Ligji për Prishtinën sjell etapë të re zhvillimore për kryeqytetin
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, e ka vlerësuar hap të jashtëzakonshëm miratimin e Ligjit për kryeqytetin nga Kuvendi i Kosovës. Ai ka treguar se ky ligj ia ofron kryeqytetit vendin që meriton si lokaliteti me gravitimin më të madh në Republikën e Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Pacolli është shprehur i bindur se miratimi i ligjit nënkupton fillimin e një etape të re zhvillimore për Prishtinën. “Ky ligj barazon trajtimin e Prishtinës me secilën kryeqendër të shteteve të rajonit e më gjerë që, për shkak të specifikave, pashmangshëm trajtohen më ndryshe. E them me plot bindje se drita e gjelbër në Kuvendin e Kosovës për këtë nismë nënkupton nisjen e një etape të re zhvillimore për Prishtinën”, ka thënë Pacolli.
Ai ka treguar për të mirat që do t’i sjellë kryeqytetit ky ligj, duke shtuar se tani mundësitë e investimeve në Prishtinë do të jenë më të mëdha. “Krahas pozitës së veçantë që i garantohet kryeqytetit, përfitim do të ketë edhe në rritjen e buxhetit të komunës nga grantet e Qeverisë. Kjo nënkupton rritje të mundësive për investime të reja në kryeqytet, duke shtyrë përpara një varg projektesh që, shkaku i implikimit buxhetor, janë shtyrë nga viti në vit”, ka thënë Pacolli, duke përmendur edhe policinë dhe spitalin e kryeqytetit që ia mundëson Prishtinës ky ligj. “Një indikator pozitiv është edhe krijimi i Policisë së kryeqytetit që, me stafin e dedikuar enkas për Prishtinën, do të jetë efikase për menaxhimin e sfidave, që prej atyre në trafik e më gjerë, në bazë të kompetencave. Me këtë ligj Prishtinës i garantohet edhe spitali. Një gjë tjetër që vlen për t’u përmendur është mundësia e krijimit të ndërmarrjeve publike nga komuna, duke mos iu nënshtruar procedurave me nivelin qendror që nga përvoja janë dëshmuar problematike në të kaluarën”, është shprehur Pacolli.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës ka bërë me dije se ligji ka mundur të bëhet shumë më herët por, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur për shkak të rivalitetit politik që ka ekzistuar mes pushtetit qendror dhe atij lokal. “Fatkeqësisht, ky ligj, siç e ceka edhe më parë, do të duhej të kalonte shumë kohë më herët. Kanë qenë rivalitetet politike mes nivelit qendror dhe lokal ato që kanë sjellë në gjendjen ku jemi tash. Ta kalojmë ligjin pas një dekade shtet. Miratimi i Ligjit për Prishtinën në këndvështrimin tim ka qenë sukses edhe në këtë rrafsh sepse është dëshmuar pjekuri politike dhe vënie e interesave të qytetarit në rend të parë. Unë shpresoj shumë se ky do të jetë vetëm shembulli i parë i së ardhmes ku vendimmarrësit, pa dallime politike, do të veprojnë pa inate, në të mirën e qytetarëve”, ka thënë Pacolli.
Në këtë intervistë Selim Pacolli ka folur edhe për qeverisjen në komunë, duke thënë se puna e kësaj Qeverie do ta prekë secilin qytetar të Prishtinës.
“Epoka e re”: Z. Pacolli, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Prishtinën. Çfarë do të thotë kjo për kryeqytetin?
Pacolli: Miratimi i Ligjit për Prishtinën përbën një hap të jashtëzakonshëm e që do të duhej të ndërmerrej kohë më parë. Ky ligj ia ofron kryeqytetit vendin që e meriton si lokaliteti më i madh e me gravitimin më të madh në Republikë. Ky ligj barazon trajtimin e Prishtinës me secilën kryeqendër të shteteve të rajonit e më gjerë që, për shkak të specifikave, pashmangshëm trajtohen më ndryshe. E them me plot bindje se drita e gjelbër në Kuvendin e Kosovës për këtë nismë nënkupton nisjen e një etape të re zhvillimore për Prishtinën.
“Epoka e re”: Cilat do të jenë përfitimet kryesore të Prishtinës nga ky ligj?
Pacolli: Krahas pozitës së veçantë që i garantohet kryeqytetit, përfitim do të rritet buxheti i komunës nga grantet e Qeverisë. Kjo nënkupton rritje të mundësive për investime të reja në kryeqytet, duke shtyrë përpara një varg projektesh që, shkaku i implikimit buxhetor, janë shtyrë nga viti në vit. Një indikator pozitiv është edhe krijimi i policisë së kryeqytetit që, me stafin e vet të dedikuar enkas për Prishtinën, do të jetë efikase për menaxhimin e sfidave, prej atyre në trafik e më gjerë, në bazë të kompetencave që i jepen. Me këtë ligj Prishtinës i garantohet edhe spitali. Një gjë tjetër që vlen për t’u përmendur është mundësia e krijimit të ndërmarrjeve publike nga komuna, duke mos iu nënshtruar procedurave me nivelin qendror që, nga përvoja, janë dëshmuar problematike në të kaluarën.
“Epoka e re”: Kryeqyteti u bë me ligj 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë. Pse mendoni se qeveritë e deritashme e kanë vonuar kaq shumë këtë ligj?
Pacolli: Ky ligj, siç e ceka edhe më parë, do të duhej të kalonte shumë kohë më herët. Kanë qenë rivalitetet politike mes nivelit qendror dhe lokal ato që kanë sjellë në gjendjen ku jemi tash, ta kalojmë ligjin pas një dekade shtet. Miratimi i ligjit për Prishtinën, në këndvështrimin tim, ka qenë sukses edhe në këtë rrafsh sepse është dëshmuar pjekuri politike dhe vënie e interesave të qytetarit në rend të parë. Unë shpresoj shumë se ky do të jetë vetëm shembulli i parë i së ardhmes ku vendimmarrësit, pa dallime politike, do të veprojnë pa inate, në të mirën e qytetarëve.
“Epoka e re”: Sa jeni të kënaqur me qeverisjen e kryetarit Ahmeti?
Pacolli: Mandati i parë i kryetarit Ahmeti ka qenë i përqendruar kryesisht në vënien në binarë të shumë sfidave me të cilat është ballafaquar Prishtina. Tashmë kur kjo fazë është përfunduar me sukses, u hapet rrugë investimeve edhe më të mëdha të cilat do të ndihen nga qytetarët në secilin cep të qytetit. Është ende herët për t’u lëshuar në vlerësime mbi mandatin e dytë, por e rëndësishme në këtë mes është se dinamika e punës nuk mungon dhe na presin ende shumë gjëra për t’i bërë bashkërisht, meqenëse jemi një ekip i konsoliduar, me përgjegjësi të ndara në dikasteret ku kemi vlerësuar secili prej nesh se mund të japim më të mirën tonë. Unë jam optimist që në fund do të flasë vetë puna kur të bëhet një bilanc i asaj që kemi bërë e që potencialisht ka mbetur pa bërë.
“Epoka e re”: Sa po zbatohet programi i AKR-së dhe i juaji për kryeqytetin?
Pacolli: Bashkëpunimi me kryetarin Ahmeti është në nivelin e duhur dhe qeverisja po bëhet në bazë të parashikimit programor që shërbeu edhe si parakusht i arritjes së marrëveshjes përpara raundit të dytë të zgjedhjeve. Sa iu përket projekteve, disa prej tyre janë të derivuara nga planprogrami i AKR-së por tashmë, pas harmonizimit programor, gjërat po shtyhen përpara si një. E rëndësishme është që investimet kapitale në kryeqytet nuk do të mungojnë dhe rinia, si pika ime kryesore, nuk do të lihet anash, por do të jetë prioritet, bashkë me Prishtinën e gjelbër, investim i cili është i domosdoshëm.
Muhamet KOCI