Ligji për Qeverinë duhet të bëhet sa më shpejt
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, ka thënë se është e nevojshme të bëhet sa më shpejt Ligji për Qeverinë, në mënyrë që të mos ketë shpenzime enorme, qoftë edhe në aspektin e numrit të madh të zëvendësministrave.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoti ka folur edhe për qeverisjen në vend.
Ai ka thënë se kjo Qeveri ka pasur një sërë aktivitetesh që kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik, në mirëqenien sociale dhe në atë shëndetësore. Hoti ka theksuar se përpjekjet që janë ndërmarrë në këtë Qeveri kanë sjellë zhvillime pozitive në vend.
Ai ka lavdëruar punën e tre ministrave të Nismës Socialdemokrate që janë pjesë e Qeverisë Haradinaj. Deputeti Hoti ka bërë thirrje për një qasje më të kujdesshme për ndërmarrjet publike, duke pohuar se në këtë gjendje nuk bën të shkojnë në procesin e privatizimit dhe as të kolapsit
“Epoka e re”: Z. Hoti, si vlerësoni ecjen e deritanishme të Qeverisë aktuale?
Hoti: Qeveria Haradinaj është e përcjell me një sërë aktivitetesh që po shihet se kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik, në mirëqenien sociale dhe në atë shëndetësore. Iniciativat tona janë që t’i shtyjmë përpara obligimet që dalin në raport me detyrat që kemi para vetes sa i përket agjendës evropiane. Ne jemi duke punuar për zbatim të MSA-së. Gjithashtu, Bordi i Trepçës dhe disa borde janë funksionalizuar. Pra, disa nisma që kanë mbetur të parealizuara nga qeverisja Mustafa po përfundojnë. Të gjitha këto tentativa kanë sjellë zhvillime pozitive. Ka një ekonomi të tregut dhe tentativat për t’i parandaluar nga aktorë të ndryshëm proceset e dëmshme, pra nga aktorët e ndryshëm të cilët janë të vendosur për t’i ruajtur interesat dhe monopolet e veta. Mendoj se edhe reformat që janë marrë në sistemin e drejtësisë do t’i hapin një perspektivë të re zhvillimit ekonomik. Një ndër pengesat kryesore për zhvillimin e vendit është mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, mosreagimi i sistemit të drejtësisë në kuadër të problemeve dhe dilemave që dalin nga partnerët e ndryshëm. Mosfunksionimi i duhur tek operatorët e ndryshëm ekonomikë po shkakton pengesa, po ashtu edhe sistemi energjetik është pengesë. Ndoshta këto do të pakësohen me ndërtimin e termocentralit të ri. Prapë problemet qëndrojnë tek pengesat që vijnë edhe nga segmentet e caktuara brenda partnerëve të Qeverisë, por edhe tek problemet nga segmentet e caktuara të cilat qëndrojnë në kuadër të interesave grupore dhe klanore që po shkaktojnë pengesa përpara. Ju e keni parë iniciativën e zëvendëskryeministrit Limaj për pezullimin e privatizimit të pronave. Pati reagime edhe nga partnerët e koalicionit. Disa janë të interesuar për t’i ndalur këto procese që hapin rrugë për zhvillim të vendit dhe për krijim e vendeve të punës.
“Epoka e re”: Ministrat e Nismës Socialdemokrate po duket të jenë aktivë në detyrat e tyre. Sa po e kanë përkrahjen e partnerëve të koalicionit në vendimet që po marrin?
Hoti: Ministrat e Nismës Socialdemokrate po vazhdojnë ta jetësojnë programin e partisë, të cilën e kemi bërë të ditur edhe në fushatën elektorale. Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, të Tregtisë dhe Industrisë dhe atë të Arsimit, shihet se aktivitetet e tre ministrave janë në kuadër të programit që ka Nisma Socialdemokrate. Pengesat mund të vijnë nga aspekti administrativ, qoftë nga ato politike, sepse mund të shihet një garë që mund të reflektojë në rivalitet të partive politike. Nisma si subjekt politik, deputetët e saj dhe ministrat tanë e kanë mbështetjen e zëvendëskryeministrit Limaj që të bëjmë përpjekje maksimale për të krijuar mirëqenie më të mirë për qytetarët. Mendoj se pjesët e programit tonë kanë hyrë në binarë. Mbetet të shihet se sa do të realizohet programi ynë partiak, socialdemokrat. Kërkoj nga PDK-ja dhe kryeministri që programet që janë në interes të qytetarëve të vendit të mbështetën, pavarësisht se nga cila parti politike vijnë. Tani për tani mendoj se Qeveria Haradinaj e ka për obligim ta shtyjë përpara programin qeverisës.
“Epoka e re”: Debalanca tregtare që nga koha e pasluftës është një vazhdimësi e keqe, e cila vazhdon t’i kanoset Kosovës. Si mendoni të ndalet?
Hoti: Debalanca duhet të ndalet. Qeveria duhet të marrë masa dhe të paraqesë kushte dhe kritere në sezone të caktuara. Pa dashur të shfaq si qëllim në vetvete kategorinë e prodhuesve dhe të përpunuesve vendorë, njerëzve punëtorë të vendit dhe kompanive tregtare, duke e mirëkuptuar jashtëzakonisht ekonominë e tregu të lirë, shteti duhet t’i mbështesë prodhuesit e vendit të cilët punojnë dhe ofrojnë prodhime vendore. Produktet tona kanë nevojë për përkrahje nga faza e prodhimit në shkallën e përpunimit. Kjo do të ishte fusha e cila do t’i rregullonte raportet mes eksportit dhe importit. Po ashtu, kjo do ta rriste nivelin e eksportit në vend. Po vërehet se ka një rezistencë nga ekonomia joformale, që prapë ndoshta grupet e caktuara të pushteteve dhe politikës qëndrojnë prapa këtyre tregtarëve. Shkallën e informalitetit që, fatkeqësisht, është rreth 30 për qind, e pranoi edhe Qeveria. Ky informalitet shihet në të gjithë hapësirën vendore dhe për këtë zhvillohet një konkurrencë jo e barabartë, me çmime joreale, që imponon çmim në treg dhe rrezikon edhe prodhuesin dhe përpunuesin vendor.
“Epoka e re”: Sfidë në qeverisjen Haradinaj shihet edhe përformanca, apo pasqyrat financiare negative të ndërmarrjeve shoqërore. Ç’duhet të bëhet që të ndalet kjo gjendje?
Hoti: Mendoj se tek ndërmarrjet shoqërore është një sëmundje apo ta quaj gangrenë e përhershme që nga paslufta e këndej, e cila ka filluar të shndërrohet në një lloj kanceri për qeveritë në vazhdimësi. Kjo është shndërruar në një poligon për qeveritë dhe partitë politike sipas fuqisë së tyre. Pra, në një poligon për t’i kontrolluar dhe zhvatur të gjitha burimet publike, prandaj duhet të parandalohet.
“Epoka e re”: Ju jeni ithtar i auditimit nga kompani audituese të jashtme. Pse?
Hoti: Po. Fillimisht duhet të bëhet një auditim i jashtëm i pavarur. Ky është propozimi im që e mbroj me fanatizëm, në mënyrë që të krijohet një mundësi e auditimit të pavarur të jashtëm dhe profesional për secilën ndërmarrje publike. Nga ky auditim të rezultojë një plan emergjent i Qeverisë Haradinaj për ndërhyrje, për faktin se Qeveria e Kosovës është aksionarja kryesore e ndërmarrjeve publike. Prandaj, nuk ka primat as bordi drejtues e as bordi ekzekutiv dhe as menaxhmenti i ndërmarrjeve, pasi ato borde janë ndërmarrje për vendin dhe Qeveria është aksionare kryesore. Kështu që, ne nuk duhet të merremi shumë me atë se çfarë thonë drejtuesit e bordeve apo të menaxhmenteve ekzekutive të këtyre ndërmarrjeve, por duhet të merremi më atë se ku duhet të shkojmë dhe sa janë shndërruar këto ndërmarrje në barrë për qytetarët dhe Qeverinë e Kosovës. Është në interes jetik edhe për Qeverinë dhe për qytetarët që këto ndërmarrje ta ruajnë përmbajtjen e tyre, gjendjen ligjore dhe qëndrueshmërinë. Duhet ndërhyrje emergjente me një plan adekuat, profesional dhe të përgatitur mbi bazën e të gjeturave të auditimit. Kështu që, njerëzit që kanë bërë shkelje u hapet rruga e llogaridhënies. Ndërmarrjet publike në këtë gjendje nuk bën të shkojnë në procesin e privatizimit dhe as të kolapsit. Pra, po ritheksoj edhe një herë se segmente të caktuara kanë pasur qëllim që ndërmarrjet publike të vijnë në buzë të kolapsit, më pas t’i nënshtrohen privatizimit. Për shembull, nëse Posta ka mundur të privatizohet me 300 milionë euro, tani nuk është në rregull të privatizohet me një vlerë prej 30 milionë eurosh, kur dihet se para pesë vjetësh vetëm dividendin e ka pasur 15 milionë euro. Për gjendjen e sotme të Postës dikush duhet të japë llogari. Posta i ka mbi dy mijë punëtorë. Si mundet dikush ta marrë një pagë si drejtues i një dikasteri 4 000 euro deri në 5 000 euro kur kjo ndërmarrje është para kolapsit.
“Epoka e re”: Qeverisja Haradinaj është kritikuar edhe për shpenzime enorme, edhe për numrin e madh të zëvendësministrave. A mendoni se kjo Qeveri do ta çojë mandatin deri në fund?
Hoti: Kuptohet se nuk na bënë nder një Qeveri me 70 zëvendësministra. Kjo çështje është trashëguar nga qeveritë e mëparshme dhe ka vazhduar edhe kësaj radhe me numër të madh të zëvendësministrave. Derisa ka mungesë të Ligjit për Qeveri kjo gjendje do të përsëritet. Mendoj se në këtë drejtim ka kontribuar edhe partneriteti i shumë forcave politike në bashkëqeverisje dhe sigurisht se shpenzimet, siç thoni ju, janë enorme, janë të paarsyeshme dhe të padobishme. Këtë situatë mund ta zgjidhë vetëm Ligji për Qeverinë. Pra, sa më shpejt duhet të bëhet Ligji për Qeverinë pastaj, pavarësisht prej çfarëdo rezultati zgjedhor, atëherë duhet t’i përmbahemi këtij ligji. Forcat politike pastaj e dinë se kur të krijohen koalicionet duhet të krijohen brenda një kornizave ligjore.
“Epoka e re”: Pos Ligjit për Qeverinë, mungon edhe Ligji për nivelim të pagave.
Hoti: Jemi të bindur se reforma në administratë është një prej reformave më të vështira dhe kërkon me të vërtetë një lidership të qëndrueshëm dhe të fortë. Pa një reformë administrative nuk mund të stabilizohet gjendja në vend. Sigurisht se nivelimi i pagave nuk është duke u konvenuar atyre që i kanë privilegjet e veta. Nuk ka gatishmëri dhe vullnet politik për t’i hyrë kësaj reforme. Mendoj se Qeveria aktuale duhet ta gjejë formën që, pavarësisht prej penalizimeve që mund t’i marrë në të ardhmen, kjo do të çonte në funksion të stabilizimit të vendit. Mendoj se edhe qytetarët do ta mirëkuptonin nëse do të kishte një reformë të drejtë dhe nivelim të pagave.
(Albulena S. MAVRAJ)