Ligjet reformuese nuk mund të miratohen pa votat e opozitës

04 tetor 2020 | 15:57

Vendimi i opozitës maqedonase për të mos votuar për vërtetimin e pesë gjendjeve të jashtëzakonshme për përballje me pandeminë që ishin shpallur nga presidenti Stevo Pendarovski, të cilat për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, nuk ishin votuar nga deputetët, nuk e përjashtojnë mundësinë që për shkak të numrave, shumica të mos arrijë të votojë as ligje tjera që kërkojnë dy të tretat apo edhe të shpallë gjendje të re të jashtëzakonshme në rast të nevojës.

VMRO-DPMNE-ja mbetet në qëndrimin se deputetët e saj nuk do ta votojnë nevojën për vërtetimin e gjendjeve të jashtëzakonshme derisa Kuvendi të mos debatojë edhe për mbi 250 dekretet e qeverisë të miratuar gjatë gjendjes së pandemisë për përballje me virusin korona.

“Ata duhet të vijnë këtu dhe të diskutojmë për këto, të diskutojmë për gjendjet e jashtëzakonshme, për dekretet e qeverisë, sa ato kanë dhënë rezultate, a janë arritur qëllimet për përmirësimin e gjendjes shëndetësore, apo nëse të gjitha këto vendimet kanë pasur impakt pozitiv ndaj ekonomisë”.

“Shumë dekrete ishin miratuar me qëllim të blerjes së votave, keqpërdorime financiare me qëllim të rritjes së rejtingut të partive në pushtet. Ka shumë gjëra për të cilat duhet të diskutohet dhe jo të tentohet që e gjitha kjo situatë të kalohet në heshtje”, ka deklaruar për “Radion Evropa e Lirë”, Naum Stoillkovski nga Qendra për komunikim me medien e VMRO-DPMNE-së.

Kryeministri Zoran Zaev këtë qëndrim të opozitës e quan papërgjegjësi në kohën kur, siç shprehet, presidenti kishte miratuar edhe një gjendje të jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës. Zaevi ka thënë se ky vendim nuk do të prodhojë krizë kushtetuese.

“Të gjithë e kemi parë se si Mickovski vraponte para liderit të partisë më të madhe në pushtet që të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Dhe, marrë parasysh këtë, presidenti Pendarovski e pranoi kërkesën dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme që ishte kusht për miratimin më pas të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve. Të deklarosh tani se nuk do ta mbështesësh vërtetimin gjendjeve të jashtëzakonshme, për mua është papërgjegjësi. Por, sistemi ofron zgjidhjen dhe nuk ka asnjë rrezik as për krizë kushtetuese, dhe as për kthim pas të procesit”, ka deklaruar Zaevi.

Nga VMRO-ja kanë thënë se gjendjet e jashtëzakonshme janë keqpërdorur nga pushteti.
“Vetëm se gjendja e katërt e jashtëzakonshme ishte shpallur në marrëveshje me opozitën, që të miratohen disa dekrete nga qeveria për zbatimin e zgjedhjeve. Por, edhe këtu kishin keqpërdorim nga ana e qeverisë pasi u ndryshua Kodi Zgjedhor. Kështu që shpallja në këtë rast e gjendjes së jashtëzakonshme, u keqpërdor për qëllime politike”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-së, Naum Stoilkovski.

Pavarësisht kësaj, partitë në pushtet presin që opozita të marrë pjesë në seancën e Kuvendit dhe të mbështesë vendimin për konfirmimin e gjendjeve të jashtëzakonshme, dhe veç kësaj zëvendëskryeministri Artan Grubi, ka paralajmëruar bashkëpunim me opozitën për miratimin edhe të ligjeve tjera reformuese që kërkojnë dy të tretat e votave.

“Pres që opozita të marrë pjesë në sjelljen e këtyre vendimeve, që ato të konfirmohen edhe në Kuvend. Dhe jo vetëm kaq, për të gjitha ligjet sistemore reformuese, të cilat duhet të miratohen me dy të tretat, opozita duhet të marrë pjesë në mënyrë konstruktive. Madje, në mbledhjen e fundit të qeverisë e ngritëm këtë çështje dhe kërkuam që të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë prej dy të tretave paraprakisht të diskutohen me opozitën maqedonase dhe shqiptare dhe të bëhet një grup pune, të konsolidohet teksti që të jetë i pranueshëm për të gjitha palët dhe më pas ta procedojmë në Kuvend”, ka thënë Grubi.

Shumica parlamentare ka 62 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi, ndërkohë që miratimi i ligjeve reformuese kërkon dy të tretat apo 80 vota të deputetëve, që nënkupton se pa votat e opozitës asnjë ligj nuk do të mund të miratohet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë vende evropiane po shqyrtojnë mundësinë e ashpërsimit të masave,…