Ligjërata e Nobelit e Marquezit më 8 dhjetor 1982
GABRIEL GARCÍA MÁRQUEZ
VETMIA E AMERIKËS LATINE
Ligjërata e Nobelit, 8 dhjetor 1982
Përktheu: Avni Spahiu
Antonio Pigafetta, një navigator florentinas, që shoqëroi Magelanin në udhëtimin e tij të parë përreth botës, me rastin e kalimit nëpër tokat tona jugore të Amerikës, bëri një shkrim shumë të saktë që, megjithatë, i ngjan një aventure në imagjinatë. Në të ai kishte shënuar se kishte parë derra me kërthiza në kofshë, zogj pa kthetra që lëshonin vetë mbi shpinë të qifteve të tyre dhe të tjerë që u ngjanin pelikanëve pa gjuhë, me sqepa si lugë. Ai shkroi se kishte parë një krijesë bastarde me kokën dhe veshët e një mushke dhe me trup deveje, këmbët e një dreri dhe jelen e një kali. Ai kishte përshkruar se si kishte reaguar vendësi i parë që kishte takuar në Patagonia, me të parë pasqyrën, me ç’rast ai vigan i pasionuar kishte humbur toruan, ishte terrorizuar nga imazhi i fytyrës së vet.
Ky libër i shkurtër dhe fascinues, i cili që atëherë mbolli farën e romaneve tona të sotme, nuk është assesi një përshkrim tronditës i realitetit tonë në atë kohë. Kronikat e Indisë na kanë lënë shumë të tjera. El Dorado, ishulli ynë iluzor aq shumë i dëshiruar, është paraqitur në harta të shumta për shumë vite me radhë, me vende dhe forma të ndryshme për ta kënaqur fantazinë e hartografëve. Në kërkimin e tij për fontanën e rinisë së përjetshme, Alvar Nunjez Kabeza de Vaka mistik eksploroi tetë vjet veriun e Meksikës, në një ekspeditë zhgënjyese, anëtarët e së cilës hëngrën njëri-tjetrin dhe prej të cilëve vetëm pesë u kthyen, nga gjashtëqind sa kishin marrë atë udhë. Një nga misteret e shumta të pazbuluara të asaj epoke është ajo e njëmbëdhjetë mijë mushkave, secila prej tyre e ngarkuar më njëqind funta ar, që Cuzco i kishte lënë dikur për ta paguar haraçin e Atahualpas dhe që kurrë nuk kishte arritur në cak. Më vonë, në kohët koloniale, pulat shiteshin në Cartagena de Indias, të rritura në toka lymore, katëket e të cilave mbanin brenda kokrra të vogla ari. Lakmia e kërkuesve të arit na ka shoqëruar deri në ditët tona. Deri vonë në shekullin e fundit, një mision gjerman i emëruar për ta studiuar ndërtimin e një hekurudhe tejoqeanike matanë Ishmit të Panamasë konkludoi se projekti ishte i realizueshëm me një kusht: që binarët të mos bëheshin nga hekuri, që nuk ishte me bollëk në rajon, por nga ari.
Pavarësia jonë nga dominimi spanjoll nuk na shpëtoi nga çmendia. Gjenerali Antonio Lopez de Santana, tri herë diktator i Meksikës, organizoi një funeral madhështor për këmbën e tij të djathtë që e kishte e humbur në të ashtuquajturën Luftë e Pastave. Gjenerali Gabriel Garcia Moreno sundoi Ekuadorin për gjashtëmbëdhjetë vjet si monark absolut; kur vdiq, kufoma i rrinte ulur në fronin presidencial, e veshur në uniformë të plotë dhe me medaljet e shumta në gjoks. Gjenerali Maksimiliano Hernandez Martinez, despoti teozofik, shpiki një lavjerrës për ta hetuar helmin në ushqimin e tij, kurse fenerët e rrugëve i kishte veshur me letër të kuqe për ta penguar epideminë e etheve të fruthit. Shtatorja e gjeneralit Francisko Moraz, e ngritur në sheshin kryesor të Teguçigalpas është, në të vërtetë, e Marshal Neit, e blerë në një depo skulpturash të dorës së dytë në Paris.
Para njëmbëdhjetë vjetësh kiliani Pablo Neruda, një nga poetët më të mëdhenj të kohës sonë, ftilloi këtë auditor me fjalën e tij. Që nga atëherë evropianët e vullnetit të mirë – dhe nganjëherë edhe ata me vullnet të keq – janë habitur, me forcë gjithnjë më të madhe, nga lajmet e mbinatyrshme të Amerikës Latine, asaj mbretërie të pafund të burrave të përhumbur dhe të grave historike, kryeneçësia e pambarim e të cilave davaritet në legjendë. Nuk kemi pasur asnjë çast pushimi. Një president prometheas, i mbyllur në pallatin që digjej, vdiq duke luftuar kundër një ushtrie të tërë, i vetëm; dhe, dy aksidente të dyshimta ajrore, që ende s’janë sqaruar, këputën jetën e një presidenti tjetër zemërmadh dhe atë të një luftëtari për demokraci, i cili ia kishte kthyer dinjitetin popullit të vet. Kanë ndodhur pesë luftëra dhe shtatëmbëdhjetë grusht shtete; lindi një diktator diabolik, i cili po zbaton, në emër të Zotit, etnocidin e parë latino-amerikan të kohës sonë. Në ndërkohë, njëzet milionë fëmijë latino-amerikanë kanë vdekur para se të mbushin një vit – më shumë nga ç’kanë lindur në Evropë që nga viti 1970. Ata që kanë humbur pa gjurmë për shkak të represionit numërojnë gati njëqind e njëzetmijë, që është sikur askush të mos kishte idenë se nga kanë humbur të gjithë banorët e Upsalas. Shumë gra shtatzëna të arrestuara kanë lindur në burgjet argjentinase, ndërkohë që askush nuk di për ecejaket dhe identitetin e fëmijëve të tyre, të cilët fshehurazi u adoptuan apo u çuan në jetimore me urdhër të autoriteteve ushtarake ngaqë u përpoqën të ndryshonin këtë gjendje të gjërave, rreth dyqind mijë burra dhe gra kanë vdekur në tërë kontinentin dhe mbi njëqind mijë kanë humbur jetën në tri vende të vogla fatkeqe të Amerikës Qendrore: Nikaragua, El Salvador dhe Guatemalë. Po të kishte ndodhur kjo në Shtetet e Bashkuara, figura gjegjëse do të ishte një milion e gjashtëqind mijë vdekje të dhunshme për katër vjet.
Një milion njerëz kanë ikur nga Kili, një vend me traditë mikpritjeje – do të thotë, dhjetë për qind e popullsisë së tij. Uruguai, një vend i vogël prej dy milionë e gjysmë banorësh, që e konsideronte veten vendi më i qytetëruar i kontinentit, ka humbur në mërgim çdo të pestin qytetar. Që nga viti 1979 lufta civile në El Salvador ka prodhuar nga një refugjat në çdo njëzet minuta. Vendi që do të mund të krijohej nga të gjithë refugjatët dhe emigrantët e detyruar të Amerikës Latine do të kishte një popullsi më të madhe se Norvegjia.
Marr guximin të them se është ky realitet përtej masash dhe jo vetëm shprehja e tij letrare ka merituar vëmendjen e Akademisë Suedeze të Letrave. Një realitet jo nga letra, por një realitet që jeton brenda nesh dhe që përcakton çdo çast të vdekjeve tona të panumërta ditore, mes të cilave ky kolumbian bredhacak dhe nostalgjik përbën vetëm një shifër, të veçuar vetëm nga rasti. Poetët dhe lypësit, muzikantët dhe profetët, luftëtarët dhe horrat, të gjitha krijesat e atij realiteti të shfrenuar, nuk është dashur të kenë shumë imagjinatë, ngaqë problemi ynë kyç ka qenë mungesa e mjeteve konvencionale për t’i bërë jetët tona të besueshme. Ky, miqtë e mi, është thelbi i vetmisë sonë.
Dhe nëse këto vështirësi, thelbin e të cilave e ndajmë, na pengojnë, është e kuptueshme që talentet racionale në këtë anë të botës, të ekzaltuara në kontemplimin e kulturave të veta, do të ishin gjetur pa mjete valide për të na interpretuar. Është më se e natyrshme që ata këmbëngulin të na matin me kutin që përdorin për vete, duke harruar se shkatërrimet e jetës nuk janë të njëjta për të gjithë dhe se kërkimi i identitetit tonë është po aq i rëndë dhe i përgjakshëm siç ka qenë edhe për ta. Interpretimi i realitetit tonë përmes mostrave që nuk janë tonat, shërben vetëm sa për të na bërë edhe më të panjohur, edhe më pak të lirë, edhe më shumë të vetmuar. Evropa e nderuar mbase do të mund të ishte më perceptive po të përpiqej të na shihte ne në të kaluarën e vet. Sikur të kujtonte se Londrës iu deshën treqind vjet për ta ndërtuar murin e parë të qytetit dhe treqind vjet të tjera për të pasur një peshkop; se Roma jetoi në një errësirë pasigurie për njëzet vjet, derisa një mbret etrusk e futi atë në histori dhe se Zvicra e sotme paqësore, që na gostit me djathërat e butë dhe me orët e këndshme, përgjaku Evropën me mercenarë deri në shekullin gjashtëmbëdhjetë. Madje edhe në kulmin e Renesancës, dymbëdhjetë mijë mercenarë të paguar nga ushtritë perandorake plaçkitën dhe shkretëruan Romën, kurse tetë mijë banorë të saj i prenë me shpatë.
Nuk dua që t’i mishëroj iluzionet e Tonio Krogerit, ëndrrat e të cilit, për bashkimin e veriut të virgjër me jugun e pasionuar, gjetën ekzaltim këtu, para pesëdhjetë e tre vjetësh, nga Tomas Man. Por, besoj se ata evropianë mendjekthjellët, të cilët luftojnë, edhe këtu, për një atdhe më të drejtë dhe më human, do të na ndihmonin shumë më shumë sikur ta rishqyrtonin mënyrën se si na shohin ne. Solidariteti me ëndrrat tona nuk do të na bëjë të ndihemi më pak të vetmuar përderisa ai nuk përkthehet në akte konkrete të mbështetjes legjitime për të gjithë popujt që kanë iluzionin se kanë një jetë të tyre për distribuimin e botës.
Amerika Latine as nuk dëshiron dhe as që ka ndonjë arsye të jetë pion pa pasur një vullnet të vetin dhe as që është shprehje dëshire që kërkimi i saj për pavarësi dhe origjinalitet të bëhet aspiratë perëndimore. Megjithëkëtë, përparimet e navigimit që kanë ngushtuar largësi të tilla midis Amerikave dhe Evropës duken, nga ana tjetër, sikur kanë vënë në pah largësinë tonë kulturore. Përse, vallë, ai origjinalitet që na është njohur me aq gatishmëri në letërsi, po na mohohet me aq mosbesim në përpjekjet tona të rënda për ndryshim shoqëror? Pse të mendohet se drejtësia shoqërore që kërkojnë evropianët progresivë për vendet e tyre, nuk mund të jetë edhe synim i Amerikës Latine, me metoda të ndryshme për kushte jo të ngjashme? Jo: dhuna dhe dhembja e pamasë e historisë sonë janë rezultat i pabarazive shekullore dhe pikëllimit të papërshkruar dhe jo një komplot i përgatitur tre mijë liga larg shtëpisë sonë. Por, shumë liderë dhe mendimtarë evropianë kanë menduar kësisoj, me mendje çilimiu të pleqve, të cilët kanë harruar teprimet e tyre rinore, sikur të mos jenë në gjendje të gjejnë ndonjë fat tjetër pos atij të jetës nën mëshirën e dy zotëve të mëdhenj të botës. Ky, miqtë e mi, është masa e vërtetë e vetmisë sonë.
Përkundër kësaj, ndaj shtypjes, grabitjes dhe braktisjes, ne përgjigjemi me jetën. As përmbytjet as murtajat, as uria dhe as kataklizmet, madje as luftërat e pambarim shekull pas shekulli, nuk kanë qenë në gjendje ta mposhtin avantazhin këmbëngulës të jetës mbi vdekjen. Një avantazh ky që rritet dhe përshpejtohet: për çdo vit ndodhin shtatëdhjetë e katër milionë më shumë lindje sesa vdekje, një numër i mjaftueshëm i jetëve të reja për ta shtuar, çdo vit, popullsinë e Nju-Jorkut për shtatë herë. Shumica e këtyre lindjeve ndodhin në vendet me më pak resurse – përfshirë, natyrisht, ato të Amerikës Latine. Nga ana tjetër, vendet më prosperuese kanë arritur të akumulojnë forcë shkatërrimi sa për të zhdukur, për njëqind herë me radhë, jo vetëm qeniet njerëzore që kanë ekzistuar deri më sot, por edhe të gjitha qeniet e gjalla që kanë frymuar ndonjëherë në këtë planet fatkeq.
Në një ditë si kjo, mësuesi im, Uilliam Fokner, ka thënë: “Unë refuzoj ta pranoj fundin e njeriut”. Nuk do të meritoja të qëndroja në këtë fron, që ishte i tij, sikur të mos isha plotësisht i vetëdijshëm se tragjedia kolosale që ai refuzoi ta njihte para tridhjetë e dy vjetësh, është tani, për herë të parë që nga fillimi i njerëzimit, asgjë më shumë se një mundësi e thjeshtë shkencore. Të ballafaquar me këtë realitet të tmerrshëm, që mund të jetë dukur vetëm si një utopi gjatë tërë kohës njerëzore, ne, shpikësit e tregimeve, që do të besojmë në çdo gjë, kemi të drejtë të besojmë se ende nuk është vonë që të vendosim për të tjerët se si do të vdesin, aty ku dashuria do të dëshmohet e vërtetë dhe lumturia e mundur, dhe ku racat e gjykuara në njëqind vjet vetmi do të kenë, përfundimisht dhe përjetësisht, një shans të dytë mbi tokë.
Marrë nga revista “Akademia”