Liga e Kampionëve: Bayerni dhe Reali mund ta sigurojnë kualifikimin
Liga e Kampionëve do të vazhdojë sonte me ndeshjet e xhiros së katërt të Grupeve A, B, C e D.
Bayern Munichu dhe Real Madridi mund ta sigurojnë sonte kualifikimin në të tetën e finales përmes grupeve përkatëse.
Gjiganti bavarez i ka regjistruar tri fitore në po aq ndeshje në Grupin A.
Andaj, një trepikësh eventual sonte në shtëpi ndaj Galatasarayt, do t’ia mundësonte kampionit gjerman prerjen e biletës për fazën eliminuese.
Ndërkohë, gjiganti tjetër evropian, Manchester United do ta presë një gabim eventual të ekipit nga Stambolli. Dhe, me fitore ndaj Kopenhagës në udhëtim, “Djajtë e Kuq” do të kalonin në vendin e dytë në grup, duke i rritur gjasat për kualifikim.
Aktualisht, Man United është në vendin e tretë me 3 pikë, një më pak se Galatasaray.
Kualifikimin tutje sonte mund ta sigurojë edhe Real Madridi.
Gjiganti spanjoll do ta presë Bragën në shtëpi dhe një rezultat pozitiv mund ta çojë ekipin e Carlo Ancelottit në mesin e 16 më të mirëve.
Fitoren sonte e synon edhe Napoli i Amir Rrahmanit, i cili do ta presë Union Berlinin. Napolitanët me një trepikësh eventual do ta bënin një hap gjigant drejt kualifikimit.
Në Grupin B, gjithçka mbetet e hapur. Arsenal – Sevilla është ndeshja kryesore e natës së sontme, por edhe e krejt grupit.
“Gunners” do të mundohen t’i mbajnë pikët në shtëpi dhe kështu të jenë me një këmbë në fazën eliminuese.
Kurse, përballja tjetër do të jetë ajo mes PSV Eindhovenit dhe Lensit. Holandezët janë në vendin e fundit pa fitore, por ende në lojë për kualifikim.
Kurse, francezët e zënë vendin e dytë momentalisht dhe nuk e kanë provuar ende humbjen. Në Grupin D po ashtu sonte mund të zbardhen shumë gjëra.
Lideri Real Sociedad llogarit në fitore ndaj ekipit të pafuqishëm, Benfica, e cila i ka pësuar tri humbje. Spanjollët ndërkohë do të shpresojnë në një fitore të Interit kundër Salzburgut, për të shkuar së bashku në të tetën e finales. Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sotme do të fillojnë në orën 21:00.