherani ka thënë se rritja e çmimit të naftës pritet të mbledhë rreth 2.55 miliardë dollarë shtesë për subvencione për 18 milionë familje apo 60 milionë iranianë me të ardhura të ulëta.
Media shtetërore iraniane ka raportuar se disa ligjvënës në Iran, që kishin planifikuar të detyronin qeverinë për të rishikuar këtë vendim, kanë tërhequr mocionin e tyre pas fjalimit të Khameneit të mbajtur të dielën.
Ministria iraniane e Inteligjencës, ka thënë përmes një deklarate se liderët e protestave janë identifikuar dhe ndaj tyre do të merren “hapat e duhur”, ka raportuar agjencia e lajmeve, Tasnim.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e cila është tërhequr nga marrëveshja bërthamore, që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015, dhe ka kthyer të gjitha sanksionet ndaj Teheranit, ka shprehur mbështetje për ato që i ka cilësuar “protesta paqësore kundër regjimit”.
Udhëheqësit e Iranit në anën tjetër synojnë të parandalojnë përsëritjen e shpërthimit të pakënaqësive sikurse në fund të vitit 2017.
Në këto protesta ishte raportuar për 22 persona të vdekur, të cilat ishin mbajtur në rreth 80 qytete dhe qyteza të Iranit, duke iu bërë thirrje klerikëve shiitë që të largohen nga pushteti. /Rel/