Ligji për Barnat, me shumë pikëpyetje në vete
Më 31 dhjetor të vitit që lamë pas, Ministria e Shëndetësisë miratoi listën zyrtare të çmimeve të barnave, duke thënë se ky ligj do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti 2025. Por, afati prej rreth 1 muaj të hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas Odës së Farmacistëve të Kosovës është i shkurtër. Nënkryetari Astrit Haxhijaha, vlerëson se barnatoret nuk po e zbatojnë këtë ligj, të cilin e quan të jashtëligjshëm.
“Vazhdimisht kemi ankesa prej farmacistëve dhe barnatoreve për implementimin edhe për mungesën e informatave rreth këtij vendimi të cilin e ka bërë MSH-ja. Ne si komunitet qe 20 vite po e kërkojmë unifikimin e çmimeve të barnave mirëpo vjen ministri në fjalë, nxjerr vendim brenda një muaji vetëm duke menduar se mund të përfitoj për fushatë elektorale. Në anën tjetër interpretimi i cmimeve që e ka bërë Vitia nuk është ashtu, pra ska pasur rënie drastike…”, tha Haxhijaha për RTV21.
Shqetësime lidhur me afatin e zbatimit të listës zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale në vend ka shprehur edhe Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës, e cila funksionon brenda Odës Ekonomike.
“Kërkojmë që të mos preket stoku aktual i barnave dhe të zgjatet periudha e hyrjes në fuqi e çmimeve të reja, për arsye se qarkulluesit farmaceutikë dhe farmacitë kanë stoqe për periudha deri në 12 muaj, më shumë se 50% e çmimeve të reja janë më të ulëta se çmimet blerëse dhe ekziston rreziku i mbylljes së bizneseve farmaceutike.”, thuhet nga Oda Ekonomike.
Në anën tjetër, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, po vazhdon inspektimi i barnatoreve, të cilat kanë nisur zbatimin e ligjit.
“Inspektorati Farmaceutik vazhdon realizimin e inspektimeve të rregullta në barnatore, me një fokus të veçantë në monitorimin e zbatimit të vendimit të Ministrit për listën zyrtare të çmimeve të barnave, i cili ka hyrë në fuqi më 1 shkurt 2025. Sipas informatave nga Inspektorati Farmaceutik, barnatoret kanë nisur tashmë të zbatojnë këtë vendim.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Edhe Administrata Tatimore e Kosovës dha opinionin ligjor, duke konfirmuar se çmimi i produktit duhet të jetë vlera e hapur e tregut, por jo më pak se çmimi i kostos.