Ligji për ATK-në ngjall reagime nga komuniteti i biznesit dhe ekonomistët
Ligji për procedurat e Administratës Tatimore të Kosovës, po u duket ngarkesë përfaqësuesve të biznesit dhe odave të ekonomisë në vend. Për shkak të disa pikave, kryetari i Odës Amerikane, Arian Zeka thotë se ky ligj nuk është në përputhje me direktivat e BE-së. E njohësi i ekonomisë thotë se ligji paraqet sfida për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Me këtë ligj çdo transaksion në vlerë prej mbi 300 eurosh kërkohet të bëhet përmes bankës. Më herët ishte mbi vlerën 500 euro.
Ligji i ri për procedurat e Administratës Tatimore të Kosovës, i ka shqetësuar bizneset e vendit. Duke e quajtur si fatkeqësi, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i tha Radio Kosovës, se gjatë hartimit të këtij ligji nuk janë marrë parasysh rekomandimet e tyre. Ai tha se ligjet e Kosovës duhet të jenë në harmoni me Bashkimin Evropian, por në të njëjtën kohë duhet të përmirësohet ambienti i të bërit biznes.
“ Janë një sërë ankesash që ne i kemi pasur si Odë Amerikane. Një pjesë e tyre kanë të bëjnë më shkurtimin e periudhës ose të drejtës për rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Ka disa ankesa të tjera të cilat lidhen me qasjen diskriminuese sidomos për ruajtjen e regjistrave që lidhen me shërbimet elektronike, ku tashmë kërkohet që duhet të ruhen për një periudhë se paku dhjetë vite. Ne, si Odë, kemi konsideruar se kjo përben diskriminim dhe nuk është në përputhje me direktivat e BE-së ani pse në të njëjtën kohë Kosova, si një prej shteteve aspiruese të BE-së, ka dhenë zotimin se të gjitha aktet e saj ligjore do të jenë në përputhje me kornizën ligjore të BE-se”, tha ai.
E që ky ligj paraqet sfida e vështirësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në veçanti për sektorin prodhues, tha edhe Safet Gexhaliu, njohës i fushës së ekonomisë.
“Ajo çka vlen të theksohet është fakti që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme sidomos ato prodhuese, punojnë dhe avancojnë më tepër prej ndërmarrjeve të mëdha e në këtë drejtim, ligji i ri për procedurat e ATK-së po krijon një sfidë të re, në veçanti kur kemi të bëjmë me transaksionet përmes bankave për shumën mbi 300 euro. Kjo rregullore po krijon një barrë të rëndë financiare për kompanitë e vogla e të mesme të cilat shpeshherë varen nga pagesat në dorë për të mbajtur aktivitetin e tyre të përditshme. Kjo është një qasje e gabuar”, deklaroi Gërxhaliu.
Administrata Tatimore në një përgjigje me shkrim dhënë Radio Kosovës thotë se “Ky Ligj rregullon procedurat për administrimin e detyrimeve tatimore në Republikën e Kosovës që janë në fushëveprimin e Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe parimet e organizimit dhe të funksionimit të ATK-së. Ndërsa për informata rreth politikave fiskale, ATK thotë se është përgjegjëse Ministria e Financave.
Sipas këtij ligji “Çdo transaksion mbi treqind euro, kërkohet të bëhet përmes llogarisë bankare ose formave të tjera të pagesës në mënyrë elektronike”. Pra, ndryshimi është ulja e vlerës së transaksionit nga 500€ në 300€, si dhe mundësia e pagesës edhe përmes mënyrës elektronike e jo vetëm përmes llogarisë bankare.