Lidhja e Historianëve Shqiptarë për Diasporë i drejtohet me një memorandum Donald Trumpit

05 maj 2020 | 13:08

Lidhja e Historianëve Shqiptarë për Diasporë me qendër në Bruksel, me kryetar Msc Muhamet Shabani, i është drejtuar me një memorandum presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) si përkujtesë për shqiptarët që jetojnë në Kosovë.

Në këtë memorandum, Lidhja e Historianëve Shqiptarë për Diasporë dëshmon për shtypjen që Serbia para luftës së fundit u ka bërë shqiptarëve si dhe gjatë luftës së fundit.

“Më 22 mars 1990, pushteti obstruksionist serb i helmoi 7.400 nxënës shqiptarë. Pushteti serb, nuk lejonte që nxënësit shqiptarë të kërkojnë ndihmë mjekësore me arsyetim se po aktrojnë.
Është për t’u vlerësuar ndihma e Kishës Katolike Shqiptare në qytetin e Ferizajt, në Stubëll dhe Binq të Vitisë! Të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës si ato arsimore, shkencore, kulturore, ato të mbrojtjes, të punëve të brendshme u serbizuan. Jeta e qytetarëve rrezikohej jo vetëm nga ushtria dhe policia serbe, por edhe nga ‘Dora e Zezë’ organizatë kjo kriminale e cila ka shkaktuar shumë vrasje në Kosovë…! Likuidimi i familjes Jashari dhe vrasja e komandantit të UÇK-së Adem Jashari, kishte qëllim kryesor vrasjen e guximit të shqiptarëve për të luftuar për çlirim dhe bashkim kombëtar. Lufta e drejtë e Jasharajve ka vlerë të veçantë e të papërsëritshme jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në atë botërore. Masakrat serbe në Drenicë dhe qëndresa e Jasharajve, ndikoi që bota demokratike perëndimore të reagojë dhe të premtojë dhe se nuk do të lejohet Bosnja e dytë në Kosovë”, thuhet në memorandumin e Lidhjes së Historianëve Shqiptarë për Diasporë drejtuar Trumpit.

Lidhja e Historianëve Shqiptarë për Diasporë në këtë memorandum ia rikujton Trumpit edhe fjalët e ambasadori amerikan, Wiliams Walker, i cili ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë: “Kam qenë në misione të ndryshme, por diçka të tillë nuk kam parë kurrë. Në fytyra të të ekzekutuarve shihet se janë vrarë nga afër. Ata që kanë bërë këtë nuk kanë kurrfarë respekti ndaj njeriut. Ata kanë vrarë punëtorë, fshatarë të pafajshëm… Ky është krim shumë i rëndë”.

Gjithashtu edhe fjalët e presidentit Bill Clinton: “Tragjedia që është duke ndodhur në Kosovë është rezultat i një plani të hollësishëm dhe të paramenduar një kohë të gjatë për sulm mbi një popull thjesht për arsye të përkatësisë së tij etnike dhe fetare… Ne nuk mund të të rrimë duar kryq, të vështrojmë se si qindra mijëra njerëz torturohen, vriten, dhunohen dhe me forcë nxirren nga shtëpitë, se si në emër të krenarisë dhe pastërtisë etnike bëhen akte për shlyerjen e historisë familjare”.

“Që nga viti 1878-1999, Serbia masakroi mbi 360.000 shqiptarë, dëboi mbi 1.000000 shqiptarë nga Kosova! Ende Serbia fashiste nuk bënë kërkimfalje për fatkeqësinë që u ka shkaktuar shqiptarëve që nga viti 1878 e deri më 1999”, thuhet në këtë memorandum.

Lidhja e Historianëve Shqiptarë për Diasporë kërkon nga presidenti Trump që të japë kontribut për arritjen e marrëveshjes paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e Kosovës në bazë të Kushtetutës aktuale.

Memorandumi i Lidhjes së Historianëve Shqiptarë për Diasporë me qendër në Bruksel

Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Donald Trump

I nderuari Zotëri President,
Lidhja e Historianëve Shqiptarë për Diasporë, ka nderin të Ju drejtohemi me këtë memorandum si përkujtesë (promemorie) për sa vijon:
1. Shqiptarët të cilët jetojnë në Kosovë, siç dëshmojnë shkencat multidisiplinare janë pasardhës të drejtpërdrejt të pellazgëve-ilirë dardan.
DARDANIA (KOSOVA), si mbretëri e fuqishme dhe e pavarur, u krijua që në gjysmën e dytë të shekullit të IV para erës së re. Territori i shtetit dardan përfshinte kryesisht Kosovën e sotme,viset jugore e jugperëndimore të Serbisë, trojet veriore dhe veriperëndimore të Republikës së Maqedonisë, vise këto të banuara edhe më tutje me shumicë shqiptare, pasardhës të dardanëve. Pra Dardania përfshinte një territor prej 35.000 kilometra katrorë.
Dardania në vitin 72 para erës së re u pushtua nga Roma. Ishte perandori romak Konstandini i Madh, dardan i lindur në Naissus (Nish), i cili me kërkesën e të ëmës së tij Helenës, ndaloi persekutimin e të krishterëve. Në Milano të Italisë më 313 shpalli Ediktin e famshëm mbi ushtrimin e lirë të fesë së krishterë.
Ishin priftërinjtë dardan të cilët përhapën krishtenizmin jo vetëm në Gadishullin Ballkanik por edhe në Evropë.
Dardania në kuadër të Perandorisë Romake dhe Perandorisë Bizantine kishte territorin e saj dhe trajtohej si një lloj njësie administrative më vete.
2. Siç dihet, që nga shekulli VII popuj barbarë hunët, vandalët, avarët dhe sllavët filluan të depërtojnë në Gadishullin Ballkanik.
Sllavët, kjo popullatë endacake shkatërroi dhe varrosi qytetërimin antik të perëndimit dhe e ktheu prapa njëmijë vjet.
Historiani i njohur kroat, M. Shuflaj pohon se vendosja e sllavëve kishte rënë mbi popullin shqiptar si një sëpatë që i kishte prerë në veri dhe në jug disa degë të trungut dhe e kishte ngushtuar territorin shqiptar.
Serbët ndërtuan doktrinën nacionaliste nga fundi i vitit 1844. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbis Ilia Garashanin përpiloi Programin e Parë të politikës së Jashtme të Serbisë, që në histori hyri me emrin “Naçertania” e që në fakt, shënon momentin fillestar të veprimtarisë së organizuar në politikën e Serbisë, e ku do të mbështetej politika e jashtme e këtij shteti ndaj shqiptarëve.
Në vitin 1845, orekset territoriale shoviniste serbe shkuan edhe më larg, saqë shpikën një term të ri gjeografik, që e pagëzuan me emrin “Stara Serbia” ose (Serbia e Vjetër). Ndihmë të madhe për ndërkombëtarizimin e këtij termi, ka dhënë profesori rus Majkovi i cili në një numër artikujsh të tij do të shkruante për “Serbinë e Vjetër” si “vendlindje të serbëve, e që është e pasur me plot monumente fetare prej të cilave nuk heqë dorë asnjë serbë”.
Pikërisht mbi mitin psikologjik të “epërsisë” së racës serbe mbi shqiptarët u organizua spastrimi etnik i Sanxhakut shqiptar të Nishit gjatë viteve 1876-1878. Serbia okupoi qytetet Nish, Pirot, Vranjë, Leskovc, Kurshumli, Prokuple dhe 700 fshatra të pastra shqiptare me sipërfaqe gjithsejtë mbi 11.000 kilometra katrorë. Gjatë okupimit të këtyre trojeve shqiptare, Serbia bëri gjenocidin më të madh ne Ballkan, duke masakruar 70.000 shqiptarë dhe duke dëbuar me dhunë nga trojet e tyre arbërore 150.000 shqiptarë!
Pas kësaj mbreti serb Milan Obrenoviq do të krenohej duke thënë se “Arritëm që me shpatë e zjarr ta shndërrojmë rajonin e Toplicës prej një toke të thjesht të banuar me popullsi shqiptare, në një tokë të pastër serbe”.
Në Kongresi e Berlinit Serbia u zgjerua me 11.000 kilometra katrorë tokë shqiptare, pra iu dhurua Sanxhaku Shqiptar i Nishit.
2. Më 17 tetor 1912, Serbia i shpalli luftë Perandorisë Osmane në emër të çlirimit të vëllezërve serbë në Kosovë, e që në fakt ishte pushtimi i Kosovës dhe zhdukja e etnisë shqiptare nga trojet e tyre etnike.
Ushtria serbe masakroi mbi 150.000 shqiptarë dhe dëboi 250.000 shqiptarë.
Në letrën e një ushtari serb thuhej: “Këtu ndodhin gjëra të tmerrshme. Mua më rrëqethen flokët dhe gjithnjë pyes veten a është vallë e mundur që njeriu të jetë kaq barbar. Kjo është e lemerishme!… Ka fshatra me 200 shtëpi, ku nuk ngeli njeri i gjallë. Askush! I mblidhnin njerëzit grupe-grupe nga 40-50 vetë dhe i masakronin të gjithë me thika”. Edhe ana e Dibrës u shndërrua në kasaphane të vërtetë.
Popullata mori arratinë në drejtim të Drinit, por një pjesë e mirë nuk e kaloi dot lumin pse u zunë nga ushtria e u masakrua në mënyrë mizore, kështu që “nuk ngeli gjallë asnjëri që të rrëfente për skenat e lemerishme”.
Në Konferencën e Londrës 1912-1913, Serbia zgjerohet me 36.000 kilometra tokë shqiptare,
Mbi 25.000 kilometra tokë të Kosovës iu dhuruan Serbisë. Kjo ishte padrejtësia më e madhe historike që i bëhej Kosovës.
Në këtë mënyrë iu dha mundësia inkuizicionit serb që të vazhdonte veprimtarin e tij barbare ndaj shqiptarëve.
3. Kur ushtria frenge hynë në Kosovë dhe vise tjera shqiptare në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit 1918, deklaruan se ato do të merrnin pjesë vetëm në ndjekjen e ushtrisë austro-hungareze dhe bullgare, ndërsa çështja e pushtetit, si kurorëzim i luftës për çlirim, mbetej çështje e shqiptarëve. Mirëpo, e tëra kjo ishte demagogji dhe dinakëri franceze, sepse menjëherë pas tyre vinte ushtria serbe dhe e vendoste pushtetin e vet.
Ushtria serbe, i përsëriti mizoritë e vitit 1912.
Masakroi 40.000 shqiptarë dhe deri në vitin 1941, dëboi 200.000 shqiptarë nga Kosova.
Edhe Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920) të drejtat e shqiptarëve për vetëvendosje iu mohuan, pra edhe më tutje Kosova mbeti nën sundimin serb.
4. Fillimi i vitit 1944, Kosovën e gjen të çliruar me forcat vetjake nga pushtuesit fashist.
Udhëheqja ushtarake, politike dhe shtetërore serbe dhe jugosllave në emër të luftës së drejtë kundër kryengritësve shqiptarë, vendosën administrimin ushtarak në Kosovë më (8.II.8.VII 1945). Gjatë administrimit ushtarak në Kosovë, u likuiduan 86.000 shqiptarë, 22.000 bastisje dhe 200.000 kaluan në duart hetimore të sigurimit ushtarak.
Deri në vitin 1989, kur u suprimua autonomia e Kosovës me tanke më 23.3.1989, nga Kosova u shpërngulen me dhunë 400.000 shqiptarë…!
5. Më 22 mars 1990, pushteti obstruksionist serb i helmoi 7.400 nxënës shqiptarë.
Pushteti serb, nuk lejonte që nxënësit shqiptarë të kërkojnë ndihmë mjekësore me arsyetim se po aktrojnë.
Është për t’u vlerësuar ndihma e Kishës Katolike Shqiptare në qytetin e Ferizajt, në Stubëll dhe Binq të Vitisë!
Të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës si ato arsimore, shkencore, kulturore, ato të mbrojtjes, të punëve të brendshme u serbizuan.
Jeta e qytetarëve rrezikohej jo vetëm nga ushtria dhe policia serbe, por edhe nga “Dora e Zezë” organizatë kjo kriminale e cila ka shkaktuar shumë vrasje në Kosovë…!
6. Likuidimi i familjes Jashari dhe vrasja e komandantit të UÇK-së Adem Jashari, kishte qëllim kryesor vrasjen e guximit të shqiptarëve për të luftuar për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Lufta e drejtë e Jasharajve ka vlerë të veçantë e të papërsëritshme jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në atë botërore.
Masakrat serbe në Drenicë dhe qëndresa e Jasharajve, ndikoi që bota demokratike perëndimore të reagojë dhe të premtojë dhe se nuk do të lejohet Bosnja e dytë në Kosovë.
Në muajin janar u shënuan edhe dy ngjarje të tmerrshme të krimit serbë mbi shqiptarët. Më 15 janar 1999, në fshatin Recak, kriminelët serbë masakruan 45 civilë shqiptarë. 23 trupa të masakruar ishin hedhur në një gropë afër gropës Bebush të fshatit Reçak.
Ambasadori amerikan, Wiliams Walker, i cili ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, pat deklaruar: “Kam qenë në misione të ndryshme, por diçka të tillë nuk kam parë kurrë. Në fytyra të të ekzekutuarve shihet se janë vrarë nga afër. Ata që kanë bërë këtë nuk kanë kurrfarë respekti ndaj njeriut. Ata kanë vrarë punëtorë, fshatarë të pafajshëm… Ky është krim shumë i rëndë”.

Zoti president Donald Trump!
Janë historike fjalët e presidentit Bill Clinton: “Tragjedia që është duke ndodhur në Kosovë është rezultat i një plani të hollësishëm dhe të paramenduar një kohë të gjatë për sulm mbi një popull thjesht për arsye të përkatësisë së tij etnike dhe fetare… Ne nuk mund të të rrimë duar kryq,të vështrojmë se si qindra mijëra njerëz torturohen, vriten, dhunohen dhe me forcë nxirren nga shtëpitë, se si në emër të krenarisë dhe pastërtisë etnike bëhen akte për shlyerjen e historisë familjare”.
Lufta në Ballkan,që filloi në Kosovë para dhjetë vjetësh,duhet të përfundojë në Kosovë. Duhet të jetë ky konflikti i fundit në Shekullin e Njëzetë.
Nuk duhet të jetë konflikt që do të definojë Shekullin e Njëzetenjë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mundësinë dhe përgjegjësinë që të përfundoi ky konflikt, për hir të fëmijëve, mbesave dhe nipave tanë, deklaroi Bill Clinton në San Francisko para Shoqatës së redaktorëve të gazetave.
Pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pavarësia e Kosovës do të mbetej dëshirë e parealizuar…! Është e njohur deklarata e Presidentit Georg Ë. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007; “Kosova do të jetë e pavarur”.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishin ndër të parat Shtetet e Bashkuara të Amerikës që njohën Pavarësinë e Kosovës.
Pavarësinë e Kosovës e konteston Serbia gjenocidale e cila kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë të jep vlerësimin.
Kjo Gjykatë, më 22 korrik 2010, është shprehur në favor të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës duke e hedhur pishtë kontestimin e Serbisë: “E drejta ndërkombëtare nuk e ndalon”.
Serbia fashiste gjatë viteve 1998-1999, masakroi 14.000 gra, fëmijë dhe pleq, dhunoi 20.000 femra shqiptare!
Që nga viti 1878-1999, Serbia masakroi mbi 360.000 shqiptarë, dëboi mbi 1.000000 shqiptarë nga Kosova! Ende Serbia fashiste nuk bënë kërkimfalje për fatkeqësinë që u ka shkaktuar shqiptarëve që nga viti 1878 e deri më 1999.

I nderuari president Donald Trump
Po t’i referohemi të dhënave konkrete të kohës si dhe argumentet e faktet e pakundërshtueshme, mund të arrijmë në përfundim se shqiptarët kanë qenë populli më i rrezikuar në Gadishullin Ballkanik, e ndoshta as një komb tjetër në Evropë nuk ka ndjerë në trupin e tij dhimbjen e gërshërës së Fuqive të Mëdha aq sa i ka ndjerë kombi shqiptar…!
Zoti president Donald Trump, bisedimet teknike që kishin qëllim normalizimin e marrëdhënieve serbo-shqiptare, çuditërisht presidenti Hashim Thaçi dhe Presidenti Aleksander Vuçiq i Serbisë i shndërruan në bisedime politike për ndryshim kufijsh…!
Kjo ide është shfaqur në Alpbach të Austrisë më 25 gusht 2018.
Presidenti Hashim Thaçi deklaroi se “Ne, pra Thaçi Vuçiq nuk jemi djem problematikë”.
Duke u shprehur për ndryshim apo korrigjim të kufijve, Presidenti bënë vepër penale, antikushtetuese në bazë të KAPITULLIT TË PARË,
Neni 1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.
Pika 3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.
NENI 2. Sovraniteti.
2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm,i patjetërsueshëm dhe i pandashëm,dhe mbrohet me të gjitha e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.
Zoti President populli shqiptar, e sidomos ai në Kosovë është populli më proamerikan në Botë.
Liria, Pavarësia dhe ekzistenca e Shtetit të Republikës së Kosovës nuk mund të paramendohet pa miken tonë të përjetshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Inkuadrimi i Z. Richard Grenell si ndërmjetës në bisedimet Kosovë-Serbi, ishte relaksim i stresit të qytetarëve të Republikës së Kosovës!
Z. President, shpreh keqardhjen dhe shqetësimin serioz të Lidhjes së Historianëve Shqiptar për Diasporë në lidhje me presionin që i bënë viktimës – Kosovës z. Richard Grenel në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke favorizuar haptazi shtetin agresor – Serbinë e cila i bëri tri luftëra në Ballkan, duke ju shkaktuar fatkeqësi popujve të shteteve viktimë.
Jemi thellë të bindur se Ju z. President do të jepni kontributin e drejtë për arritjen e një marrëveshje paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e Kosovës në bazë të Kushtetutës aktuale. Me që Kosova nuk i ka borxh as një shteti, përkundrazi…
Rroftë miqësia e përjetshme
Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Bruksel
Kryetari
Msc Muhamet Shabani më 25.04.2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli italian Federico Chiesa nëse dëshiron mund të largohet nga…