Ligji për Tatimin në Pronë në Kushtetuese, Murati: Veprim i kotë
Asociacioni i Komunave të Kosovës sot e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë.
Dorëzimin e kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
Ndaj këtij veprimi ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati, duke e quajtur veprim të kotë.
Ai ka thënë se krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese.
“Për ligjin që e kishin miratuar vetë më 2018, ligj i cili parashihte vlerësimin e pronave sipas tregut, dhe që parashihte që përveç tatimit në objekte, të fillonte edhe të llogaritej tatimi në tokë me 100% të vlerës në vitin 2023, tentuan t’ia hedhin fajin qeverisë sonë. Thanë se qytetarit po i vihej barrë e papërballueshme, dhe se po të ishte në dorën e tyre, do ta lehtësonin këtë barrë. Qeveria Kurti e bëri këtë të mundur duke miratuar ndryshimin e Ligjit për Tatim në Pronë, ashtu që secila komunë të kishte mundësinë të falte faturat deri në 100 euro për vitin 2023, për të gjithë tatimpaguesit”.
“Dhe, çfarë bëjnë tash ata që para 6 muajsh “qanin hallin e qytetarëve”? E dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Pra, po dëshmohet edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin. Sidoqoftë, edhe ky veprim i tyre është i kotë. Krejt çka po duan të bëjnë me këtë potez kasta e vjetër politike, është që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata “do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”. Por kjo nuk pi ujë. Sepse ligji i ndryshuar tashmë është në fuqi, dhe secila komunë ka mundësinë të vendosë për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit më së largu me 15 shtator 2023.”, ka reaguar ministri Murati në “Facebook”.