Ligj i ri për personat me probleme të shëndetit mendor
Mijëra njerëz me probleme mendore në gjithë botën janë të privuar nga të drejtat e tyre njerëzore, ka tërhequr vërejtjen Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Edhe në Kosovë, kjo kategori e shoqërisë është në një gjendje jo të lakmueshme.
Në Kosovë nuk ka statistika të sakta në nivel vendi se sa njerëz vuajnë nga problemet e shëndetit mendor.
Ndërkaq nga aspekti lokal, në Komunën e Prishtinës, sipas shifrave të prezantuara, numri i personave me dëmtime intelektuale është 195 veta.
Bajram Morina është 30 vjeçar. Ai vuan nga problemi i shëndetit mendor. Megjithatë, ai tash e 19 vjet pikturon. Ka kryer fakultetin në Universitetin e Prishtinës dhe tani po vazhdon edhe masterin në Degën e Artit. Morina thotë se ka shumë shokë e shoqe që i ndihmojnë dhe e kanë inkuadruar në shoqëri. Ka piktura të ndryshme, disa prej të cilave edhe i shet.
“Unë kam vizatuar qytetet e vjetra, gjelbërime, natyrën e qetë, vazo me lule, kam përdorur shumë ngjyra dhe i dua ngjyrat. Qe 19 vjet unë vizatoj. Tani po shkoj edhe në master”.
“Unë edhe i shes pikturat, por nuk më shiten shumë, zakonisht ndërkombëtarët mi blejnë pikturat. Njëri ka ble shumë piktura dhe i kanë pëlqyer shumë. Unë zakonisht vizatoj në shtëpi. Jetoj me prindërit dhe vëllezërit”, ka thënë Morina.
Janë disa organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të këtyre personave dhe kujdesen në baza ditore.
Klubi “Dëshira”, është një prej atyre organizatave që shërben për rehabilitimin e personave me probleme në sferën e shëndetit mendor.
Morina thotë se shkon në klubin “Dëshira”, dhe se shoqërimi me njerëz të kategorisë së tij si dhe ndihma nga psikiatri aty i ka ndihmuar shumë.
“Unë shkoj në klubin “Dëshira” dhe ndihem shumë mirë. Kam shumë shoqe aty dhe janë shumë të mirë”, tha ai.
Armenda Berani, nga zyra për qeverisje të mirë në kuadër të zyrës së kryeministrit, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë”, se aktualisht ka në fuqi një ligj për aftësinë e kufizuar. Ai mundëson edhe ndarjen e ndihmës prej 75 eurosh në muaj për këta persona.
Por, ajo thotë se këto mjete janë të pamjaftueshme, dhe janë duke pritur që të analizohet nevoja reale e personave me problem mendor dhe më pas të procedohet ligji i ri i cili tashmë është në përpunim e sipër.
“Qeveria e Kosovës ka vazhduar përpjekjet e saj që të krijojë një legjislacion të mirëfilltë e që i mbështet të gjithë personat me aftësi të kufizuar, përfshirë edhe personat me problem të shëndetit mendor varësisht nga nevoja që kanë”.
“Bëhet fjalë edhe për një mbështetje financiare, për qasje të mirëfilltë për një jetë normale, pra për një kujdestar e që është shumë e nevojshme për këtë kategori”, ka thënë Berani.
“Më pas edhe në arsim, shëndetësi, aktiviteteve të tyre jetësore e kështu me radhë. Zyra jonë është pjesë e hartimit të dokument-konceptit dhe pritet miratimi i tij. Më pas neve na pret një punë intensive në hartimin e ligjit, dhe do t’ju jep një shtytje personave më aftësi të kufizuar”, ka theksuar Berani.
Ndonëse ka iniciativë për punësimin e personave që kanë probleme me shëndetin mendor, punësimi i tyre në numër është simbolik.
Nusret Shillova drejtor i qendrës rehabilituese “Dëshira”, ka thënë se kanë arritur t’i punësojnë kohë pas kohe disa persona, por që kanë qenë punë sezonale. Ai ka thënë se kryesisht punojnë si rrobaqepës, krijojnë kartolina të ndryshme, të cilat më pas edhe i shesin.
Njëra nga të punësuarat është Lumnie Demolli. Ajo ka thënë se po punon me kartolina të cilat po i vizatojnë ose punojnë me materiale të ndryshme. Nga shitja e tyre, ajo thotë se paratë e fituara po i shfrytëzojnë për nevoja të qendrës rehabilituese.
“Unë që nga viti 2004 kam filluar të dal nga shtëpia dhe të shkoj në klubin ”Dëshira”. Aktualisht po punoj me kartolina. Çmimet që ne i kemi caktuar janë nga 2 euro e më lartë. Kartolinat i bëjmë me zemra, me lule, katrore varësisht”.
“Materialin na e blejnë klubi, por ndonjëherë edhe Komuna e Prishtinës na ndihmon. Paratë po i mbledhim për nevojat e qendrës rehabilituese ku ne e kalojmë ditën. Jam shumë e lumtur që po punoj”, ka thënë Demolli.
Sidoqoftë sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, parandalimi fillon me ndërgjegjësimin lidhur me kuptimin e shenjave dhe simptomave të para të problemeve të shëndetit mendor.
Prindërit dhe mësuesit mund të ndihmojnë në krijimin e aftësive të fëmijëve dhe adoleshentëve për jetën, për përballimin e sfidave të përditshme në shkollë apo familje dhe mbështetja psikosociale që mund të ofrohet në shkollë ose në komunitet.