Ligji për pagat shkon në Gjykatën Kushtetuese
Avokati i Popullit ka bërë me dije se e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për pagat për të vlerësuar kushtetutshmërisë e këtij ligji.
“Në përgjithësi, Avokati i Popullit konsideron se Ligji për pagat në sektorin publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij”, është thënë në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Njoftimi i plotë i Avokatit të Popullit:
Avokati i Popullit, në pajtim me autorizimet e tij kushtetuese dhe ligjore, e ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese Ligjin nr. 06/L-111 për pagat në sektorin publik për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.
Në përgjithësi, Avokati i Popullit konsideron se Ligji për pagat në sektorin publik dhe Shtojca një (1) e këtij ligji nuk kanë arritur ta bartnin frymën kushtetuese në kuptimin e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe as garantimin e së drejtës pronësore. Për më shumë, Avokati i Popullit konsideron se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.
Për më tepër, Avokati i Popullit i ka pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik të parashtruara kundër Ligjit për pagat në sektorin publik, duke përfshirë këtu ankesat nga të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në polici dhe në shërbimin civil.
Avokati i Popullit ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme ndaj zbatimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik deri në një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se vendosja e masës të përkohshme është e nevojshme për ta mbrojtur interesin publik dhe për të evituar dëme të pariparueshme që do të mund të shkaktoheshin me zbatimin e këtij ligji.
Duke marrë parasysh faktin se ka një numër të madh ankesash nga subjekte të ndryshme të sektorit publik, Avokati i Popullit konsideron se ekziston interesi publik që pajtueshmëria e këtij ligji me Kushtetutën të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese.
Avokati i Popullit mbetet i përkushtuar që, në mënyrë të pavarur, t’i adresojë shqetësimet e qytetarëve të Republikës së Kosovës në funksion të ushtrimit të detyrave të veta të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.
/Epoka e re/