Ligji i pagave, policët kërkojnë shtesë prej 200 eurosh në pagë
Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) përmes një komunikate për media ka njoftuar se është e shqetësuar me informatën se Ligji për pagat do të kthehet në pikën zero pa dhënë ndonjë arsye.
Në njoftimin e kësaj sindikate është bërë me dije se do ta ftojë në takim urgjent Këshillin drejtues të SPK-së për hapa tjerë sindikal si dhe do të kërkojnë takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Për momentin e krijuar, deri në hartimin, projektimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të pagave, Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon që të gjithë pjesëtarëve të policisë pa dalim t’ju shtohet në pagë shuma nga dyqind (200) euro. Kjo kërkesë është shumë modeste në krahasim me pagën që merr polici dhe rritjen enorme të çmimeve në vend. Mbesim me shpresë se presidentja dhe kryeministri do të marrin parasysh kërkesën tonë mediatike për takim!”, ka njoftuar SPK-ja.