Ligji i ri për zgjedhjet, KQZ-ja do të zhvillojë takime me kryetarët e komunave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të fillojë vitin e ardhshëm, me një raund takimesh me kryetarë e të gjitha komunave të Republikës së Kosovës.
Kjo iniciativë e KQZ-së vjen pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Në mbledhjen e KQZ-së është bërë me dije se qëllimi i këtyre takimeve ndërlidhet me rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional, por edhe për të diskutuar përgjegjësitë ligjore dhe zbatimin e tyre.
Arianit Elshani nga PDK-ja, ka thënë se kryetarët e komunave do të raportojnë për punën e tyre.
Përderisa Sami Hamiti nga LDK-ja, ka thënë se fundviti për komunat është shumë i ngarkuar, prandaj ky takim duhet të bartet në fillim të vitit.
Me 9 vota për është miratuar që takimet me kryetarët e komunave të fillojnë nga 15 janari.
KQZ-ja ushtron funksionin në çdo komunë përmes zyrtarit ekzekutiv, i cili gjatë periudhës së zgjedhjeve bëhet kryesues i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve që themelohet kryesisht nga përfaqësues të subjekteve politike të cilat kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale.
Sipas ligjit, komunat janë të obliguara që t’i ofrojnë mbështetje të nevojshme KKZ-ve në kuptimin e sigurimit të hapësirave për punë, depo për materiale, transport, objektet publike për nevoja të votimit apo ambiente tjera për organizimin e trajnimeve të komisionarëve dhe numëruesve, si dhe hapësira për adaptimin e qendrave komunale të numërimit.