Ligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, i gatshëm në fund të vitit
Mësimdhënësit e viteve të 90-ta pritet që nga fundi i këtij viti të fillojnë të shpërblehen për kontributin e dhënë gjatë asaj kohe. Kjo do të mundësohet me miratimin nga Kuvendi të ligjit për punëtorët e arsimit shqip.
Ifakete Kërveshi Berisha dhe Esat Berisha nga Millosheva, për 45 vjet radhazi i shërbyen arsimit në edukimin e gjeneratave të tëra. Tashmë që të dy bashkëshortët janë në pension.
Ata shprehen tejet të zhgënjyer me vlerësimin nga shteti, sipas të cilëve mësimdhënësit për kontributin e dhënë përgjatë viteve të 90-ta, nuk u shpërblyen asnjëherë.
Drejtues të Sindikatës së Arsimit kanë paralajmëruar greva gjatë muajit tetor nëse brenda këtij muaji, Kuvendi nuk e miraton projektligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.
Projektligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta tani e disa muaj ka ngecur nëpër Komisione Parlamentare të Kuvendit. Ligjvënësit kosovarë deklarojnë se ky projektligj nuk mund të votohet para fundit të këtij viti.
Projektligji për mësimdhënësit e viteve të 90-ta, nga 2013-ta e pret miratimin nga Kuvendi i Kosovës./rtk/