Liga e Kampionëve me format të ri, ja përllogaritjet që duhen bërë për kualifikim
Nesër (e martë) merr jetë edicioni i ri i Ligës së Kampionëve. Një sezon unik do të jetë ky që do të nis. 36 skuadra e jo më 32, në një grup unik, ku do të kenë mundësinë të luajnë 8 ndeshje, 4 brenda fushe dhe 4 në transfertë, për të mësuar më pas se cili do të jetë fati i tyre për të vijuar më tej kompeticionin.
8 skuadrat e renditura më mirë në klasifikimin përfundimtar do të kalojnë më tej në fazën e zakonshme të 1/8 të finaleve. Skuadrat e renditura nga vendi i 9 në të 24 do të kalojnë në fazën e “play-off”-it e do të përballen me njëra tjetrën për të përcaktuar se cilat do të jenë 8 ekipet e tjera që do t’i bashkëngjiten 8 skuadrave të kualifikuara nga faza e ligës, e që do të formojnë kuadrin e plotë të 16 skuadrave për fazat me eleminim direkt. Megjithatë duke qenë një format që do të aplikohet për herë të parë, me të drejtë të gjithë shtrojnë pyetjen: Sa pikë i duhen një skuadre për të siguruar kualifikimin për më tej? Kësaj pyetje së fundmi i është përgjigjur sistemi i quajtur “ELO” i cili ka bërë afro 10 mijë simulime, për të gjetur një mesatare të saktë. Kështu sipas këtij sistemi, çdo skuadër mesatarisht duhet të grumbullojë 15 pikë nëse kërkon të kualifikohet direkt në fazën me eliminim direkt, pra për t’u renditur në 8 skuadrat e para.
Ndërkohë skuadra që do të renditet e 24, ose e fundit që do të ketë shansin të marrë pjesë në “play-off”, duhet të grumbullojë mesatarisht 9 pikë. Sigurisht këto janë vetëm disa përllogaritje, pasi të gjithë presin me padurim të shohin se si do të jetë ky format i ri i këtij kompeticioni. Deri tani njohim vetëm faktin se që në fazën e Ligës së Kampionëve do të vendos përball emra të mëdhenj të futbollit botëror, të cilët padyshim do të na garantojnë emocione dhe spektakël.
Të martën takohen:
18:45 Juventus – PSV Eindhoven
18:45 Young Boys – Aston Villa
21:00 AC Milan – Liverpool
21:00 Bayern Munchen – Dinamo Zagreb
21:00 Real Madrid – Stuttgart
21:00 Sporting – Lille