Liga e Evropës, sonte mësohen çiftet gjysmëfinaliste
Pas Ligës së Kampionëve, sonte do të mësohen çiftet gjysmëfinaliste në Ligën e Evropës.
Me fillim nga ora 21:00, në program janë katër përballjet e kthimit në kompeticionin e dytë madhor të UEFA-s, shkruan lajmi.net.
Manchester United do të vizitojë Spanjën për t’u ndeshur me Sevillan. Rezultati i takimit të parë është 2:2, andaj sonte në “Ramon Sanchez Pizjuan” është gjithçka e hapur.
Juventusi do të ketë gjithashtu punë në udhëtim te Sportingu i Lisbonës.
“Zonja e Vjetër” gëzon avantazh 1:0 pas ndeshjes së parë, rezultat ky jo komod për të besuarit e trajnerit Allegri.
Roma do të synojë përmbysjen në rezultat dhe kalimin tutje në ndeshjen e kthimit kundër Feyenoordit në stadiumin “Olimpico” në kryeqendrën italiane.
Feyenoordi triumfoi 1:0 në Rotterdam ndaj Romës, teksa sfida në Itali do të jetë përcaktuese.
Në takimin tjetër, Royale Union luan me Bayer Leverkusenin. Rezultati i sfidës së parë ka qenë i barabartë 1:1.