Ligji për pagat, Avokati i Popullit tregon arsyet e dërgimit në Kushtetuese
Avokatit të Popullit e ka dërguar të premten në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat.
Me këtë rast, Avokati i Popullit ka listuar vërejtet në raport me Ligjin për Pagat.
Ky institucion nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë me dije se Ligji për pagat nuk është në pajtim me Kushtetutën, konkretisht në tri nenet e tij.
Po ashtu, Avokati i Popullit, ka vlerësuar se procesi për hartimin e këtij ligji nuk ka qenë transparent dhe demokratik.
Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Avokatit të Popullit:
Avokati i Popullit dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Ligjin nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën
Prishtinë, 7 prill 2023 – Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, që nga hyrja në fuqi e Ligjit nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik (më tej: Ligji i kontestuar), ka pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik. Ankesat e pranuara kryesisht kanë të bëjnë me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj. Ankesat e pranuara janë parashtruar nga subjekte të sektorit publik, si ankesa grupore, individualisht si dhe nëpërmjet sindikatave.
Avokati i Popullit rikujton se më 1 dhjetor 2019 kishte hyrë në fuqi Ligji nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, për të cilin ai kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë. Avokati i Popullit më tej rikujton se Gjykata Kushtetuese, më 9 korrik 2020, kishte nxjerrë Aktgjykimin KO219/19 dhe e kishte shpallur të pavlefshëm këtë ligj në tërësinë e tij.
Më 5 shkurt 2023, pas një procesi, i cili, sipas Avokatit të Popullit, nuk ka qenë një proces transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik, Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi. Për më tepër, Avokati i Popullit vlerëson se ky ligj nuk e bart frymën e Aktgjykimit KO219/19, në kuptimin e parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuptimin e sundimit të ligjit, në veçanti parimin e barazisë para ligjit, si dhe në kuptimin e mbrojtjes të së drejtës së pronës të subjekteve në sektorin publik.
Sipas Avokatit të Popullit, neni 2, paragrafi 3; neni 6, paragrafi 6; neni 41, paragrafi 3 dhe paragrafi 4, të Ligjit të kontestuar, si dhe shtojcat e tij që kanë të bëjnë me Sistemin Gjyqësor, Sistemin Prokurorial, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Nëpunësit Publikë të Arsimit Universitar dhe Parauniversitar, Nëpunësit Publikë të Sistemit Shëndetësor, Kuvendin e Kosovës, Institucionet e Pavarura Kushtetuese, Ministri, Agjenci të Pavarura, Agjenci dhe Rregullator, Agjenci Ekzekutive dhe të Shërbimit Publik, Komunat, Zyra Kombëtare e Auditimit, Auditimi i Brendshëm nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese, i cili duket se është shpërfillur me rastin e hartimit të Ligjit të kontestuar.
Avokati i Popullit vlerëson se Ligji i kontestuar në përgjithësi ka krijuar një situatë divergjente, ku të gjithë të punësuarit nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë as me rastin e uljes dhe as me rastin e ngritjes së pagave. Avokati i Popullit vlerëson se ulja dhe rritja e pagave duket se nuk janë bazuar në një vlerësim të mirëfilltë paraprak dhe as në një sistem linear, madje as përbrenda sektorëve të caktuar, që ka rezultuar që disa punonjës të pësonin ulje, e disa të tjerë rritje të pagave, madje edhe përbrenda së njëjtës organizatë.
Megjithatë, Avokati i Popullit, duke u bazuar në Aktgjykimin KO 219/19, sipas të cilit çdo ulje e pagave duhet të jetë e tillë që të mos e vërë barrën e shkurtimit të pagës vetëm te disa persona ose sektorë të caktuar të sektorit publik dhe se arsyet për ulje pagash duhet të jenë shumëfish më të qëndrueshme sesa arsyet për rritje pagash; nuk e konteston ligjin dhe shtojcat e tij në pjesët ku për sektorë të caktuar ka rritje pagash dhe ku është ndjekur një qëllim legjitim për rritje të tilla, por shpreh shqetësimin e tij për ulje pagash në mënyrë arbitrare, madje pa u plotësuar as kushtet e përcaktuara me vetë Ligjin e kontestuar, sipas të cilit pagat mund të ulen për shkak të një tronditjeje makroekonomike, e cila rezulton në zvogëlimin e të ardhurave, apo të një fatkeqësie natyrore, të shpallura zyrtarisht.
Për këto arsye dhe për ato të cilat Avokati i Popullit i ka argumentuar me rastin e trajtimit të ankesave dhe analizës së Ligjit të kontestuar, ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën të Ligjit të kontestuar.