Ligji për pagat duhet të dekretohet

15 shkurt 2019 | 16:40

Ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Jagxhillar, ka thënë se me miratimin e Ligjit për pagat, Ligjit për organizimin e administratës shtetërore dhe Ligjit për zyrtarët publikë, janë krijuar kushte për një administratë publike më efikase, më transparente, më profesionale dhe të depolitizuar.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se aprovimi i këtyre tri ligjeve në pako ka plotësuar edhe kriteret e Agjendës Evropiane të Reformave.

Ministri Jagxhillar ka treguar se në Ligjin për pagat sektorët janë trajtuar barabartë duke u bazuar në specifikat e vendit të punës, përgatitjes profesionale si dhe sipas parimit paga e njëjtë për punë të njëjtë.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka ligj të përkryer, prandaj edhe ky ligj mund të plotësohet ose ndryshohet.

Jagxhillar ka vlerësuar se Ligji për pagat duhet të dekretohet nga presidenti sepse, sipas tij, ky ligj krijon disiplinë dhe stabilitet financiar.

“Ligj të përkryer nuk ekziston. Ligjet në vazhdimësi plotësohen ose ndryshohen. Sigurisht se Zyra e Presidentit ka drejtë t’i shfrytëzojë mundësitë e veta kushtetuese për amendamentime shtesë me qëllim të sigurimit që ligji të jetë plotësisht në harmoni me kushtetutën e shtetit. A duhet të nënshkruhet Ligji për pagat? Mendoj se po. Nga ana tjetër, në qoftë se ka elemente kushtetuese për plotësim, atëherë të plotësohet. Nënshkrimi i ligjit për të hyrë në fuqi është i rëndësishëm sepse për herë të parë Kosova do të ketë një ligj themelor për paga”, ka deklaruar ai, duke shtuar se me këtë ligj pagat më nuk do të përcaktohen me vendime të ndryshme dhe rritja e pagave nuk do të përdoret për agjenda politike.

Në këtë intervistë ministri Jagxhillar ka folur edhe për dialogun me Serbinë, me ç’rast ka thënë se për finalizimin e këtij procesi kërkohet konsensus politik.

Ai ka shprehur optimizëm se aprovimi i Platformës për dialogun do ta ndihmojë Kosovën në këtë aspekt.

“Në këtë aspekt ka nevojë për unifikim të qëndrimeve midis udhëheqësve, gjithashtu edhe midis partive politike, pa marrë parasysh a janë në pozitë apo opozitë. Sepse shteti dhe interesi i shtetit është mbi të gjithë. Besoj se edhe aprovimi i Platformës për dialogun do të na ndihmojë në këtë rast. Nga ana tjetër, mendimet dhe sugjerimet e të gjitha shteteve mike, sidomos të ShBA-së dhe të BE-së, gjithmonë duhet të trajtohen me përkushtim”, është shprehur ministri Jagxhillar.

“Epoka e re”: Z. Jagxhillar, Ministria e Administratës Publike ka hartuar Ligjin për pagat i cili ka marrë edhe aprovimin e Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ky ligj ka sjellë pakënaqësi të shumta. Pse po kundërshtohet Ligji për paga, nuk janë trajtuar siç duhet kategoritë e përfshira në të?
Jagxhillar: Ligji për pagat në sektorin publik është pjesë e pakos ligjore të reformës së administratës publike bashkë me Ligjin për organizimin e administratës shtetërore dhe agjencitë si dhe Ligjin për zyrtarët publikë. Me këto ligje nga aspekti i organizimit janë trajtuar të gjitha institucionet e administratës shtetërore, ndërsa nga aspekti i punës të gjithë zyrtarët sipas definicionit zyrtarët publik dhe të gjithë përfituesit me pagë (mbi 80 000 zyrtarë) nga buxheti Republikës së Kosovës. Ministria e Administratës Publike (MAP) ka propozuar një variant i cili ka kaluar nga një proces i gjerë i diskutimeve publike, pastaj është plotësuar me amendamente nga Kuvendi i Kosovës. Ne si Ministri e Administratës Publike kemi menduar t’i trajtojmë të gjithë barabartë, duke u bazuar në specifikat e vendit të punës dhe përgatitjes profesionale si dhe sipas parimit paga e njëjtë për punë të njëjtë.

“Epoka e re”: Sektorë të caktuar janë ankuar dhe kanë kërkuar nga presidenti që të mos e dekretojë këtë ligj. A duhet ta nënshkruajë presidenti Ligjin për pagat?
Jagxhillar: Ligj të përkryer nuk ekziston. Ligjet në vazhdimësi plotësohen ose ndryshohen. Sigurisht se Zyra e Presidentit ka drejtë t’i shfrytëzojë mundësitë e veta kushtetuese për amendamentime shtesë me qëllim të sigurimit që ligji të jetë plotësisht në harmoni me kushtetutën e shtetit. A duhet të nënshkruhet Ligji për paga? Mendoj se duhet. Nga ana tjetër, në qoftë se ka elemente kushtetuese për plotësim, atëherë të plotësohet. Nënshkrimi i ligjit për të hyrë në fuqi është i rëndësishëm sepse për herë të parë Kosova do të ketë një ligj themelor për paga i cili është vazhdimësi e produktit dy ligjeve të tjera, Ligjit për organizimin e administratës shtetërore dhe Ligjit për zyrtarët publikë. Me këtë ligj do të krijohet disiplina dhe stabiliteti financiar, sepse vlera e koeficientit apo rritja eventuale e pagave do të bëhet sipas Ligjit të buxhetit duke u bazuar në zhvillimin ekonomik, ndërsa ndarja e shtesave dhe elementeve të tjera të pagave do të bëhet sipas rregulloreve bazuar në ligj. Në këtë mënyrë, më pagat nuk do të përcaktohen me vendime të ndryshme nga institucionet sipas vlerësimeve të lira të brendshme apo rritja e pagave të përdoret për agjenda politike.

“Epoka e re”: Çfarë do të ndodhë me këtë ligj nëse nuk dekretohet nga presidenti?
Jagxhillar: Procedura e aprovimit dhe dekretimit të ligjeve është e rregulluar me dispozitat kushtetuese dhe ligjore. Në këtë proces çdo institucion ka rëndësinë dhe kompetencat e veta. Pa dyshim qëllimi kryesor është që ligjet të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe sa më të zbatueshme.

“Epoka e re”: Ministër, miratimi i Ligjit për organizimin e administratës shtetërore, Ligji për zyrtarët publikë dhe Ligji për pagat janë esenciale për zhvillimin e reformave në administratën publike. Si është duke u zhvilluar ky proces dhe kur do ta ketë shteti i Kosovës një administratë të reformuar dhe të depolitizuar?
Jagxhillar: Siç shihet, te Ligji për organizimin e administratës publike dhe Ligji për zyrtarët publikë në procedurat parlamentare nuk kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Këto ligje paraprakisht kanë marrë vlerësimin e duhur nga Komisioni Evropian dhe nga SIGMA/OECD. Me aprovimin e këtyre tri ligjeve në pako e kemi plotësuar edhe agjendën evropiane të reformave në kuadër të administratës publike dhe kemi plotësuar kushtet për përfitimin e mjeteve financiare nga projekti i KE-së për mbështetje sektoriale buxhetore. Por, ç’është më e rëndësishme, janë krijuar kushte optimale që, bashkë me zbatimin e këtyre ligjeve, të kemi një administratë publike më efikase, më transparente, më profesionale dhe të depolitizuar nga aspekti i marrjes së vendimeve dhe funksionimit të administratës.

“Epoka e re”: Meqenëse ju jeni edhe pjesë e ekipit shtetëror për dialogun me Serbinë, si e shihni vazhdimin e këtij procesi dhe a duhet të hiqet taksa ndaj produkteve serbe ashtu siç po kërkon ShBA-ja?
Jagxhillar: Duke qenë pjesë e ekipit shtetëror për dialog, mendoj se krerët e shtetit duhet të arrijnë deri te një vendim i përbashkët i cili hap rrugën dhe e përforcon pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Çdo sukses është gjithmonë i lidhur drejtpërdrejt me unitetin e brendshëm dhe konsensusin e gjerë shoqëror dhe politik. Në këtë aspekt ka nevojë për unifikim të qëndrimeve midis udhëheqësve, gjithashtu edhe midis partive politike, pa marrë parasysh a janë në pozitë apo opozitë. Sepse shteti dhe interesi i shtetit është mbi të gjithë. Besoj se edhe aprovimi i Platformës për dialogun do të na ndihmojë në këtë rast. Nga ana tjetër, mendimet dhe sugjerimet e të gjitha shteteve mike, sidomos të ShBA-së dhe të BE-së, gjithmonë duhet të trajtohen me përkushtim.

Shqipe HETEMI

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të…