LIGJI, PARAARDHËSIT DHE PASARDHËSIT
Flamur Maloku
Kjo temë mund të shtrohet për debat në shumë veprimtari në Kosovë. Unë po e shtroj në timen: në fushën e kulturës, të respektimit të ligjeve të ndryshme në këtë fushë e të cilët, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit, edhe janë shtuar, edhe janë forcuar, edhe janë bërë më serioze sepse, duam apo s’duam, e pranojmë apo jo, pasardhësit kanë mësuar nga gabimet e paraardhësve dhe janë bërë më seriozë në punë, edhe po qe se u kërcënohet ndonjë rrezik në rrugë, lokal a vend pune nga kërcënuesit, s’e kanë fort shqetësim.
Një prej atyre që kanë mësuar nga gabimet e të tjerëve jam edhe unë. Pra, kam mësuar nga gabimet e paraardhësve, të cilët ose nuk kishin njohuri ose nuk kishin guxim të këmbëngulnin e të kërkonin respektim të ligjeve në fushën e kulturës. Kështu që, jam i bindur se unë dhe kolegët e mi kemi bërë punë më të mirëse ta. Kështu si unë, pra punë të mirë për të tashmen dhe të ardhmen e librit dhe të gjithë kulturës shqipe dhe të huaj, kanë bërë edhe kolegët e mi, anëtarë të Këshillit të Librit të Ministrisë së Kulturës, pa dyshim ministri i Kulturës, zotëri Kujtim Gashi, Zyra Ligjore e kësaj ministrie, gjithë administrata e saj, edhe disa prej institucioneve varëse të saj si, ta zëmë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, e cila, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Librit, i jep informacione Këshillit të Librit për botuesit që respektojnë Ligjin për bibliotekat dhe atë për Veprimtari botuese, pra për dorëzimin e ekzemplarëve të obligueshëm në Bibliotekë. Poashtu, i jep informacione edhe për ata botues që nuk i respektojnë këto dy ligje, të cilët janë bërë me qëllim të zhvillimit të librit dhe të politikave të tij e të cilët, ne qe jemi zgjedhur anëtarë të Këshillit të Librit nga ministri Gashi dhe ata të tjerët që janë propozuar nga institucionet e kulturës, të arsimit dhe të shkencës në këtë Këshill Libri, duhet t’i respektojmë gjithqysh, me çfarëdo vakie që mund të na ndodhë nga të pakënaqurit!
Po kush janë këtu paraardhësit, pasardhësit dhe kush është ligji?!
Kuptohet, paraardhësit janë ata që ishin pas pasardhësve. Ata që para meje dhe para kolegëve të mi kanë qenë anëtarë të Këshillit të Librit, të ish-ministrave të Kulturës, të cilët, edhe pse e dinin se ekziston Ligji për bibliotekat dhe ai për Veprimtari botuese, edhe pse kishin edhe rregullore pune, nuk merrnin veprime për t’i detyruar keqpërdoruesit për respektim të ligjeve e të rregulloreve. Vazhdonin paraardhësit ta shkelnin Ligjin për bibliotekat dhe atë për Veprimtari botuese duke i përkrahur, me mijëra euro, disa prej botuesve që as sot, edhe pse u kërkohet me detyrim ligjor, nuk e respektojnë asnjërin prej dy ligjeve që zura në goje më sipër. Ata që bënin këtë shkelje nuk ishin një a dyveta, po njëmbëdhjetë veta; një çerdhe intelektualësh; përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme të kulturës, të arsimit dhe të shkencës. Po, jo njohës të ligjeve. Jo respektues të ligjeve. Jo njerëz me vullnet të mirë për t’i luftuar, me mish e me shpirt, dukuritë e këqija në kulturë.
Ndryshe prej paraardhësve, bërë punë shkel e shko dhe favorizuar shumë shkelësit e ligjeve, pasardhësit sot bëjnë tjetër punë: punojnë ndershëm dhe nuk mbyllin sytë para keqpërdoruesve. Para asnjërit. As s’i bëjnë kujt dredhi, po as favor askujt. Zgjedhin vlerat më të mira, më të çmueshme. Ata që i plotësojnë kriteret publike të Ministrisë së Kulturës, për hartimin e të cilëve marrim pjesë edhe ne – anëtarët e Këshillit të Librit. Dhe meqë anëtarët e Këshillit të Librit janë përzgjedhur nga ministri dhe janë përfaqësuar nga institucionet dhe e kanë besimin e tij ashtu sikurse ai e ka në ne, dhe meqë të gjithë aty janë njerëz të dijeve të ndryshme dhe të arriturave të shumtaletrare dhe shkencore , secili prej tyre sot kërkon, përpos vlera, edhe respektim të ligjeve dhe të kritereve të konkursit të Ministrisë së Kulturës nga secili botues i ri dhe i vjetër.
Por, megjithatë, duket se disa botues nuk do të mësojnë të bëhen më të mirë sesa që janë sot, kurrë. Më mbushet mendja të them kështu kur shoh veprimtarinë botuese të disa prej tyre bërë që disa vjet, kryesisht në Kosovë, që prej themelimit të shtëpive të veta, të ashtuquajtura botuese, me të cilat kanë rrezikuar kujtesën e Kosovës dhe të ardhmen e librit, të cilën kujtesë dhe të cilët libra i kanë mbajtur larg mureve të “Pjetër Bogdanit” dhe larg ligjeve e sot nuk i kanë kund botimet e para. Nuk e di a kanë qenë dhe a janë në dijeni për këtë dëm të madh dhe të pariparueshëm që ia kanë bërë librit dhe kulturës?! S’besoj se do të mbledhin mendtë as në të ardhmen sepse tradita e punës së tyre e keqe është shumë e gjatë dhe u duhen disa vjet kohë për të bërë punë të ndershme e me rregull. Ata mund të mos ndryshojnë kurrë, po as ne s’kemi plan të ndryshojmë, përpos që të vazhdojmë ta respektojmë Ligjin për bibliotekat, për Veprimtari botuese dhe t’i shtojmë dhe shtrëngojmë kriteret për përfitim material për botim të librit në secilin konkurs për botim, për blerje dhe për përkrahje të librit e të revistave. Meqë e dimë rëndësinë e botimit të librit dhe kemi detyrë të kujdesemi për botimin e tij, do t’i kujdestarojmë edhe rastet e respektimit të Ligjit për bibliotekat dhe të atij për Veprimtari botuese edhe më tutje. Edhe me më këmbëngulje do ta bëjmë kulturën më të mirë dhe shtetin më të fortë. Mundësitë i kemi. Na ka ofruar ligji.Detyra. Besimi. Kontrata.
(Autori është anëtar i Këshillit të Librit i Ministrisë së Kulturës, i përzgjedhur nga ministri Kujtim Gashi. Pikëpamjet në këtë artikull janë personale)